
Lexoni edhe:
Vjen paralajmërimi: Duhet t’iu kushtohet kujdes dëshirave të kryetarëve të rinj të partive politike
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Kreu i ri i PDK-së, Bedri Hamza, e quan numrin 130 "numër i fitores dhe stabilitetit", por kjo është një retorikë e shpëlarë dhe e boshatisur, që synon ta sfidojë Vetëvendosjen. Realisht, është një përpjekje e dështuar dhe e dëshpëruar për të fshehur mungesën e ndonjë alternative që do t’i sillte, qoftë prurje të reja, apo risi premtuese për ringritjen politike të PDK-së së tij. Prurja e vetme mburrëse për partinë, Bedri Hamzën, u festua me bujë dhe pompë, si "garanci e fitores për PDK-në". "U mbars mali dhe polli një mi", thotë urtësia popullore.
-Sipas Hamzës, numri 130 "është i bashkimit për Kosovën, i stabilitetit, normalitetit dhe i zhvillimit ekonomik". Këto premtime krerët mashtrues të PDK-së i kanë përsëritur nga zgjedhjet në zgjedhje, por ato kurrë nuk janë realizuar, duke mbetur thjesht premtime dhe mashtrime të zakonshme. Lista e re e deputetëve të PDK-së është një kopje e së vjetrës, tashmë të dalë boje, dhe dominon nga SHIK-istët e rreshkur, të kësaj organizate ilegale dhe kriminale, që ka përgjakur Kosovën me gjakun e burrave dhe djemve më të mirë, luftëtarë të përkushtuar për lirinë e Kosovës.
Disa nga kandidatët, edhe pse të penalizuar nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare, pa turp, konkurruan për pushtetin lokal, por u refuzuan nga komuniteti vendor. Në këtë gjendje kaotike që ndodhet PDK-ja e Hamzës, përjashtohet mundësia e çfarëdo reforme. Mjerim! Shqiptarët, vendorë dhe të diasporës, refuzojnë, madje zëshëm dhe ngulmërisht, kthimin e PAN-it në pushtet. Për këtë grup të kriminalizuar, duhet të jenë bindur dhe penduar edhe elektorati shqiptar, ashtu siç duhet të kenë bërë edhe disa ndërkombëtarë që e mbështetën PAN-in.
Përndryshe, "PRONTO-mafia" e tyre ka qenë aktive, përveç krimeve, hajnisë dhe makro-kontrabandës, duke bërë edhe pazare të rrezikshme nën maskën e shkëmbimit të territoreve, që presupozon cënimin e sovranitetit territorial, përkatësisht ndarjen e Kosovës. Këshilltari i trefishtë, Baton Haxhiu, i Thaçit, Ramës dhe Vuçiqit, të paktën tre herë radhazi, ka shpalosur publikisht, në televizionet e Prishtinës dhe Tiranës, platformën e ujdisë mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në këto katër pika:
1. Veriu i Mitrovicës t'i lihet Serbisë, "sepse edhe ashtu nuk kemi qasje atje!" Shprehje kjo e thënë dhe e përsëritur edhe nga Hashimi. Moderatori i "PRESSING", tek T7, Leonard Kërçuku, i reagoi: "Po atje është Liqeni i Ujmanit!" Batoni u përgjigj seriozisht: "Ani çka, ne e kemi Liqenin e Kukësit!" Për çudë, moderatori Leo heshti, ndërkohë që ai e dinte se gjatë verës një pjesë e Liqenit thahet dhe ngordhin bretkocat.
2. Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, të mbyllet!
3. Të bëhet falja e krimeve reciproke!
4. Të bëhet pajtimi shqiptaro-serb (Luftën vetëmbrojtëse të shqiptarëve, Baton Haxhiu e krahason me krimet serbo-sllave!?)
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi, eksponent i PDK-së, në vend që të hulumtonte, zbulonte dhe t’i ndeshkonte krimet dhe kriminelët e qindra vrasjeve të kundërshtarëve politikë gjatë dhe pas Luftës, në Shqipëri dhe Kosovë, bëri thirrje që krimet, arrestimet, burgosjet, torturat dhe vrasjet serike të paligjshme "të harrohen, pasi janë krime të vjetëruara!" I pari i Drejtësisë të Kosovës, "harron" normën e drejtësisë që thotë se "KRIMIT KURRË NUK I SKADON AFATI!"
Në varkën e Radoiçiqit, më 19 shtator 2018, në shëtitjen e Hashim Thaçit në Liqenin e Ujmanit, "rastësisht" ndodhej Bedri Hamza, Reshit Çala dhe Abelard Tahiri. Ndërkohë, qindra-mijëra qytetarë të Kosovës protestonin në bulevardin kryesor të Prishtinës, kundër pazareve të pista të Hashimit me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës, me shenjën e saktë: "Një popull s’iu nënshtrohet një njeriu!" Ajo ditë shënoi fundin politik të Hashimit dhe shokëve të tij, përfshirë edhe Bedri Hamzën.
Andaj, ai nuk shënon asnjë prurje të re në PDK. Përkundrazi, ka një konsumim të skajshëm, kur dihet se abuzimi më i madh i buxhetit shtetëror ka ndodhur gjatë ministrimit të tij në administrimin e financave shtetërore. Ai ka qenë një heshtak frikacak, që vetëm ka firmosur për milionat e eurove të buxhetit shtetëror, pa guxuar as të pyesë shefin e tij, Hashim Thaçin, për destinimin dhe arsyetimin e shpenzimeve.
Reklamimi si "Mesia" i PDK-së, Bedri Hamza, ka fshehur disa takime me "tyxharë" në SHBA, ndër ta edhe Richard Grenell-in, agjentin e paguar të Serbisë, i cili është zotuar të lirojë Hashimin dhe shokët e tij nga Haga, për të realizuar premtimin për ndarjen e Kosovës, së paku veriun e saj, dhuratë Serbisë. Shoqëruesi i Hamzës në SHBA ishte Ukë Lushi, një matrapaz që fshihet pas "Batalionit të Atlantikut", i cili së bashku me Hashim Thaçin ndanë "Vatrën" e Nolit dhe përçanë lobin shqiptar në Amerikë.
Alarmi i dhënë nga ish-Kongresisti Joseph Dioguardi, atdhetari arbëresh, së bashku me bashkëshorten e tij Sherly, të cilët i kanë kushtuar çështjes shqiptare dhe Kosovës, duke qenë në krye të Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, është një shenjë shqetësimi për dobësimin e lobit shqiptar, i cili dikur ishte i fortë dhe i organizuar. Tashmë, ai është pasivizuar, ndërkohë që Lobi serb ka përfituar nga përçarja dhe është aktivizuar mjaft për të bllokuar lobimin shqiptar, tashmë të dobësuar.
Deputeti i zhurmshëm i PDK-së, Artan Behrami, i lakuar nga Gjykata e Hagës si pjesë e grupit kriminal që pengon drejtësinë, me kërcënimin "ose tërhiqu nga dëshmia në Hagë, ose do ta vrasim djalin e hasretit", e hapi serinë e vizitave dhe intrigave me agjentin serb Richard Grenell, kundër Albin Kurtit dhe LVV-së. Të gjithë i bashkon urrejtja patologjike për Albin Kurtin!
Në fund, kësaj kampanje ogurzezë iu bashkua edhe Bedri Hamza. Denoncimi i tij u bë nga një grup pensionistësh dhe opinionistësh, të cilët tek Albin Kurti shohin "delen e zezë" që duhet larguar nga tufa domosdoshmërisht! Ky ishte edhe qëllimi dhe rezultati i vizitës mediatike të Hamzës në SHBA.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".