Mulliqi: Në Kosovë ekziston një numër i madh i partive që janë të panevojshme

Mulliqi: Në Kosovë ekziston një numër i madh i partive që janë të panevojshme
Mulliqi: Në Kosovë ekziston një numër i madh i partive që janë të panevojshme

Skender Mulliqi

  • 18 December 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Secili fjalim apo paraqitje e liderëve partiakë po bëhet në kuadër të fushatës elektorale, kur dihet se zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë afat kohor të ngushtë prej 40 ditësh. Premtimet që i kanë filluar po ngjajnë fushatave të kaluara, premtime të pabazuara në realitet dhe premtime pa shpalosje të programeve. LVV ka një përvojë të hidhur nga zgjedhjet e kaluara nacionale, kur opozita në bllok ishte kundër që të bënte koalicion nga inatet dhe interesat e ngushta personale dhe partiake.

 

-Koalicioni ka mundur të bëhet sikur të ekzistonte një vullnet i përbashkët. Zaten LVV disa herë kërkoi që të ketë një koalicion me LDK-në, e cila me kryeneqësi e refuzoi. Lideri i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, qëndroi në diasporë për të kërkuar votën e tyre, që është normale. Kur jemi këtu, jo vetëm Kurti, por edhe liderët e tjerë të partive kryesore politike po kërkojnë votën e mërgimtarëve. Po e bëjnë edhe për faktin se shumë nga mërgimtarët tanë kanë familjarët e tyre në Kosovë dhe natyrisht se ndikimi i secilit që jeton jashtë vendit është jo i vogël te familjet, për të ndikuar se cilit subjekt politik t’i jepet vota. Këtu e ka bazën edhe fjalimi i Albin Kurtit, që të ketë votën e shumicës nga mërgimtarët, që të arrijë një fitore të madhe, siç thotë ai. Duhet të jemi realistë kur bëjmë analiza politike dhe sigurisht se çdo analist parimor, edhe në mënyrë parimore, duhet të zbërthejë atë se kush sa do të marrë vota, e jo në bazë të dëshirave apo preferencave të caktuara. LVV para katër e më shumë vjetësh ka fituar në zgjedhjet nacionale në mënyrë plebishitare, por mos të harrojmë se atëherë ka qenë në opozitë.

Ka fituar sepse PDK dhe LDK, si bartëse të pushtetit me ndonjë koalicion më të vogël, bënë gabime trashanike në politikëbërje, duke punuar jo mirë për mirëqenien e qytetarëve dhe për avancimin e të gjitha proceseve në Kosovë, pas luftës. U bënë keqpërdorime të mëdha të pozitës shoqërore e politike, duke e zhytur vendin në korrupsion, krim të organizuar, nepotizëm dhe pasurime të paligjshme etj. Kjo ndikoi që të kemi një gjendje jo të mirë ekonomike dhe sociale, të kemi varfëri dhe largime masive nga Kosova. Kur jemi te zgjedhjet e 28 dhjetorit, duhet të kuptojnë të gjitha subjektet politike se kriza politike dhe kriza institucionale të gjata ndikuan që në zgjedhjet lokale të kemi dalje relativisht të ulët. Mendoj se është domosdoshmëri dalja masive, siç e kërkon edhe Kurti, por do të jetë vështirë të parashikohet një dalje e madhe, që sigurisht do të ishte në të mirën e madhe të vendit. Edhe dhjetë të parët e ranguar të listave zgjedhore nuk premtojnë që të kemi dalje të madhe. Shumë do të kisha dëshirë të demantohem kur jemi te dalja masive në zgjedhje, sepse shumë është e domosdoshme që proceset më në fund të marrin të mbarën. LVV ka punuar mirë, sipas mundësive të lejuara politike, por nuk është sikur kur je në opozitë, pa e pasur asnjëherë pushtetin. Unë mendoj, dhe nuk do të thotë që nuk mund edhe të gaboj, por nuk do të kemi lëvizje të mëdha në vota. Mendoj se LVV edhe kësaj radhe do të triumfojë në krahasim me partitë tjera, por vështirë që do të përsëritet fitorja, siç e korri para katër vjetësh, siç edhe po kërkon lideri i LVV-së, Albin Kurti. PDK do të sillet aty sa kishte vota edhe në zgjedhjet e kaluara, së bashku me LDK-në. AAK, mendoj, në bazë të zgjedhjeve lokale do ta kalojë pragun zgjedhor; sa do të jetë kjo përqindje, duhet të presim pas rezultateve zgjedhore. Edhe në Kosovë po paraqitet nevoja që të kemi dy parti të forta rivale për pushtet, siç janë Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Por kjo paraprakisht kërkon profilizim të partive politike. Kjo nuk e prish demokracinë, përkundrazi e avancon atë. Në Kosovë ekziston një numër i madh i partive, t’i quaj ashtu, politike të panevojshme, sikur që duhet bërë ndryshime kushtetuese për të hequr vendet e rezervuara për minoritetet, prej 20 vendesh në parlament, që të mos varet formimi i organeve të pushtetit nga minoriteti serb dhe minoritetet tjera, kur dihet se minoritetet në çdo vend demokratik kanë të drejtat e tyre kulturore dhe fetare, por jo edhe shtetformuese.

Kosova, pas këtyre zgjedhjeve, duhet të gjejë rrugën e ndërtimit të lirisë dhe të fjalës së lirë, si dhe forcimin e shtetit ligjor, duke i lënë pas lojërat politike, të cilat, nëse vazhdojnë, do të jenë katastrofike për të ardhmen e Kosovës. Gjithashtu, duhet të forcojmë pavarësinë, demokracinë dhe orientimin evropian dhe perëndimor.”

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".