Refuzimi i kërkesës së tri partive kryesore ngre shqetësime serioze për barazinë e garës zgjedhore

Refuzimi i kërkesës së tri partive kryesore ngre shqetësime serioze për barazinë e garës zgjedhore
Refuzimi i kërkesës së tri partive kryesore ngre shqetësime serioze për barazinë e garës zgjedhore

Naser Krasniqi

  • 20 December 2025 - 07:46

Shkruan: ANALISTI-Naser Krasniqi

Kanë kaluar disa javë nga vendimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ta shpallur 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Megjithatë, dilemat dhe dyshimet rreth këtij vendimi nuk janë shuar. Përkundrazi, me afrimin e fushatës zgjedhore, ato po bëhen edhe më të theksuara.

-Presidentja ka deklaruar se vendimi i saj është bazuar në konsultime me partitë politike, duke theksuar se shumica e tyre janë shprehur në favor të 28 dhjetorit. Sipas saj, tetë parti e kanë preferuar këtë datë, pesë kanë kërkuar 21 dhjetorin, ndërsa tri të tjera janë shprehur se cilado datë do të ishte e pranueshme.

Refuzimi i kërkesës së tri partive kryesore opozitare ngre shqetësime serioze për barazinë e garës zgjedhore. Kur opozita e bashkuar kërkon një datë tjetër, ndërsa Presidentja zgjedh pikërisht datën që i konvenon kampit qeverisës, dyshimet për ndërhyrje në procesin zgjedhor bëhen të pashmangshme.

Edhe nëse vendimi është ligjërisht i lejuar, ai mbetet politikisht i diskutueshëm dhe potencialisht i dëmshëm për besimin publik. Edhe vetë Presidentja ka pranuar se 28 dhjetori paraqet sfida serioze për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Organizimi i zgjedhjeve në fundvit, gjatë periudhës së festave dhe me afate të shkurtra përgatitore, nuk është aspak një çështje teknike e parëndësishme.

Vendimi për 28 dhjetorin mund të jetë formal dhe ligjor, por kjo nuk do të thotë se është edhe politikisht i drejtë. Në një demokraci funksionale, institucionet duhet jo vetëm të veprojnë në përputhje me ligjin, por edhe të ruajnë besimin e qytetarëve.

Presidentja Osmani, me këtë vendim, ka lënë hapësirë për dyshime dhe interpretime që nuk i shërbejnë as procesit zgjedhor dhe as stabilitetit institucional.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".