Të gjitha partitë politike në Kosovë i kanë të punësuar militantët e tyre partiakë nëpër institucione

Të gjitha partitë politike në Kosovë i kanë të punësuar militantët e tyre partiakë nëpër institucione
Të gjitha partitë politike në Kosovë i kanë të punësuar militantët e tyre partiakë nëpër institucione

Nue Oroshi

  • 24 December 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Premtimet gjatë fushatës elektorale janë premtime që shumica e politikanëve i bëjnë për të fituar sa më shumë vota. Fakti që ata premtojnë rritjen e pagave në sektorin publik, mendoj se vjen nga fakti se të gjitha partitë politike në Republikën e Kosovës i kanë të punësuar militantët e tyre partiakë nëpër institucionet e Republikës së Kosovës. Me këtë premtim ata i angazhojnë militantët e tyre partiakë që të angazhohen sa më shumë për t’i ndihmuar partitë e tyre gjatë kësaj fushate elektorale.

 

-Sa i përket faktit pse sektori privat duhet të votojë, edhe ata kanë një arsye. Arsyeja qëndron se në nëntëdhjetë përqind të rasteve shefat e tyre, ku ata punojnë, direkt apo tërthorazi janë të lidhur me politikën. Ata në një mënyrë apo tjetër fitojnë tenderë nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe shpeshherë punëtorët në sektorin privat janë edhe më të zëshëm nëpër fushata elektorale sesa ata të sektorit publik. Janë më të zëshëm sepse në të shumtën e rasteve, kur partitë e tyre dhe të shefave të tyre i humbin zgjedhjet apo nuk janë pjesë e Qeverisë, ata e humbin vendin e punës. Është fatkeqësi, por duhet të thuhet një e vërtetë e dhimbshme.

Në nëntëdhjetë përqind të jetës në Kosovë, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat, gjithçka është e lidhur me politikën. Diku rreth dhjetë përqind janë punëtorë të vërtetë që punojnë me mund e sakrificë për t’i mbajtur familjet e tyre, si dhe për t’u dhënë punë edhe punëtorëve të tjerë që në të shumtën e rasteve janë familjarë të tyre. Edhe më e dhimbshme është situata nëpër fakultete dhe institucionet e tjera shkencore e kulturore, ku në shumë raste një doktor shkence që ka qasje në politikë i mban nga katër e pesë vende pune, kurse një doktor shkence tjetër që nuk ka qasje në politikë dhe nuk përkrahet nga politika nuk ka punë fare, apo punon diku si mësimdhënës në ndonjë fshat kodrinoro-malore të Republikës së Kosovës. Kjo është e dhimbshme, por e vërtetë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".