
Lexoni edhe:
Të gjitha partitë politike në Kosovë i kanë të punësuar militantët e tyre partiakë nëpër institucione
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Atë që sot Abdixhiku e Kimetja e quajnë atdhe, shtet e Republikë, ishin të parët që e bllokuan me konsekuencë për mbi 9 muaj me radhë. Madje Abdixhiku dhe Kimete Bajrami janë pinjollët që gjatë gjithë kohës i mëshojnë me tërë fuqinë frymës së ndasive politike dhe thellimit të përçarjes ndërmjet shqiptarëve. Ishin po këta dy që nuk pranuan bashkëpunim me asnjë parti, as me pozitën e as me partitë në opozitë, ndërsa zëvendësja e Abdixhikut shkoi deri atje sa të deklaronte para të gjithë qytetarëve të Kosovës se ajo nuk e ka fare problem “Listën Serbe”, por problemin e ka me Albin Kurtin, njeriun më të votuar në Kosovë.
-Një eskalim i tillë kaq skandaloz nënkupton hiq më pak se nënçmimin e shumicës së votuesve të Republikës së Kosovës nga LDK-ja dhe futjen e përçarjeve të thella nga Kimetja e Abdixhiku ndërmjet partive shqiptare, duke mbetur mirë vetëm me “Listën Serbe”!
Vetë ky fakt na bën të habitemi pa masë, kur dëgjojmë se si po këta njerëz marrin guximin që në fushatën zgjedhore të na flasin edhe për bashkim e bashkëpunim, akt i cili bën medoemos të lindë pyetja e madhe që patjetër duhet drejtuar Lumirit dhe Kimetes: pas gjithë këtyre avarive, me kënd e shohin ata bashkimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen, me të ashtuquajturën “Listë Serbe” dhe Serbinë?! – pasi që me asnjë nga partitë shqiptare, as në pozitë e as në opozitë, nuk pranuan të bëheshin bashkë apo të bashkëpunonin, madje hodhën poshtë edhe thirrjen e Ana Pratitpatit, përfaqësueses së Ambasadës Amerikane në Prishtinë, për hyrjen e LDK-së në koalicion dhe formimin e Qeverisë me partitë opozitare.
Në anën tjetër mbetet pyetja ende pa përgjigjen e duhur edhe nga ata që janë çuar peshë dhe premtojnë rritje të rrogave 50%, vetëm për punëtorët e sektorit publik, se pse duhet t’ua besojnë atyre votën punëtorët e sektorit privat, politikanëve që premtimet për rritje pagash deri në 1000 euro e benefite të tjera i bëjnë vetëm për punëtorët e një sektori, sektorit publik?!
Mjerisht, janë po këto parti e politikanë dhe servilët e tyre, të cilët, derisa i kanë mbërthyer të gjitha institucionet e shtetit duke i punësuar militantët e vet pa asnjë kriter, dhe për më tepër se 9 muaj mbajtën peng krijimin e institucioneve shtetërore, nuk votuan buxhetin e shtetit dhe bllokuan marrëveshjet ndërkombëtare, duke e sanksionuar Kosovën me qindra miliona euro humbje të pakompensueshme, ndihma të BE-së dhe Bankës Ndërkombëtare për qytetarët e Kosovës. Tani, pa fije turpi, dalin e kërkojnë votat e qytetarëve me mashtrime se do t’ua rrisin mbi 50% rrogat, sikur Kosova, pas përfshirjes në strategjinë e mbrojtjes së SHBA-ve, të kishte qasje edhe në buxhetin trilionësh amerikan të nënshkruar nga Donald Trumpi.
Përkundrazi, duke pasur parasysh se pikërisht këto parti e bllokuan Kosovën për gati një vit, për interesat e tyre grupore e individuale, më kot Bedri Hamza dhe të tjerët publikojnë video me zotime për rritjen e pagave, madje duke veçuar si investim të domosdoshëm vetëm punëtorët e sektorit publik. Athua vetëm ata, me pagat aktuale, nuk po arrijnë të përballojnë rritjen e kostos së jetesës dhe shtrenjtimin e çmimeve?
Po çfarë do të bëhet me punëtorët e sektorëve të tjerë? Kjo është ndasi tipike për interesa të caktuara dhe e pastudiuar si duhet, e cila nxit një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve të revoltohen dhe nga zhgënjimi të mos dalin me votu fare, nëse nuk i bojkotojnë edhe zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Edhe më tepër habisin deklaratat oportuniste të Lumir Abdixhikut, se gjoja edhe ai tani e shihka shtetin si shërbim e jo si plaçkë, të cilin, me ngërçin politik, mosvotimin e buxhetit dhe mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, edhe nëse nuk e ka plaçkitur direkt, e ka varfëruar rëndë Kosovën për së paku 200 milionë euro sipas vlerësimeve të para. Tani premton mbështetje për banesën e parë për çiftet e reja, duke përdorur shprehje kontroverse se pa familje të forta nuk ka shtet të fortë, derisa bota kërkon firma të forta dhe investitorë të fuqishëm për zhvillimin dhe çuarjen e vendit përpara, e jo bllokimin e shtetit dhe shkaktimin e humbjeve në emër të mbrojtjes së “familjeve të forta”, ndoshta duke menduar në korporata si Devolli, Viva Freshi, Elkosi i Ramiz Kelmendit etj., të cilave edhe Isa Mustafa, pikërisht në kohë pandemie, kur ato nuk ia dinin fundin fitimit, u jepte dhjetëra apo qindra miliona euro “ndihma” si “sadaka”.
Të thuhet nga ata të cilët e vështirësuan jetesën e qytetarëve duke mos votuar buxhetin e shtetit dhe as marrëveshjet ndërkombëtare se programi i tyre nuk qenka listë premtimesh, por kontratë me qytetarin, e madje edhe “kontrata e jetës me shtetin”, vërtet tingëllon shumë qesharake, për të mos thënë edhe e dhembshme, që nënçmon rëndë edhe inteligjencën e qytetarëve dhe vret pariparueshëm vullnetin e votuesve për të dalë në zgjedhje, kur ata shohin se kush janë kandidatët të cilëve duhet t’u besohet vota.
Ata që, për fatin e keq të Kosovës, nuk u mjaftuan vetëm me barrikadimin mbi 9-mujor të institucioneve, por i vendosën Kosovës edhe sanksione, kurse tani mashtrojnë për rritjen marramendëse të pagave e “jetesë me dinjitet”, dhe pas gati një viti të mbajtjes së vendit nën ngërç e bllokadë institucionale, propozojnë Ministri të Familjes dhe shtet që ata desh e shkatërruan për interesat e tyre të jetë krah familjes: secili fëmijë i porsalindur të mbështetet me 200 euro në muaj për një vit të plotë, çiftet e reja të mbështeten për banesën e parë etj. Sepse nuk paska Kosovë të individëve e partive, por Kosovë të të gjithëve, ndaj shtrohet pyetja se me humbjet e shkaktuara nga bllokada e tyre, si mund të sigurojë Kosova rritje e zhvillim, arsim cilësor e vende pune të garantuara, si dhe jetë me dinjitet, derisa Abdixhiku & Co atë që tani e quajnë atdhe, shtet e Republikë, për pak sa nuk e zhbënë, kurse në zgjedhjet e imponuara prej tyre me bllokada e ngërçe politike, përpiqen përsëri që me premtime utopike dhe mashtrime ordinere t’i gllabërojnë edhe votat e qytetarëve të sinqertë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".