Pranvera shqiptare fillon nga Kosova, kjo nuk është metaforë, është ajo që po ndodhë
Gezim Mekuli
Nga Gëzim Mekuli, Prishtinë
Fitorja e Vetëvendosjes nuk është thjeshtë një rezultat zgjedhor sall për Kosovën. Ajo është shpresë e artikuluar politikisht për gjithë hapësirën shqiptare.
Është porosia e kthjellët se ndryshimi nuk është ëndërr, por vullnet që merr formë kur populli flet qartë, masovikisht dhe pa pikë tute.
Një Kosovë me mandat të fortë qytetar, me fitoren e thellë të Vetëvendosjes i jep frymë, energji dhe shpresë edhe Tiranës. Sepse kur Prishtina zgjedh sovranitetin, drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin, ajo e zhvesh politikën shqiptare të Tiranës nga veprimet e moçme. Një fitore e tillë do të vepronte si katalizator për ndryshime pozitive në Shqipërinë tonë, duke e vënë në pikëpyetje çdo kompromis të errët, çdo lidhje klienteliste dhe çdo ndikim të huaj që ka gjetur derë të hapur nëpër korridoret e pushtetit.
Fitorja e nesërme prej 57 % do të jetë edhe një goditje politike dhe morale ndaj ndikimit serb; politik, ekonomik, mediatik, qebesa edhe kulturor, që po tenton të depërtojë në Tiranë përmes heshtjes, tutës, interesit dhe pazareve pa parime.
Jehona e kësaj fitoreje do të dëgjohet edhe në Shkup e në Luginë. Ajo do t’u thoshte shqiptarëve atje se politika nuk është e dënuar të jetë e korruptuar, se përfaqësimi nuk duhet të jetë servil dhe se dinjiteti kombëtar nuk negociohet për poste.
Do të ringjallë shpresën për një klasë politike të pakapur, të guximshme dhe të lidhur me popullin, jo me oligarkun apo ambasadën e radhës.
Mbi të gjitha, kjo fitore do t’i dërgon botës një porosi të prerë: shqiptarët nuk e duan korrupsionin. Nuk i duan lëshimet e dëmshme që shiten si “realpolitikë”. Nuk e pranojnë më nëpërkëmbjen politike, as trajtimin si faktor i dorës së dytë në vendimmarrjet që prekin fatin e tyre. Shqiptarët duan shtet, ligj, barazi dhe respekt.
Prandaj, fitorja e Vetëvendosjes nesër është më shumë se triumf partie; është akt vetëdijesimi kombëtar dhe qytetarë.
Është refuzim i frikës dhe i nënshtrimit. Është dëshmi se kur një popull beson në vlerat e veta, ai bëhet faktor gjeopolitik, jo objekt i pazareve gjeopolitike.
Po, po, po, dhe vetëm po; Pranvera shqiptare fillon nga Kosova sepse aty po provohet një e vërtetë e madhe: se ndryshimi mirëqenia dhe përparimi nuk importohet, nuk blihet por votohet. Dhe kur votohet me guxim, me kokë e me logjikë ndryshimi bëhet i pashmangshëm.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
