Zeqa: Liderët opozitarë janë fajtorë për humbjen e thellë të partive të tyre në zgjedhje

Zeqa: Liderët opozitarë janë fajtorë për humbjen e thellë të partive të tyre në zgjedhje
Zeqa: Liderët opozitarë janë fajtorë për humbjen e thellë të partive të tyre në zgjedhje

Florim Zeqa

  • 30 December 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Fitorja e ‘madhe’ e LVV-së nuk është në përputhje me daljen e elektoratit në zgjedhje! Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje me 49,30% në raport me daljen e ulët në zgjedhje (43,47%) nuk e rrit imazhin e fitores, përkundrazi e zbeh në masë të madhe fitoren e madhe të Albin Kurtit kundër gjithë të tjerëve!

 

-Mos arritja e kuotave të nevojshme mbi 50% e LVV-së, e shtron nevojën e bashkëpunimit me partitë opozitare për të mirën e vendit. Nga 43,47% e qytetarëve të dalë në zgjedhje, i ndëshkuan me votë tre ish partitë opozitare, kurse afërsisht gjysma e kësaj shume i besoi LVV-së së Albin Kurtit.

Liderët opozitarë janë fajtorë për humbjen e thellë të partive të tyre në zgjedhje, shkaku i bllokadës së gjatë politike në Kuvend dhe i strategjisë së gabuar të përpilimit të listave zgjedhore! Tani, pas debaklit zgjedhor të partive opozitare, mundësitë që ata të mund të rikthehen në pushtet nuk shihen në horizont!

Lirisht mund të themi se rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit reflektojnë një ndryshim të thellë në preferencat e votuesve të Kosovës, që i bie se është nevojë urgjente krijimi i një alternative të re politike, e cila do t’i bëjë konkurencë serioze LVV-së, pse jo edhe ndryshimin substancial në politikbërjen kosovare!

Deshën apo nuk deshën ta pranojnë partitë opozitare, me tkurrjen e vazhdueshme, disa prej tyre në zgjedhjet e radhës do ta kenë problem pragun zgjedhor për shkak të tejkonsumimit ndër vite e dekada.

Vetëm alternativa e re politike mund të tërheqë elektoratin, e jo partitë, epoka e të cilave ka kaluar që moti dhe si të tilla nuk paraqesin shpresë për ndryshim politik!

Reformat politike në një subjekt politik e kanë kohën e caktuar, pas së cilës nuk mjafton “rifreshi” politik dhe as ndërrimi i lidershipit, për shkak të një konglomerati të gjerë faktorësh që bien ndesh me grupet e interesit brenda sojit politik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".