
Lexoni edhe:
Zeqa: Liderët opozitarë janë fajtorë për humbjen e thellë të partive të tyre në zgjedhje
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Politikat radikale kanë pushtuar botën, dhe kjo po dërgon në shpërthim të luftërave. Pikëpamjeve të politikave ekstremiste në Evropë po iu prinë diktatori rus, Vladimir Putin, ndërsa në Ballkan, serbi Aleksandar Vučić. Të dy këta diktatorë kanë hartuar strategji për një Rusi të Madhe dhe Serbi të Madhe. Të dy po përballen me kolapse të vërteta ekonomike, dhe ato nisen me rënien e tyre politike.
-Diktatorët, në rrugën për në rënie, bëhen shumë të rrezikshëm për paqen, në tendencën për ta ruajtur pushtetin absolut. Neve më shumë na intereson diktatori dhe krimineli i luftës në rajon, Aleksandar Vučić. Loja e tij politike në dy karrige, një ruse dhe tjetra evropiane, por që duket se kohët e fundit këto marrëdhënie po prishen dita ditës. Presidenti serb nuk po largohet nga politika ruse dhe as nga logjika e luftës në Ballkan, dhe veçanërisht kërcënimet që po ia bën Kosovës për pushtim. Klubi i Vučićit mori goditje për një vit më radhë nga protestat studentore në Serbi, por që ende po qëndron në pushtet. Shumë njohës të çështjeve ushtarake dhe të sigurisë mendojnë se mos arritja e Rusisë për pushtimin ushtarak të Ukrainës, në mënyrë të rrufeshme, kur gjithçka ishte gati për një konflikt lufte në Kosovë, Bosnje, Mal të Zi dhe Kroaci, ka qenë një mundësi që nuk u realizua. Qeveria e Albin Kurtit lokalizoi me saktësi ndërhyrjet e mundshme ushtarake të Serbisë në pretendimet e hapura territoriale ndaj Kosovës. Kurti në veri vuri rend dhe ligj duke ndjekur terroristët e tipit të Radojiçiqit nga Kosova – rasti i aktit terrorist në Banjskë.
Qeveria Kurti bëri shumë gjëra të mira gjatë mandatit të tij, duke avancuar proceset zhvillimore shoqërore dhe politike, ekonomike dhe demokratike. Ndryshoi gjendjen e bisedimeve maratonike me Serbinë e Vučićit, i cili ishte faktorizuar nga BE-ja, por edhe pushtetet e mëhershme të Kosovës, të cilët nuk ishin në gjendje të ndalonin ofenzivën politike të presidentit shovinizm serb. Vendi për shumë vite përjetoi një gjendje të krizës sociale dhe ekonomike nga ata që më së shumti abuzuan me të mirat materiale. Gati harrova se Kurti bisedimet i ktheu në favor të Kosovës, duke e ndjersitur mirë Vučićin, i cili ishte mësuar që gjithçka të vendoset në bisedime sipas agjendave të tij, Borellit dhe Lajçakut. E stopoi Asociacionin e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, duke ruajtur shtetësinë dhe integritetin e Kosovës. Bllokada që ia bëri opozita për muaj më radhë duke mos bashkëpunuar me LVV për të formuar organet e reja të shtetit, u dënua rëndë me zgjedhjet e 28 dhjetorit, të cilat i mundën rivalët politikë me një rezultat prej 50 përqind të votave të fituara. Ky rezultat i lartë, thënë të drejtën, ishte befasia më e mirë për qytetarët e Kosovës. Kjo opozitë ishte e dobët edhe për faktin se bëri një opozitarizëm jo konstruktiv, duke shigjetuar akuza të pabaza ndaj LVV dhe Albin Kurtit. Në sistemin parlamentar duhet të sillesh në mënyrë parlamentare bashkëpunuese dhe demokratike. Humbja e opozitës është e merituar dhe në të mirën e Kosovës. Edhe fjalimi i liderit të LVV ishte korrekt, duke i ftuar bllokun opozitar për bashkëpunim, si i kishte ftuar edhe më parë LDK që të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar. LDK ka marrë tatpjetën politike atë ditë kur ka vdekur Rugova. Isa Mustafa e rrënoi partinë e Rugovës duke zgjedhur për president Hashim Thaçin dhe më pas duke u futur në koalicion me ta. Lumir Abdigjiku, pa karizëm, i katapultuar në LDK nga Mustafa, në fakt as që ka qenë i interesuar që LDK të ngritet aty ku e kishte vendin. Prandaj, pas fiaskos së radhës, Abdigjiku duhet të largohet, se edhe në fakt e kreu misionin për ta sjellë përsëri LDK-në në 13 përqind, aty ku e kishte lënë Isa Mustafa. As Bedri Hamza nuk ka kusht për të qenë lider, dhe as që ofron ndonjë alternativë serioze politike. Duhet thënë këtu se PDK dhe LDK po i lajnë mëkatet nga e kaluara me votën e qytetarëve, kur nuk qeverisën mirë me vendin, dhe kanë për të larë ende mëkatet e tyre 20-vjeçare të abuzimeve me shtetin. AAK kaloi pragun zgjedhor, që konsiderohet si sukses për këtë subjekt politik. Përfundimi i zgjedhjeve ra, tash ka mbetur soluconi që LVV vetë të formojë qeverinë me ndonjë minoritar, apo do të kemi një koalicion LVV-LDK ose edhe ndonjë solucion tjetër. Gabimet e përsëritjes së krizave politike nuk guxojnë të ndodhin, kur dihet se në pranverë kemi zgjedhjet e presidentit të vendit dhe punën e madhe që na pret në të gjitha proceset.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".