Ambasadori Petrit Malaj: Prioriteti im kryesor është forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës në çdo dimension

Ambasadori Petrit Malaj: Prioriteti im kryesor është forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës në çdo dimension
  • 01 January 2026 - 10:00

Intervistë ekskluzive me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj në një intervistë ekskluzive për gazetën "Kosova Sot Online" ka folur ndër të tjera për marrëdhëniet e ngushta dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor.

 

Ambasadori Malaj theksoi rëndësinë e projekteve strategjike si hekurudha Durrës-Prishtinë dhe bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe turizmit. Ai gjithashtu veçoi rolin e Ambasadës në avancimin e këtyre marrëdhënieve dhe nevojën për të intensifikuar integrimin evropian dhe bashkëpunimin mbarëkombëtar.

Image

"Kosova Sot Online": Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës?


Petrit Malaj: Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë sot në një pikë historike të qëndrueshme dhe të thelluar. Si dy shtete me rrënjë të përbashkëta historike dhe kulturore, ne kemi zhvilluar një bashkëpunim të fuqishëm në sferën politike, ekonomike dhe sociale, duke krijuar një partneritet të përhershëm dhe të besueshëm. Dekada e fundit ka parë nënshkrimin e mbi 100 marrëveshjeve bilaterale, që shërbejnë si instrumente konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Në vitet e fundit, intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përmes Deklaratës së Përbashkët të Sigurisë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, dëshmon aftësinë tonë për të vepruar në mënyrë koordinuar në kuadër të NATO-s dhe për të ofruar stabilitet rajonal. Marrëdhëniet tona vëllazërore mbeten një faktor i besueshëm stabiliteti, duke u mbështetur në aspiratat e përbashkëta për integrim evropian dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Image

"Kosova Sot Online": Cilat janë prioritetet kryesore të bashkëpunimit institucional mes dy shteteve?


Petrit Malaj: Prioritetet tona mbeten të përqendruara në përforcimin e lidhjeve natyrore midis dy vendeve, me fokus të veçantë te implementimi efektiv i marrëveshjeve ekzistuese dhe përmirësimi i jetës së përditshme të qytetarëve. Integrimi evropian, lëvizja e lirë, bashkëpunimi në infrastrukturë, energji dhe shërbime publike janë komponentë thelbësorë. Projekti strategjik i hekurudhës Durrës–Prishtinë, me një gjatësi prej 105.8 km që përfshin 43 ura dhe 14 tunele, është një shembull i qartë i sinergjisë tonë, duke lidhur dy vendet në mënyrë të qëndrueshme. Synimi ynë është që bashkëpunimi institucional të reflektohet në realitetin e përditshëm të qytetarëve dhe të ofrojë përfitime konkrete.

Image

"Kosova Sot Online": Çfarë roli luan Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë në forcimin e këtyre marrëdhënieve?


Petrit Malaj: Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë është një urë strategjike institucionale dhe diplomatike. Përmes koordinimit të agjendave politike, ekonomike dhe kulturore, ajo krijon hapësira për dialog konstruktiv dhe mbështetje konkrete për qytetarët. Ambasada nuk është vetëm një institucion administrativ; ajo është një katalizator i projekteve dhe iniciativave që forcojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe kontribuojnë në stabilitetin rajonal. Përveç kësaj, Ambasada promovon shkëmbime arsimore dhe kulturore, duke ndërtuar ura midis qytetarëve dhe duke kultivuar një të ardhme të bashkuar dhe dinamike.

Image

"Kosova Sot Online": Si e shihni bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe cilat janë potencialet për zhvillim të mëtejmë?

Petrit Malaj: Bashkëpunimi ekonomik është një dimension me potencial të jashtëzakonshëm. Marrëdhënia ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është e veçantë dhe nuk i përket modelit klasik të raporteve mes dy shteteve sovrane. Ne ndajmë vërtet kufij politikë si dy shtete në rajon, por nga ana tjetër ndajmë një gjuhë të përbashkët, një kulturë të njëjtë dhe një trashëgimi të përbashkët kombëtare. E gjithë kjo përbën një mundësi reale që ndodhet në duart tona - për të ndërtuar një bashkëpunim ekonomik dypalësh sa më efikas.

Në fakt, shifrat tregojnë se niveli i bashkëpunimit ekonomik është si kurrë më parë.

• Janë rreth 189 marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës, një pjesë e madhe e të cilave lidhen drejtpërdrejt me politikat e bashkëpunimit ekonomik, apo ndikojnë në aspekte që lidhen me këtë bashkëpunim-si infrastruktura dhe lehtësimi i lëvizjes pa kontroll kufitar për një periudhë 9-mujore gjatë vitit. Aktualisht po punohet intensivisht për të finalizuar funksionalizimin e Dhomës Ekonomike Dypalëshe, një projekt shumë i rëndësishëm.

Ambasada po i kushton vëmendje të veçantë këtij drejtimi dhe besojmë se së shpejti do të përmbyllet zbatimi praktik i Deklaratës Ndërqeveritare për krijimin e saj.

• Siç besoj jeni në dijeni, studimi i fizibilitetit për projektin madhor të hekurudhës Durrës-Prishtinë ka përfunduar dhe aktualisht po kalohet në fazën tjetër të projektit. Ky do të jetë një zhvillim i rëndësishëm për ndërlidhjen hekurudhore mes dy vendeve, duke i dhënë peshë strategjike transportimit të mallrave nga Durrësi drejt Kosovës.

Gjatë viteve 2024-2025 kanë përfunduar tre rrugë ndërkufitare që lidhin zona rurale të Kosovës me Shqipërinë, sipas Protokollit të nënshkruar mes dy qeverive në vitin 2023. Ndërkohë, ndërtimi i segmentit të ri rrugor Thumanë-Kashar ka sjellë lehtësim të ndjeshëm të qarkullimit drejt Tiranës, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve është më i lartë.

• Arritja strategjike e përfshirjes së Kosovës në rrjetin energjetik të Shqipërisë është shoqëruar me përfundimin e dy linjave të transmetimit të tensionit të lartë, duke rritur ndjeshëm kapacitetin për shkëmbimin e energjisë mes dy vendeve. Një sukses tjetër konkret është krijimi i bursës ditore ALPEX, që ndihmon ndjeshëm në avancimin e bashkëpunimit energjetik. Aktualisht jemi pranë kalimit në një nivel më të avancuar të bashkëpunimit, që synon investime të përbashkëta në fushën e energjisë së rinovueshme - hap i domosdoshëm për tranzicionin energjetik të Kosovës drejt energjisë së pastër. Po ashtu, po ndjekim me vëmendje zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e energjisë, në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë-BE-në, SHBA-të, etj.

• Tregtia është një moment posaçërisht i rëndësishëm në bashkëpunimin tone. Ajo përbën një nga zhvillimet më pozitive të bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Rritje është shënuar si në eksporte, ashtu edhe në importe mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në dhjetëvjeçarin 2015-2024, tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës ka pësuar rritje të vazhdueshme duke arritur edhe treguesit më të mirë në vitin 2024, ku vlera e eksportit të Kosovës në Shqipëri arriti vlerën 170 milion euro, rreth 4 herë më i lartë se në vitin 2015, vit në të cilin vlera e eksporteve të Kosovës drejt Shqipërisë ishte 40 milion euro. Edhe importet e Kosovës nga Shqipëria janë rritur (pak me shumë se dyfishim) duke arritur në vlerën 338.2 milion euro në vitin 2024 nga 151,9 milion euro që ishte në vitin 2015. Edhe gjatë vitit 2025 ecuria e tregtisë ka shënuar rritje. Konkertisht në gusht 2025, Shqipëria rezulton të jetë një nga partnerët kryesorë për eksportet e Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s. Në muajin gusht Shqipëria përfaqësonte 22,4% të ekporteve të Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s.

Edhe përsa i përket importit nga vendet e CEFTA-s Shqipëria rezulton si partner kryesor ku Shqipëria përfaqësonte 3,6% të vlerës së importeve të Kosovës nga vendet e CEFTA-s.

• Turizmi: Një tjetër fushë e spikatur e bashkëpunimit është turizmi.
Shqiptarët e Kosovës prej vitesh përbëjnë numrin më të madh të atyre që vizitojnë Shqipërinë, ndërsa në dy vitet e fundit, ata nga Shqipëria janë bërë grupi më i madh që vizitojnë Kosovën.

Sezoni turistik nuk është më vetëm veror, vizitat zhvillohen gjatë gjithë vitit në të dy anët e kufirit.
Në këtë drejtim, janë bërë investime shumë cilësore në bregdetin shqiptar, përfshirë edhe një nga projektet të cilin po e përmend që nisi në vitin 2024 nga Dukagjini Group, me vlerë investimi rreth 80 milionë euro në zonën Shëngjin-Velipojë.

• Investimet: Në fushën e investimeve, Kosova është investitori më i madh rajonal në Shqipëri, duke përfaqësuar 70% të investimeve që kryhen nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2025, stoku i investimeve nga Kosova në Shqipëri arriti në 690.6 milionë euro.Vërehet gjithashtu një trend në rritje i investimeve nga Shqipëria në Kosovë, por në këtë drejtim mbetet ende shumë për t’u bërë pasi Kosova ka potencial të pashfrytëzuar në fushën e investimeve.

Image

"Kosova Sot Online": Sa i rëndësishëm është koordinimi politik mes Tiranës dhe Prishtinës në proceset rajonale dhe ndërkombëtare?

Petrit Malaj: Koordinimi ynë politik është një aset strategjik që i shton peshë çdo iniciative rajonale dhe ndërkombëtare. Në Procesin e Berlinit, në tryezat e NATO-s, në dialogun për zgjerimin e BE-së apo në çështjet e sigurisë rajonale, Tirana dhe Prishtina flasin me një zë të koordinuar kur bëhet fjalë për interesa thelbësore. Ky koordinim nuk nënkupton uniformitet, por respektim të plotë të sovranitetit dhe specifika të secilit vend, duke krijuar një efekt shumëfishues që e bën faktorin shqiptar një aktor konstruktiv dhe të zëshëm në Ballkanin Perëndimor.

Image

"Kosova Sot Online": Çfarë iniciativa ekzistojnë ose planifikohen në fushën e arsimit, kulturës dhe rinisë mes dy vendeve?


Petrit Malaj: Arsimi, kultura dhe rinia përbëjnë ura strategjike të bashkëpunimit. Shkëmbimet akademike, projektet kulturore dhe programet rinore janë instrumente që krijojnë lidhje ndër breza dhe përgatisin një të ardhme të përbashkët dhe dinamike. Këto iniciativa promovojnë dialog, kreativitet dhe bashkëpunim midis breznive, duke thelluar njohjen dhe respektin reciprok. Ato nuk janë thjesht projekte; janë investime strategjike për zhvillimin shoqëror.

Image

"Kosova Sot Online": Si mund të forcohet më tej integrimi dhe bashkëpunimi mbarëkombëtar në praktikë?


Petrit Malaj: Integrimi mbarëkombëtar forcohet përmes veprimeve konkrete dhe angazhimit të përditshëm. Zbatimi rigoroz i marrëveshjeve ekzistuese, përfshirja e shoqërisë civile, rinisë dhe biznesit, si dhe koordinimi me institucionet evropiane, krijojnë një bashkëpunim funksional dhe të prekshëm. Kjo qasje pragmatike shndërron lidhjet historike në përfitime reale për qytetarët dhe kontribuon në një rrugëtim të qëndrueshëm drejt integrimit evropian.

Image

"Kosova Sot Online": Çfarë mesazhi do t’u përcillnit qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me të ardhmen e përbashkët?

Petrit Malaj: Qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë u them me bindje të plotë se e ardhmja jonë është e ndritur dhe në duart tona. Çdo hap që hedhim së bashku – qoftë një marrëveshje, një urë, një projekt rinor apo një investim – është një tullë më shumë në ndërtesën e prosperitetit dhe dinjitetit të përbashkët. Të punojmë me përgjegjësi, me vizion dhe me dashuri për njëri-tjetrin, sepse vetëm kështu nuk ka pengesë që nuk kapërcehet dhe as ëndërr që nuk bëhet realitet.

Image

"Kosova Sot Online": Si e vlerësoni rolin e faktorit shqiptar në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor?


Petrit Malaj: Faktori shqiptar është një element kyç i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Shqipëria dhe Kosova qëndrojnë të përkushtuara ndaj dialogut, bashkëjetesës dhe vlerave evropiane, duke kontribuar në ndërtimin e një Ballkani Perëndimor më të sigurt, të qëndrueshëm dhe me perspektivë të qartë evropiane.

Image

"Kosova Sot Online": Cilat janë prioritetet tuaja kryesore si Ambasador i Shqipërisë në Kosovë për periudhën në vazhdim?

Petrit Malaj: Prioriteti im kryesor është forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës në çdo dimension: politik, ekonomik, social dhe kulturor. Angazhimi ynë do të përqendrohet te thellimi i bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, mbështetja e proceseve integruese dhe afrimi i qytetarëve. Diplomacia jonë synon të jetë gjithmonë pranë njerëzve dhe nevojave të tyre, duke ofruar instrumente konkrete për zhvillim, mirëqenie dhe përparim të qëndrueshëm.

 


(Kosova Sot Online)