
Lexoni edhe:
Ambasadori Petrit Malaj: Prioriteti im kryesor është forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës në çdo dimension
Intervistë ekskluizve për gazetën "Kosova Sot Online" me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, znj. Tamar Ziv
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, në një intervistë ekskluizve për gazetën "Kosova Sot Online", ndër të tjera ka deklaruar se marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve janë forcuar që nga njohja e Kosovës më 1 shkurt 2021. Ajo theksoi nënshkrimin e marrëveshjeve në fushat e arsimit, kulturës dhe sigurisë, si dhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që mund të vizitojnë Izraelin nga maji i vitit 2025.
Ambasadorja Ziv veçoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushat e inovacionit, mjekësisë dhe arsimit, dhe shpreson që në vitin 2026 marrëdhëniet mes dy vendeve të forcohen më tej me vizita të nivelit të lartë dhe nënshkrime marrëveshjesh të reja.

"Kosova Sot Online": Si i vlerësoni marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës që nga vendosja e tyre zyrtare?
Tamar Ziv: Që nga krijimi i marrëdhënieve diplomatike dhe njohja e Kosovës më 1 shkurt 2021, ne kemi punuar së bashku për të ndërtuar marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe për t'i mbushur ato me përmbajtje. Hapat e parë përfshinë krijimin e një baze marrëveshjesh bilaterale ndërmjet dy shteteve. Janë nënshkruar marrëveshje të ndryshme që nga viti 2021, përveç vizitave të shumta të Ministrave që u zhvilluan si në Izrael, ashtu edhe në Kosovë dhe që filluan të krijojnë agjendën bilaterale ndërmjet shteteve.
Si shembull, gjatë vizitës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme në maj 2022, nënshkruam një marrëveshje për bashkëpunim në fushat e Arsimit, Kulturës dhe Sporteve. Përveç kësaj, nënshkruam një marrëveshje për Koproduksionin e Filmeve.
Gjatë vizitës së Ministrit të Brendshëm, z. Moshe Arbel në Kosovë, në qershor 2024, nënshkruam Marrëveshjen për Heqjen e Vizave, e cila hyri në fuqi në maj 2025, dhe që nga atëherë qytetarët e Kosovës mund të vizitojnë Izraelin pa pasur nevojë për vizë.
Përveç këtyre marrëveshjeve, gjatë pothuajse pesë viteve të marrëdhënieve kemi nënshkruar një numër të madh Memorandumeve Bashkëpunimi (MOU) në fusha të ndryshme.
Po punojmë gjithashtu për marrëveshje të tjera, të cilat shpresojmë të nënshkruhen në muajt në vijim.

"Kosova Sot Online": Cilat janë fushat kryesore të bashkëpunimit aktual mes dy vendeve?
Tamar Ziv: Fushat kryesore të bashkëpunimit janë të shumta dhe përfshijnë forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, bashkëpunimin ndërmjet universiteteve, bursa për studentë, shkëmbimin e profesorëve, shkëmbime ndërkulturore, trajnime në fushën e mjekësisë emergjente, krijimin e një dhome loje për fëmijë në departamentin e pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës, krijimin e filmave mbi historinë tonë të përbashkët dhe më shumë.
Ne po punojmë së bashku me Chargé d'Affaires znj. Ines Demiri, Shefe e Misionit të Kosovës në Jerusalem, për të afruar më shumë popujt tanë me njëri-tjetrin.
Nëntori pati një rëndësi të veçantë, pasi ishte një muaj rekord gjatë të cilit pranuam një numër të madh delegacionesh në Izrael, përfshirë grupe në fushat e muzikës, teatrit, gazetarisë, rinisë dhe një delegacion policor, duke forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

"Kosova Sot Online": Çfarë roli luan Ambasada e Izraelit në forcimin e këtyre marrëdhënieve në Kosovë?
Tamar Ziv: Ambasada luan një rol kyç në ndërtimin dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në formimin e agjendës ndërmjet dy shteteve, duke zgjeruar vazhdimisht fushën e bashkëpunimit për të përfshirë sektorë të tjerë dhe një ndërveprim më të madh ndërmjet popujve tanë. Shpresojmë që këto përpjekje të vazhdojnë të thellohen dhe të forcojnë partneritetin tonë në vitet në vijim, duke çuar në nisma të reja, lidhje më të ngushta dhe bashkëpunim të ndërsjellë dhe të dobishëm në një gamë edhe më të gjerë fushash.

"Kosova Sot Online": Izraeli është i njohur për inovacionin dhe teknologjinë. A ka iniciativa konkrete për bashkëpunim në këto fusha me Kosovën?
Tamar Ziv: Që kur kam filluar detyrën time si Ambasador, kemi qenë në kontakt me të gjitha organet e ndryshme në Kosovë që mbështesin dhe zhvillojnë inovacionin, përfshirë universitete, parqe teknologjike, OJQ si ICT, StiKK dhe të tjera, si dhe kompani të teknologjisë së lartë. Në vitin 2022, organizuam një program para-akselerimi për gra sipërmarrëse, me qëllim që t’i ndihmojmë ato të zhvillojnë biznesin ose teknologjinë e tyre në një produkt të tregtueshëm. Sipërmarrësja me produktin më të mirë vizitoi më pas Izraelin në kuadër të një turi inovacioni. Në vitin 2026, shpresojmë të zhvillojmë një program të ngjashëm dhe të vazhdojmë të lidhim ekosistemin e inovacionit të Izraelit me atë të Kosovës.

"Kosova Sot Online": Si mund të përfitojë Kosova nga përvoja izraelite në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të krizave?
Tamar Ziv: Për shkak të nevojës dhe situatës të ndërlikuar të sigurisë në Izrael para sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, dhe më pas pas sulmit, Izraeli ka zhvilluar shumë njohuri në fushën e menaxhimit të krizave, e cila përfshin, ndër të tjera, rolin e reaguesve të parë, përmirësimin e funksionimit të shërbimeve mjekësore emergjente dhe trajtimin mjekësor, komandën civile, vazhdimin e funksionimit të shërbimeve kryesore për qytetarët në kohë krizash dhe më shumë. Izraeli është i gatshëm të ndajnë këto njohuri me shtete të tjera, duke mundësuar kështu që ato të përmirësojnë dhe profesionalizojnë përgjigjen e tyre ndaj krizave.

"Kosova Sot Online": Çfarë mesazhi do t’u përcillnit të rinjve kosovarë lidhur me arsimin, inovacionin dhe diplomacinë?
Tamar Ziv: Do t’i inkurajoja të rinjtë e Kosovës të ëndërrojnë më shumë, të studiojnë me mundim, veçanërisht në lëndët STEM, dhe përmes ambicieve dhe aftësive të tyre, të zgjerojnë dhe forcojnë ekosistemin e inovacionit në Kosovë, duke kontribuar kështu në mënyrë të konsiderueshme në forcimin ekonomik të vendit dhe mundësitë e tij për zhvillim.

"Kosova Sot Online": Si e vlerësoni rolin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në zgjidhjen e konflikteve globale?
Tamar Ziv: Siç e shohim nga shembuj të ndryshëm në mbarë botën, në fund të ditës nuk ka zgjidhje më të mirë për konfliktet sesa hyrja në dialog, me qëllim gjetjen e kompromiseve dhe mënyrave për të dekonfliktuar situatat e krizës. Shembujt e ndryshëm të konflikteve në botë tregojnë se në shumicën e zonave të konfliktit, palët e përfshira kanë vështirësi të komunikojnë drejtpërdrejt dhe kanë nevojë për ndërmjetësues ose lehtësues që mundësojnë komunikimin dhe gjetjen e zgjidhjeve dhe kompromiseve për konfliktet. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Presidentit Trump dhe administratës së tij për Planin e Paqes me 21 pika, i cili solli lirimin e pengjeve izraelite dhe një armëpushim në Gaza, dhe shpresojmë të kalojmë në fazën e dytë të planit.

"Kosova Sot Online": Cilat janë prioritetet tuaja kryesore si Ambasadore e Izraelit në Kosovë për periudhën në vazhdim?
Tamar Ziv: Si Ambasador i Izraelit, prioritetet e mia janë të vazhdoj të forcoj marrëdhëniet bilaterale ndërmjet shteteve tona në nivelin qeveritar, si dhe me shoqërinë civile dhe përmes angazhimeve mes njerëzve.
Shpresoj që në vitin 2026 të shohim vizita të nivelit të lartë, nënshkrimin e marrëveshjeve dhe planeve të reja pune, rritjen e tregtisë mes dy shteteve, zhvillimin e partneriteteve ndërmjet institucioneve akademike, duke përfshirë shkëmbimin e profesorëve, studentëve dhe programeve të përbashkëta kërkimore. Për më tepër, do të dëshiroja të shihja artistë izraelitë duke performuar në Kosovë dhe artistë kosovarë duke performuar në skenat izraelite, libra që përkthehen në hebraisht dhe shqip, artistë që prezantojnë ekspozitat e tyre dhe më shumë. Do të doja të shihja forcimin e bashkëpunimit në fushat si mjekësia emergjente, bujqësia dhe fusha të tjera. Potenciali është i madh dhe shumë fusha ende nuk janë zhvilluar. Po presim një vit 2026 ku do të thellohet dhe forcohet më tej bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.
(Kosova Sot Online)