Zeqiraj: LDK-ja ka një shprehje të kamotshme ‘Tradita vazhdon’

Zeqiraj: LDK-ja ka një shprehje të kamotshme ‘Tradita vazhdon’
Zeqiraj: LDK-ja ka një shprehje të kamotshme ‘Tradita vazhdon’

Idriz Zeqiraj

  • 03 January 2026 - 07:50

Shkruan: ANALISTI-Fisnik Zeqiraj

Pothuajse në të gjitha proceset gjyqësore, fillimisht kërkohet arsyeja, shkaku që ka prodhuar pasojat e penalizimit. Premtimet pa mbulesë normale financiare, për të mashtruar dhe gënjyer elektoratin, janë të turpshme, deri në idiotësi. Ishin pikërisht premtimet e PAN-it, përkatësisht të krerëve të subjekteve politike PDK, AAK dhe NISMA, të cilat premtonin, më saktë mashtronin elektoratin, pa asnjë përgjegjësi njerëzore e morale, sepse ishin të vetëdijshëm se nuk do të fitonin dhe nuk do ta gëzonin pushtetin.

 

Rrjedhimisht, nuk do të kishin rastin t’u kërkonte askush llogari për premtimet e tyre eterike, ajrore, sepse, siç thonin latinët e lashtë, “Verba volant”, pra fjala fluturon. Këtë, për analogji, populli e ka një shprehje paksa kutërbuese: “E lëshon fjalën si lopa bajgën”. Që këtej, nën ekzaltimin e fitores, por duke mos harruar gafat dhe gënjeshtrat e disa kundërshtarëve politikë, të cilët garonin për postin e kryeministrit të Kosovës, fituesi plebishitar, në raport me krejt opozitën, pamaturisht, edhe pse meritueshëm, i cilësoi hajvana, duke e konsideruar këtë si një sintezë adekuate dhe një përgjigje të kompletuar për të gjithë fushatën mashtruese e gënjeshtare, kryesisht të PAN-it.

Po e kursejmë LDK-në si pjesë e asaj opozite, por, dorën në zemër, fushata e saj ishte korrekte, e përgjegjshme dhe pa marrëzira si të kolegëve të saj humbës. Përvetësimin e fyerjes hajvana nuk e bëri pronë të saj anëtarësia, elektorati dhe strukturat e LDK-së, përfshirë edhe kryesinë e saj, por disa argatë të kreut të klanit rrënues të partisë, Isa Mustafës, të cilët e dominojnë pjesën agjitative në emër të partisë. Për t’u solidarizuar me krerët e PAN-it, ata u vetëdeklaruan se edhe LDK-ja është hisedare në fyerjen hajvana.

Shefi i tyre i mëparshëm, Isa Mustafa, “si plaka në kacë”, herë pas here i instrukton me deklarata akademike, me sharje dhe shpifje pa doganë fare, për t’u distancuar sa më shumë nga LVV-ja, me qëllim të vazhdimit të pazareve me aleaten e vjetër, PDK-në. Ajo është edhe intriguese, për të futur pyka përçarëse, me qëllim që në kombinimet e pritshme koalicionuese ta spostojë LDK-në favorite, për t’ia dhënë parësinë PDK-së. E dhimbshme është se nuk dihet kush ha e kush pi, por gjithherë haraçin e paguan LDK-ja.

Mendoj se premtimi i ngritjes së pagave për të punësuarit publikë, për kushtet e Kosovës, nuk duket real, madje është i përshpejtuar për efekte elektorale. Ndërkohë, për të punësuarit e sektorit privat nuk tregohet vëmendje e duhur, më saktë janë shpërfillur dhe anashkaluar. Të paktën duhet të mësohet si veprohet në shtetet ballkanike, por edhe në vendet e Evropës Lindore ish-moniste. Sindikatat e punëtorëve në Kosovë janë formale dhe lehtë të manipulueshme nga partitë politike.

Ilustrojmë këtu me Sindikatën e SBASHK-ut. Edhe pse punëtorë publikë, kryetari Rrahman Jashari është kukullë në duart e nënkryetarit Kushe dhe sekretarit Imeri, të dy kuadro të SHIK-ut kriminal. Marrëzia e kryetarit Jashari kulmoi me shantazhin dhe kërcënimin e bërë Qeverisë së Kosovës: “Sa të jem unë kryetar, kurrë nuk do të lejoj të testohen mësuesit”. Kjo është kriminale. Jasharin, bashkë me krerët e OVL-së së UÇK-së, shantazhues të përhershëm të Qeverisë dhe shtetit të Kosovës, një shtet ligjor, do t’i zinxhiroste dhe dënonte si anarkistë dhe armiq të ligjit dhe shtetit të Kosovës.

Vërtet, punëtorët e sektorit privat, nga sa kemi dëgjuar në programet e partive politike, janë aq të shpërfillur dhe të anashkaluar, sa të mos kenë ndonjë motiv të veçantë për t’i votuar partitë politike dhe kandidatët e tyre për deputetë si përfaqësues të interesave të tyre. Megjithatë, shpresa vdes e fundit, thonë entuziastët. Së fundi, edhe mund të kujtohen, të paktën në takimet përmbyllëse të fushatës, ta lëshojnë ndonjë tullumbace premtuese e shpresëdhënëse.

II. LDK-ja ka një shprehje të kamotshme: “Tradita vazhdon”. Çështja e nepotizmit, favorizimit dhe privilegjimit të njerëzve të afërt, por edhe të servilëve që zakonisht ua kalojnë për besnikëri shërbimi ndaj shefave dhe të afërmve të tyre, ka rehatuar shumëkënd në poste, pavarësisht kritereve të përgatitjes profesionale.

Është fatkeqësi që komandantët, duke u thirrur në luftë, në të shumtën të pa bërë, zunë karriget e pushtetit dhe të shtetit. Shumica e tyre nuk kishin kryer as shkollë të mesme të rregullt. Megjithatë, arritën të bëhen magjistra e doktorë shkencash në universitete shtetërore e private, pothuajse të hapura në të gjitha qytetet relativisht të mëdha të Kosovës, madje edhe jashtë saj, në vendet fqinje ballkanike. Vite më parë u bë një polemikë se një komandant kishte doktoruar në Poloni, ndërkohë që nuk dinte asnjë gjuhë tjetër përveç shqipes së katundit të tij.

Emërtimet e fakulteteve private dukeshin të pamjaftueshme dhe u ngritën në universitete, ku mbaruan studimet disa komandantë dhe kuadro të SHIK-ut, drejtues bandash. Aty u diplomuan edhe disa nga gratë e komandantëve, madje doktoruan dhe u punësuan në ato universitete private. Në ministri, televizionin publik dhe institucione të tjera shtetërore u dyndën nga farefisnia dhe akraballëku i tyre.

Në Shqipëri, në kohën e monizmit, kuadri i pushtetit lokal kinse zgjidhej, por në fakt emërohej nga pushteti qendror. Në qendrat urbane strehimi ishte problem i madh. Ndodhte që dy dhoma t’i ndanin tri kurora çiftesh, ndërsa për kuzhinë nuk kishte nevojë, sepse mjaftonte një shporet llastre “maxhupi”, ngaqë sobë elektrike, frigorifer apo makinë larëse rrobash nuk kishte. Dy kilogramë miell në muaj për familje, sa për ndonjë pite, sepse furrat publike gatuanin bukën dhe piqnin tepsitë. Gjella gatuhej në furnela gazi, në një kënd të WC-së dhe dushit, sepse kada nuk kishte. Po flas për vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë.

Kur afroheshin zgjedhjet lokale, populli pëshpëriste mes vete: “Inshallah nuk ndërrohet kryetari me këta shokët përreth, se deri tani i kanë rregulluar të vetët dhe na vjen radha edhe neve, popullit”.

Për dy dekada radhazi, Albin Kurti me aktivistët e tij u tërhoq zvarrë rrugëve dhe burgjeve për të ardhur në pushtet. Premtoi drejtësi dhe barazi, të gjithë proletarë, me citate të Enver Hoxhës dhe Mao Ce Dunit kinez, si dikur autori i këtij shkrimi në rininë e hershme të viteve gjashtëdhjetë.

Albin Kurti, afro pesë vite më parë, erdhi në pushtet me fitore meritore e të bujshme. Ai me shokë u mësuan t’i lidhnin kravatat. Filluan edhe shkarkimet dhe zëvendësimet në zyra me aktivistë të Vetëvendosjes. “Çfarë deputetësh janë këta, kur nuk kanë ende xhirollogari bankare personale të hapura”, ankoheshin me përbuzje oligarkë e burokratë të majmur në karrige. “Këtyre s’u ka thënë kush kurrë puna e mbarë”, shfrynin ata që duhej t’i lëshonin karriget. Por ku të punësoheshin aktivistët e LVV-së, edhe pse ishin pothuajse të gjithë të shkolluar mjaftueshëm dhe masivisht.

Privilegjet e humbura filluan të përjetoheshin rëndë nga disa opozitarë. Edhe pse disa e pësuan me humbje pune, pothuajse të gjitha institucionet vitale mbetën të kapura nga opozita, sidomos ajo PAN-iste. Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i mbajti frerët. Oligarkët, për ta mbrojtur veten me milionat e fituara lehtë, hapën një lumë televizionesh dhe portalesh. Sikur të mos mjaftonin brenda Kosovës, u lidhën me oligarkët dhe matrapazët social-komunistë të Shqipërisë.

Disa nga ata që babë e babagjysh kishin qenë kumbarë të pushtetit represiv të Serbisë, bijtë e tyre u bënë këshilltarë të zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë edhe këshillimin e kryeministrit Edi Rama. Ai u vuri në dispozicion edhe gazetën Albania. Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, në një debat ia kujtoi milionat e lekëve që paguhej në muaj zyrtarisht kreu i fushatës së gazetarëve shpifës, Baton Haxhiu, gjë që ky e pranoi.

Disa muaj para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Batoni i mblodhi drejtuesit e televizioneve mercenare dhe disa gazetarë të tyre. Disa prej tyre janë në pronësi të miqve të kryeministrit shqiptar. Debatuesit e përnatshëm, me reprizë të nesërmen, paguhen majmërisht. Pothuajse të gjithë njëzëri: “Shpif, shpif, se diçka mbetet”. Tek-tuk është ndonjë gazetar me mendim ndryshe, kryesisht nga LVV-ja, sa për ta ndezur debatin. Por zakonisht raporti është disproporcional: nga gjashtë pjesëmarrës, katër janë shpifës të regjur nga torishta e PAN-it.

Baton Haxhiu u sugjeroi televizioneve dhe gazetarëve mercenarë t’i bashkojnë forcat për ta mundur me çdo çmim Kurtin dhe subjektin e tij, LVV-në, në zgjedhjet e pritshme. Me keqardhje, për të qenë krejt i saktë, karremin e kafshoi edhe LDK-ja. Edhe ata që dikur i bishtnonin televizionet ekstreme shpifarake kundër pozitës, me gazetarë të mërdhezur mercenarë, u thyen, duke u bërë bisht e patericë e PAN-it, kryesisht e PDK-së. Këtë gjendje vazhdojnë ta përjetojnë rëndë anëtarësia dhe elektorati besnik i frymës rugoviane. Denoncimi nuk ka munguar nga gazetarë vendorë, por edhe nga studiues e gazetarë profesionalistë të së djathtës nga Shqipëria londineze.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti, opozita e bashkuar, shpresëhumbur për t’u kthyer në pushtet me votë demokratike, në mënyrë të kundërligjshme dhe mafioze bëri koalicion paszgjedhor, duke bllokuar dhe sabotuar zgjedhjen e organeve kuvendore dhe krijimin e qeverisë së fituesit plebishitar, respektivisht të Lëvizjes Vetëvendosje. Baton Haxhiu dhe Xhavit Haliti u bënë thirrje publike opozitës dhe popullit të mbushnin bulevardet, sheshet dhe rrugët për ta rrëzuar dhunshëm Qeverinë Kurti, njësoj si përgjakja e vitit të zi 1997 në Shqipëri. Por provokimet e turpshme dhe kriminale të agjentëve të shumëfishtë të shërbimeve të huaja armiqësore ndaj Kosovës, Qeveria dhe populli i Kosovës i kuptuan dhe i refuzuan me indinjatë.

Premtimi që dallon nga të tjerët u bë nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ndërtimin e rrugëve dhe sidomos të hekurudhave. Është absurde të udhëtosh nga Istogu e Peja për në Prizren e Tiranë duke kaluar për Drenicë e Malishevë. Për një orë arrihet nga Tirana në Morinë dhe për dy orë të tjera deri në Istog e Pejë.

Hekurudha me standarde evropiane do t’i kursente Kosovës miliarda euro shpenzime aktuale për transportin ndërkombëtar. Marrëveshja e nisur nga amerikanët në vitin 2019, që përfshinte lidhjen hekurudhore të Kosovës me rrjetin ndërkombëtar, po të realizohej do të ishte zgjidhje e mrekullueshme për Kosovën.

Dominon mashtrimi me joshjen e rritjes së pagave, madje pa dallim kategorish, duke e heshtur sektorin privat. Kreu i PDK-së citon shifrën 50 për qind ngritje të menjëhershme. Vetëm për pensionistët kjo do të ishte e arsyeshme, pasi ata marrin nga 150 deri në 280 euro. Përndryshe, për të punësuarit me paga 650, 750 apo 800 euro, kjo do të ishte barrë e rëndë për kurrizin e brishtë të Kosovës.

Premtimi i ish-ministrit të financave dhe ish-drejtuesit bankar, Bedri Hamza, zhgënjen dhe të bën të dyshosh se ky kandidat për kryeministër do të ishte po aq abuzues sa Ramush Haradinaj dikur me 80 zëvendësministrat e tij.

Krimi unik në historinë politike, i kryer nga PDK, AAK dhe NISMA, me falsifikimin e 45.500 veteranëve të rremë, meriton ndëshkim dhe kurrë pushtet. Akuzat që këta krerë u bëjnë Qeverisë Kurti janë të poshtra dhe superkriminale.

Ishte gabim i rëndë i kryeministrit Albin Kurti rritja e kuotës paushall, e pamenduar dhe e pastudiuar, kur u ngrit pensioni në 170 euro pa u pastruar listat nga mijëra veteranë të rremë, duke rritur koston e abuzimit të buxhetit të varfër të Kosovës.

Pothuajse i gjithë Komisioni Hartues dhe Verifikues i veteranëve është monoetnik, i PAN-it. Përjashtim bën komandanti profesional Rrustem Berisha, i cili nuk merret me pisllëqe falsifikuese dhe ka mbetur dinjitar në gjithë veprimtarinë e tij. Lufta e Kosharës ka vulën e bijve dhe bijave nga e gjithë gjeografia e vendit dhe 228 oficerëve të ish-Akademisë Ushtarake Jugosllave, e organizuar profesionalisht dhe me regjistrim të rregullt.

Lënda penale ndaj kolonel Rrustem Berishës duhet të ndahet nga dosja e Komisionit, i dyshuar për falsifikime groteske dhe legalizim të makrohajnisë zyrtare. Bashkimi i tyre është i gabuar dhe duhet korrigjuar, për të mundësuar pafajësimin e tij të merituar.

Vlen të theksohet se Lufta e Kosharës dhe ajo e Shaban Polluzhës janë dy luftërat e vetme fituese pas Mesjetës së Gjergjit tonë. Kjo bazohet në qëndresën dhe raportin real të forcave. Në Drenicë ranë 1.050 luftëtarë shqiptarë kundrejt 970 forcave armike, ndërsa në Koshare ranë 114 dëshmorë kundrejt 108 ushtarakëve pushtues.

Premtimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë të matura dhe tokësore. Krijimi i Ministrisë së Familjes është praktikë evropiane dhe krijon lidhje më të fortë familje-shtet. Nëse Kosova synon rritje demografike, përkrahja financiare duhet të jetë afatgjatë dhe e qëndrueshme, jo vetëm për vitin e parë të lindjes së fëmijës. Edhe çështja e banimit kërkon ndërhyrje shtetërore me çmime të arsyeshme, kredi pa interes dhe afatgjata, gjëra që kryetari Lumir i ka shpjeguar më qartë.

III. Tallja groteske me popullin e Kosovës nga partitë politike, përmes bllokadës afro njëvjeçare, do ta ketë çmimin e vet, sidomos me bojkotin e votimeve. Absurditeti pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 është i qëllimshëm, sabotues dhe kundër zhvillimit të Kosovës.

Koalicionet paszgjedhore, të bëra për të bllokuar fituesin, janë kundërligjshme dhe kundër shtetit. Tentimi për ta marrë pushtetin në tavolinë pasi ke humbur zgjedhjet është praktikë kriminale, e ngjashme me kërkesat e Serbisë pas humbjes së Kosovës në luftë.

Shtrohet pyetja pse janë bërë zgjedhjet. Për t’u bashkuar humbësit dhe për të krijuar qeveri teknike apo kalimtare. Nëse kjo praktikë pranohet, zgjedhjet humbasin kuptimin. Prandaj, qëndrimi i LVV-së për të mos lëshuar pe është i drejtë.

Partitë e PAN-it nuk mund të justifikohen me refuzimin e Kurtit, sepse ai e ka shpjeguar qartë arsyen: vrasje politike, grabitje pasurish, haraç ndaj bizneseve, kontrabandë me veriun dhe dëme miliardëshe ndaj buxhetit të Kosovës.

Detyra e Kurtit nuk është rehabilitimi i krimit, por vendosja e standardit që subjektet e kriminalizuara të pastrohen ose të shuhen. Sepse edhe një lugë kos e tharton një kazan qumështi. LVV-ja nuk lëshon pe për ta mbrojtur veten nga kontaminimi me krim dhe korrupsion.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".