A JEMI SHOQËRI ME DEFEKTE PATOLOGJIKE NË POLITIKË?!…

A JEMI SHOQËRI ME DEFEKTE PATOLOGJIKE NË POLITIKË?!…
A JEMI SHOQËRI ME DEFEKTE PATOLOGJIKE NË POLITIKË?!…

Ismail Muçiqi

  • 03 January 2026 - 10:19

Shkruan  Ismail Muçiqi

Ende pa u numëruar votat e elektoratit, ende pa u ditur rezultati përfundimtar dhe përqindja e deputetëve në Parlamentin e Kosovës, ata që e mbajtën vendin në bllokadë për nëntë muaj rresht kanë filluar tashmë ta aktivizojnë logjistikën e tyre për ta vazhduar misionin kundër institucioneve të shtetit. Kjo është një çmenduri politike, që do të duhej t’i detyronte disa prej këtyre individëve, të cilët në vazhdimësi dështojnë në politikë, të reflektojnë seriozisht mbi gjendjen e tyre mendore dhe politike. Se kush ishin ata që e mbajtën vendin pezull, sot më nuk ka asnjë dilemë. Të njëjtit, në vend që të reflektojnë për humbjen e votave dhe dështimin e programeve të tyre, duke pranuar verdiktin e popullit, janë mobilizuar sërish bashkë me klanet e parapolitikës për ta penguar rizgjedhjen e Vjosa Osmanit Presidente e Republikës së Kosovës. Këto grupe njerëzish, tashmë të njohur dhe të braktisur nga simpatia e qytetarëve, i kanë harmonizuar qëndrimet e tyre duke zhvilluar propagandë të koordinuar nëpër mjetet e informimit, përkatësisht në disa televizione private të themeluara nga mafia biznesore, me qëllim që sa më lehtë të bllokohet zgjedhja e Presidentes Osmani për mandatin e dytë. Nuk është aspak çudi pse Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi debakël në zgjedhjet e fundit nacionale. Nënkryetari i saj, Lutfi Haziri, i cili prej tri dekadash bën rrotacione brenda kësaj partie, në vend që t’i pranojë humbjet dhe dështimet, doli me deklaratë se LDK-ja nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për Presidente. Ky mund ti jep këto deklarata derisa Lidhjen Demokratike  ta marrin në dorë figurat e reja që tani kanë hyrë në Parlamentin e Kosovës. Kemi theksuar edhe më herët se pikërisht këto klane të brendshme, të strehuara në mënyrë perfide dhe demagogjike brenda partisë, e kanë shfrytëzuar emrin dhe kapitalin politik të Ibrahim Rugovës vetëm për interesa personale. Këta individë, përmes fraksioneve të brendshme dhe luftës për pushtet, e kanë dobësuar për vite me radhë imazhin e Lidhjes Demokratike, e cila dikur ishte një lëvizje gjithëpopullore. Ky soj njerëzish, që nuk dinë të ndalen në garën për grabitjen e pushtetit, do të duhej sa më parë të pensionohen politikisht, njëherë e përgjithmonë. Merreni me mend: Ramush Haradinaj, me vetëm gjashtë deputetë, të lidhur kryesisht përmes klanit familjar, në vend që të japë dorëheqje dhe t’u kërkojë falje qytetarëve, del me deklarata se partitë opozitare duhet të bashkohen për ta formuar Qeverinë e Kosovës edhe pse populli i ka denuar me vote. Ky harron apo anashkalon Levizjen Vetëvendosje e cila arriti blebicipt me përkrahjen e popullit. Kjo është e dhimbshme për nivelin e vetëdijes politike, intelektuale dhe demokratike në kohën në të cilën po jetojmë. Paradoksi edhe më i madh është qëndrimi destruktiv i këtyre rrymave politike, të cilat janë mobilizuar kundër Presidentes Vjosa Osmani, figurës më autoritative politike në Kosovë dhe një prej lidereve më të respektuara në rajon e më gjerë. Në vend që ta përkrahin kandidaturën e saj për t’i hapur perspektivë Kosovës në arenën ndërkombëtare, këto grupe po bëjnë çmos të fusin përçarje brenda partive për ta bllokuar zgjedhjen e saj. Duhet theksuar se Bota demokratike e rrespekton autoritetin, kapitalin intelektual dhe diplomatik që Vjosa Osmani ka ndërtuar si Presidente e Republikës së Kosovës. Me politikën e saj pragmatike, ajo ka arritur të ndërtojë raporte të reja dhe të besueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të forcojë lidhjet me NATO-n, Bashkimin Evropian, si dhe gjatë këtij viti t’i sigurojë Kosovës katër njohje të reja ndërkombëtare. Ta anashkalosh ose ta refuzosh një figurë politike që i duhet Kosovës si Vjosa Osmani, nuk është vetëm gabim politik – është vetëvrasje ndaj shtetit.

  Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".