
Lexoni edhe:
Hasani: Moskonstituimi i institucioneve iu faturua më së shumti NISMËS, LDK-së dhe AAK-ës
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Zgjedhjet e 28 dhjetorit nxorën fitues Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe aleatët e saj, Guxo, Alternativa dhe PSHDK. Pa dyshim, kjo është një fitore historike. Sinjalet e kësaj fitoreje filluan të shuhen që në zgjedhjet lokale të tetorit, ku elektorati i LVV-së u shtrir në çdo cep të Kosovës. Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit, harta gjeografike e Kosovës u bë e kuqe për LVV-në, përjashtuar tre mini-komunat që mbetën si oaza.
-Nismën për ndryshimin e parë e filluan dy bijat veprimtare dhe luftarake të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla, në koordinim me Albin Kurtin dhe LVV-në, duke larguar nga pushteti disa "biçim komandantësh" dhe klanin Mustafa, që ishin mbështetje e PDK-së. Ky ishte hapi i parë i ndryshimit të madh, një lëvizje që u ndalua në status quo-në abuzive dhe kleptokratike të disa qeverive të kaluara, të shoqëruara me pazare të pista dhe të rrezikshme.
Fitorja e 28 dhjetorit të LVV-së, së bashku me aleatët e saj, është një fitore referendumi që dëshmoi jo vetëm mundësinë për një opozitë destruktive, por edhe për një ndryshim të thellë të mentalitetit të bandës mercenare të lidhur me boshtin Prishtinë-Tiranë-Beograd. Kjo fitore shembi akuzën e rrejshme dhe profane, që Albin Kurti dhe LVV-ja i "mashtroi shqiptarët e paditur dhe injorantë". Përkundrazi, masiviteti i votuesve për LVV flet për besimin dhe shpresën për një të ardhme ndryshe, për një qeverisje të qëndrueshme dhe përgjegjëse.
Që nga fillimi, LVV ka zhvilluar një opozitë të fortë dhe të drejtpërdrejtë, duke u përballur me qeverisjen kriminale dhe hajnore të disa komandantëve të kaluara, që e shkatërruan ekonominë dhe pasuritë e Kosovës. Ata e dërguan vendin në një gjendje të pasigurt, ku terrorizimi i sektorit privat ishte një normë.
Fushata e Albin Kurtit, e karakterizuar nga fjalët e pakta, u bë e njohur për dy gishta të ngritur në formën e germës "V", një simbol që tregonte vendosmërinë për ndërprerjen e korrupsionit dhe keqpërdorimit të tenderëve dhe terminaleve doganore. Sipas të dhënave, Kosova ka humbur miliarda euro nga makro-kontrabanda dhe tenderimet e dyshimta.
Qeverisja e Albin Kurtit gjatë pesë viteve të tij dhe aleatëve të LVV-së, Guxo e Alternativa, nuk realizoi gjithçka në plotësi, si zhvillimin e pritur ekonomik dhe sigurimin shëndetësor. Megjithatë, angazhimi i Qeverisë në forcimin e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial ka qenë prioritet absolut. Ky fokus në ruajtjen e territorit ka pasur rëndësi jetike, sidomos duke pasur parasysh rrezikun që mund të vinte nga pushtetarët e kaluara, të shantazhuar nga Serbia.
Fitorja e 28 dhjetorit 2025, me mbi 50%, sjell një ndryshim të mundshëm në politikën e Kosovës dhe do të ndikojë edhe në bashkëpunimin me partitë opozitare. Obligimi ligjor dhe moral i detyron të bashkëpunojnë për interesin e shtetit, sidomos pas dështimit të bllokadës dhe bojkotit të 9 muajve, që ka dëshpëruar shqiptarët dhe miqtë ndërkombëtarë, por ka kënaqur armiqtë e Kosovës.
Vendimi i heshtur i Qeverisë Kurti për të shtrirë sovranitetin në veri, pas deklaratave të Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, ka qenë një përgjigje e fortë ndaj këtyre individëve, të cilët thoshin se "veriu është humbur". Qeveria Kurti ka vepruar në mënyrë të vendosur, duke hequr targat e Serbisë, duke ndaluar referendumet e Serbisë dhe duke sfiduar BE-në dhe ndërkombëtarët me ndërtimin e urave paralele mbi lumin Ibër. Kjo ka qenë një ide e guximshme dhe e mençur për të zhvlerësuar një plan të dështuar, që mund të minonte sovranitetin e Kosovës.
Opozita, për fat të keq, ka qenë gjithmonë në anën e Serbisë, duke mbështetur administratën paralele serbe dhe duke penguar çdo nismë të Qeverisë për të larguar këto institucione ilegale nga Kosova. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin e Kosovës dhe ka ndihmuar Serbinë në përpjekjet e saj për të minuar proceset integruese të Kosovës.
Veprimet e Qeverisë Kurti janë akuzuar si "eksperimente politike", por në realitet, ato kanë qenë veprime të domosdoshme për të mbrojtur interesat e shtetit të Kosovës. Pjesë e kësaj lufte politike ishte edhe LDK-ja, kryesisht klani i Isa Mustafës, i cili shpesh ka qenë në anën e PAN-it dhe kundër interesave të Kosovës.
Pas fitores brilante, lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka bërë thirrje për bashkëpunim me opozitën, duke nënvizuar se vetëm së bashku mund të realizohen detyrat e mëdha që presin Qeverinë dhe opozitën. Akuza se Qeveria është duke shpërndarë "vitra" është e pabazuar, sepse fitorja e LVV-së është dëshmi e besimit të popullit dhe jo një mashtrim.
Tashmë, pretendimet e opozitës për të penguar punën e pozitës do ta diskreditonin edhe më shumë, duke dëmtuar shtetin e Kosovës. Bllokada e opozitës ka qenë një krim ndaj stabilitetit të Kosovës, dhe bashkëpunimi i opozitës me pozitën është një mundësi për të rehabilituar politikën dhe për të krijuar një shtet më të fortë.
Kurti ishte i qartë në refuzimin e bashkëqeverisjes me PAN-in, duke e cilësuar të pamundur, pasi këta nuk kishin bërë asnjë përpjekje për të spastruar partitë e tyre nga elementët kriminalë. Ftesa për bashkëpunim është një hap i drejtë dhe fisnik, që duhet shfrytëzuar për të përmirësuar qeverisjen e Kosovës dhe për të hapur një perspektivë të re për të ardhmen.
Kurti e përmbylli fitoren duke thënë: "Më 9 shkurt fitoi LVV me partnerët e saj, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës." Kjo është një fitore historike, dhe tani është koha për të punuar së bashku për të realizuar të ardhmen më të mirë të Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".