
Lexoni edhe:
Triumfi i 28 dhjetorit nga LVV së bashku me aleatët e saj është një fitore referendumi
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 nuk u fituan nga programi qeverisës, nga performanca institucionale apo nga bilanci shtetëror. Ato u fituan nga koha politike, nga data e zgjedhur me kujdes dhe, mbi të gjitha, nga lidhja emocionale e një pjese të elektoratit me liderin, jo me shtetin. Kjo është e vërteta themelore që opozita ende nuk po e artikulon me qartësi.
Triumfi i 28 dhjetorit nga LVV së bashku me aleatët e saj është një fitore referendumi
Lexoni edhe:
-Subjekti fitues hyri në zgjedhje pa një program të mirëfilltë qeverisës. As gjatë mandatit të kaluar dhe as gjatë fushatës nuk u prezantua një dokument serioz strategjik që do të ofronte zgjidhje konkrete për problemet strukturore të vendit. Programi u zëvendësua nga improvizimi politik, nga komunikimi emocional dhe nga një narrativë e thjeshtëzuar që mobilizoi bazën militante. Kur erdhi dita e zgjedhjeve, rezultati ishte i paracaktuar.
Zgjedhjet u mbajtën në një moment kur dhjetëra mijëra mërgimtarë ndodheshin në Kosovë për festat e fundvitit. Ky nuk është një detaj teknik, por një faktor elektoral me ndikim të drejtpërdrejtë. Një elektorat emocionalisht i lidhur, më pak kritik ndaj qeverisjes dhe i prirur të votojë mbi baza simbolike, u bë vendimtar në rezultat. Kjo nuk ishte rastësi, por kalkulim politik. Një pjesë e mërgatës, e paintegruar institucionalisht në vendet ku jeton, shpesh voton emocionalisht e jo mbi bazë programore, duke krijuar tension mes qytetarit rezident dhe votës nga jashtë.
Pavarësisht dyshimeve serioze për keqmenaxhim financiar, krizave në sektorë strategjikë dhe stagnimit diplomatik me partnerët ndërkombëtarë, pushteti nuk u ndëshkua politikisht. Akoma më shqetësuese është bindja naive se Kosova nuk ka nevojë të rregullojë marrëdhëniet me aleatët, sikur politika ndërkombëtare të funksiononte mbi simpati personale e jo mbi interesa dhe besueshmëri institucionale. Ky keqkuptim prodhon kosto afatgjata shtetërore.
Opozita hyri në zgjedhje me programe më të strukturuara, por pa narrativë mobilizuese dhe pa guxim politik. Në një klimë ku vota është shndërruar në akt besnikërie emocionale, arsyeja nuk mjafton. Hapësira politike po tkurret dhe sistemi po shndërrohet në një përballje mes një force dominuese dhe një opozite të fragmentuar.
Një pjesë e elektoratit nuk voton për program apo për performancë institucionale. Ajo voton liderin. Kritika perceptohet si tradhti, ndërsa përgjegjësia gjithmonë zhvendoset diku tjetër, te e kaluara. Pa një figurë të re, me autoritet moral dhe kredibilitet publik, ky cikël pushteti do të vazhdojë.
Rezultati më domethënës i zgjedhjeve është pjesëmarrja e ulët: vetëm 43.47%. Kjo do të thotë se mbi gjysma e qytetarëve zgjodhën të mos përfaqësohen nga asnjë subjekt politik. Ky është një mesazh i qartë politik: lodhje, mosbesim dhe refuzim i klasës aktuale politike. Një fitore elektorale e mbështetur nga pakica nuk përkthehet automatikisht në legjitimitet të plotë demokratik. Humbja më e madhe e këtyre zgjedhjeve nuk është e opozitës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".