Oroshi: Liderët opozitarë i humbën zgjedhjet me idenë se nuk mund të ndërtohet asnjë institucion pa votat e tyre

Oroshi: Liderët opozitarë i humbën zgjedhjet me idenë se nuk mund të ndërtohet asnjë institucion pa votat e tyre
Oroshi: Liderët opozitarë i humbën zgjedhjet me idenë se nuk mund të ndërtohet asnjë institucion pa votat e tyre

Nue Oroshi

  • 09 January 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Liderët opozitarë nuk u treguan sa duhet politikanë dhe nuk ditën ta vlerësojnë në favor të tyre faktin e rënies së VV-së në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Ata i patën dy mundësi: Mundësia e parë ishte që njëra nga ato tri parti t’i bashkohej VV-së dhe të krijoheshin institucione stabile: Kuvendi, Qeveria dhe më pas edhe përzgjedhja e Presidentit. Ose të bashkoheshin partitë opozitare për të formuar një Qeveri e cila nuk do ta linte vendin në anarki.

 

-Ata ranë nën ndikimin e dashurisë ndaj vetvetes, me idenë se nuk mund të ndërtohet asnjë institucion pa votat e partisë sime. Kjo nuk është funksionale në demokraci. E gjithmonë në demokraci duhet bërë përpjekje për zgjidhjen e problemeve. Së paku duhet ofruar një ofertë reale politike karshi rezultatit që ta ka dhënë populli.

Nuk duhet bërë përpjekje që të fitohet pushteti pa vota. Përpjekja për fitimin e pushtetit të shumtë pa vota ka sjellë zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe partitë opozitare janë ndëshkuar. Por humbja e zgjedhjeve nuk është fundi i botës.

Kontributi për shtetin nuk jepet vetëm si parti qeverisëse, por opozita në shtetet demokratike luan një rol të rëndësishëm, sepse ajo është korrigjuese e gabimeve të pushtetit.

Derisa PDK dhe AAK i kanë ruajtur votat dhe rezultatet që kanë pasur edhe në të kaluarën, mendoj se më së keqi e ka pësuar LDK-ja. Kjo parti duhet të ristrukturohet dhe t’i bëhet një analizë e madhe politike përmes një projekti të ringjalljes politike.

Ringjallja politike do të thotë rikthimi te vlerat e saj, të cilat në kohëra më të vështira e mbajtën gjallë këtë parti, si dhe mbarë Lëvizjen Politike Shqiptare.

Kjo parti përbëhet nga dy periudha historike: ajo rugoviane (1989–2006), që ishte parti fituese në të gjitha zgjedhjet në Republikën e Kosovës, si dhe periudha historike post-rugoviane, që asnjëherë nuk ka dalë e para, por vetëm e dyta dhe e treta në të gjitha zgjedhjet e Republikës së Kosovës.

Pra, me një fjalë, nga një Lëvizje gjithpopullore shqiptare, pas vdekjes së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili vdiq i pamposhtur, është shndërruar në një parti politike normale, por vetëm si e dyta dhe e treta.

Unë mendoj se kryetari i deritanishëm, Lumir Abdixhiku, duhet të japë dorëheqje dhe fillimi i reformimit të kësaj partie të nisë menjëherë. Reformimi duhet të bëhet edhe nëpër degët e LDK-së dhe dalëngadalë LDK-ja t’i kthehet vetvetes dhe të fillojë takimet me veprimtarët nëpër lagjet e qyteteve, nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës, duke qenë prezent në terren.
Kjo parti nuk duhet ta harrojë as angazhimin e të rinjve dhe të rejave, të cilët sot janë shtylla kryesore e mbajtjes së organizimit dhe ideve të reja të një partie politike.


Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".