Zeqiraj: Thaçi i rekrutuar nga Shërbimi francez DGSE, dëmtoi Kosovën!

Zeqiraj: Thaçi i rekrutuar nga Shërbimi francez DGSE, dëmtoi Kosovën!
Zeqiraj: Thaçi i rekrutuar nga Shërbimi francez DGSE, dëmtoi Kosovën!

Idriz Zeqiraj

  • 09 January 2026 - 07:00

NGA IDRIZ ZEQIRAJ    

     

Mbyllja e Urës mbi Lumin Ibër, nga ushtarët e kontingjentit francez të KFOR-it, është fort i lidhur me rekrutimin e Hashim Thaçit agjent të Francës. Pierre Siramy, drejtor i Shërbimit Informativ qendror francez, jep këtë deklaratë në televizionin -Canal + -: Agjenti ynë Arnaud Danjean, i Shërbimit Informativ DGSE, për Ballkanin Perëndimor, u dërgua në Zyrih të Zvicrës, për ta mësuar gjuhën gjermane. Realisht, misioni i tij ishte hulumtues në zanatin e tij. "Rastësisht" u ndodh në të njëjtin grup të kursit mësimor me Hashim Thaçin. Arnaud është dhëndër i Serbisë dhe në familje flasin gjuhën serbe.

"Për të rekrutuar një agjent, mjafton që ai të di se ka një dosje për atë. Dhe, këtë dosje penale faktike, të hartuar nga Serbia, enkas për krimet e Thaçit, gjatë dhe pas luftës të Kosovës, e posedonte agjenti ynë Danjean. Premtimi i dhënë ishte se do ta ketë mbrojtjen franceze, gjithnjë në koordinim me Serbinë, për  t`i shpëtuar ndëshkimit me burg, për krimet e faktuara",- deklaron shefi i Shërbimit qendror Francez, Pierre Siramy.

 Nga kryesia e ngushtë e LPK-së garantojnë të vërtetën se Hashim Thaçi nuk është në mesin e themeluesve të UÇK-së; asnjë strukturë partiake dhe as ushtarake nuk e ka zgjedhur atë drejtor politik të UÇK-së; askush nuk e ka emëruar për kryetar të delegacionit të Kosovës në Rambuje; nuk është as pjesëmarrës aktiv në guerilen e Drenicës dhe as pjesë e Luftës të Kosovës.

 

     Të gjitha këto "ofiqe", gradime dhe emërime i ka nga agjenti francez, Arnaud Danjean, i cili i publikonte përmes fletushkës "Zëri i Kosovës", kryeredaktor i së cilës ishte zyrtari i Shqipërisë, miku im i hershëm. Deklarimet e Hashimit në Gjykatën e Hagës se, gjoja, kërcënohej me jetë nga komandantët lokal të Kosovës, nëse firmos Marrëveshjen në Rambuje, janë broçkulla. Ndërsa kalimi i përgjegjësisë tek Adem Demaçi, tashmë, duke qenë i vdekur, është i turpshëm. Ai i kishte kufizimet e tij politike dhe ideologjike, por ishte i shpërfillur nga Shtabi i Rognerit, në krye të cilit ishte vetemëruar Hashimi.

 

     Përkundrazi, Hashim Thaçi, tashmë, agjent i trefishtë: i Tiranës zyrtare social-komuniste; i Francës dhe i Serbisë, ishte peng i Arnaud Danjean, agjent zyrtar i Francës dhe mercenar me pagesë i Serbisë. Në Rambuje ai ishte në cilësinë e Sigurisë të Presidentit francez. Misioni i vërtetë i tij ishte moslejimin e nënshkrimit nga Thaçi dhe të dështimit të Marrëveshjes të Rambujesë. Sepse, pikërisht, ketë e kërkonte Serbia nga ai. Ishte forca amerikane, këmbëngulja e sekretares Ollbreit e deri ke Kadareja, delegacioni i kryesuar nga Rugova, Qosja, Surroi, të cilët ua prishën planet dy agjentëve serbë, Danjean dhe Thaçi, përkatësisht, Serbisë.

 

      Obligimet e të shantazhuarit Hashim Thaçi ndaj Serbisë, i kanë sjellur shumë të këqija Kosovës, madje deri në tradhti. Shokët e tij të kryesisë të LPK-së, kanë denoncuar me fakte, se katërshja emërore: Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, renditja sipas pozitave që kishin në atë kohë, sabotuan luftën, duke mos lejuar hyrjen në Kosovë të UÇK-së të LPK-së!

 

     Të "bëmat" e Hashimit janë serike. Në prezencë të Kadri Veselit dhe të gjeneral Agim Çekut, ishin përkrah KFOR-it francez, tek Ura e Ibrit, për moslejimin e kthimit në shtëpitë e tyre të 12 mijë shqiptarëve, të shpërngulur me dhunë e përgjakje. Ishte Hashimi protestë-thyes, u premtoi banorëve kthimin e shpejtë dhe nuk e bëri kurrë. Përkundër, nënshkroi bashkë me KFOR-in francez, që Forcat Speciale Policore të mos kalojnë asnjë herë në veri, pa lejen e posaçme të KFOR-it. Dhe, ky ligj absurd vazhdon të zbatohet edhe sot! Po të ishin forcat ushtarake të Kosovës në kufi, nuk do të kishin mundësi që kriminelët serbë të livadhisnin lirshëm, duke bërë diversion dhe shkelje të sovranitetit të Kosovës, deri në vrasjen e policëve, si rasti i Afrim Bunjakut me shokë.

 

     Mbivlerësimi që i bëhet Pakos të Ahtisarit, deri në absolutizimin se "pa atë nuk mund të realizohej pavarësia e Kosovës, është më tepër mbrojtje e tradhtisë të bërë nga Hashim Thaçi. E gjithë kjo ka ndodhur pas shantazhimit që atij i bëri agjenti i DGSE franceze, Arnaud Danjean, me dosjen penale të përgatitur nga Serbia, për krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

 

     Favoret absurde, deri kriminale, për minoritetet në Kosovë, në veçanti, për serbët, të imponuara nga Ahtisari dhe, lehtësisht, të pranuara  nga Hashim Thaçi dhe besnikët e tij, kanë qenë dhe ende mbeten fatale për Kosovën. Presidenti Rugova, në gjallje të tij, ka lënë porosinë-amanet: "Mos e lejoni Hashimin të ngritet në pozitat e larta, se është i dëmshëm për Kosovën"! Ai i dinte krimet e Hashimit me disa "komandantë" të tij, për rrjedhojë, edhe shantazhimin me dosje penale kriminale. Është fatkeqësi për popullin dhe kombin se njerëzit rrast të shantazhuar, njëhersh, edhe të kriminalizuar, vazhdojnë ta helmojnë skenën politike dhe shoqërinë kosovare, me praninë e tyre në jetën publike.

 

     Pasojat e këtij shantazhimi janë që nga Kushtetuta e ndikuar, më saktë, e hartuar nga Ahtisari; 6 pika e Baki Munit; të cilat nuk u shkrinë kurrë, as pas premtimit të Edita Tahirit, shelege e Hashimit; decentralizimi me komunat mahalle të Serbisë; Demarkacioni në Debellde, Qafë e Çakorrit dhe Kullë e Zhlebit, duke humbur mijëra hektarë territor tokësor. Dhe, deri ke Asociacioni i nënshkruar nga tandemi Hashimi-Isa dhe të aprovuar nga Parlamenti-kukullë i mbretit të pakurorëzuar, Hashim Thaçit. 

 

     Historia politike e këtij gjysmë-shekulli të fundit, na ka mësuar se për vendimet e "kategorisë së rëndë", prijnë Republikanët amerikanë. Emigracioni i hershëm në SHBA, kryesisht, nga jugu i Shqipërisë, ishte ekonomik. Ndërsa nga vitet `40 të shekullit 20-të në "tokën e premtuar", në vendin e shpresës, në Amerikë, u dyndën refugjatët, ikanakë politikë, nga regjimi komunist-stalinist e fashist, të agjentit jugosllav, Enver Hoxha. Ata, në shumësinë e tyre ishin me të djathtën Perëndimore, pra, me Republikanët.

 

     Pas pluralizmit në Shqipëri, në Amerikaën e largët "u përzie gjithfarë ujemi",- siç shprehen mullixhinjtë për drithërat e bluar. Shqiptarët e mençur atje, i kanë ndarë rolet, djathtas, por edhe majtas, për të qenë në rregull me ligjet vendore dhe dy blloqet politike kryesore. Emigracioni shqiptar amerikan, qenë hatëruar në Amerikën, pse i la shqiptarët e gjorë nën thundrën sllaviste të stalinistit Enver Hoxha!

 

     Në prag të përmbylljes të shekullit 20-të, bota demokratike, e prirë nga Amerika e "Statuja te Lirisë", çliroi Kosovën me zjarr e hekur. Pas afro një shekulli  robërie serbo-sllave, një pjesë e Dardanisë, Kosova, fitoi lirinë e dhuruar.  Franca, aleate e hershme e Serbisë, nuk e harroi zanatin e vjetër të tradhtisë ndaj shqiptarëve. Me ushtarë e saj mbi Urën e Ibrit, provoi ta bënte hisedare Serbinë, në një pjesë të territorit të Kosovës. Falë Amerikës, po dështon.

 

     E mirëpritem ardhjen në krye të Amerikës, Presidentin Joe Biden, sepse përmes djalit tij, dikur, ushtarak në Kosovë, me dhimbje, tani, i amshuar, në kujtim të tij është ngritur një memorial dhe një rrugë që mban emrin e tij në Ferizaj. Madje, Biden kishte qenë nën-president përgjatë kohës së luftës të Kosovës. Edhe pse kishim shpresa dhe pritshmëri të mëdha, diçka, nuk funksionoi. Pa e fshehur të vërtetën, u zhgënjyem. Nga premtimi njohje reciproke, Kosovë-Serbi, pazari zbriti në njohje teknike. Dhe, së fundi kërkesa degradoi në "normalizim të marrëdhënieve dypalëshe"! Fshatarët jugorë të Shqipërisë londineze, për raste të ngjashme, e kanë një shprehje, paksa, pezhorative, "pordhë me rigon"! Çuditërisht, personeli i ambasadës, por sidomos emisarët që vinin nga Amerika, herë pas here, rastisnin dhëndurë të Serbisë ose miq të kishës serbe! Ndonjëri syresh na shantazhonte, deri në kërcënim! Megjithatë, presidenti Biden, mbetet figurë politike e respektuar nga shqiptarët. Mosha dhe shëndeti, duhet mirëkuptuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".