
Lexoni edhe:
E konstaton analisti: Qytetarët e Kosovës tashmë janë lodhur me hipokrizinë e partive opozitare
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Bllokada e koordinuar nga opozita e bashkuar, për të penguar zgjedhjen e organeve të Kuvendit dhe pengimin e krijimit të Qeverisë, pra, të institucioneve kryesore të legjislativit dhe të pushtetit, nuk është thjesht luftë kundër një subjekti politik apo lideri partiak, por tejkalon përmasën e gabimit të liderëve të opozitës. Sepse ky qëndrim bojkotues e bllokues është vepër kriminale e liderëve të opozitës dhe lidershipit, që nënkupton eksponentët kryesorë dhe strukturat e partive politike.
-Në Kosovë ngatërrohet gabimi me fajin, krimin. Sepse gabimi qortohet, kurse faji, krimi penalizohet, dënohet. Prandaj, një shtet ligjor duhej ta trajtonte me emërtimin adekuat – krim kundër institucioneve shtetërore. Aq më parë që strategjia e bllokimit ishte kërkesë e drejtpërdrejtë e Beogradit zyrtar, për ta destabilizuar Kosovën.
Dëmi i shkaktuar është shumëdimensional, si rrjedhojë e një strategjie të gabuar, natyrisht edhe kriminale, e liderëve të opozitës së bashkuar, me prapavijë destabilizimin e shtetit. Andaj, kjo e vërtetë u zbulua me kohë, në saje të angazhimit të agjentëve të Tiranës zyrtare dhe të Beogradit zyrtar, me akuza të sajuara dhe shpifje monstruoze kundër pozitës, të cilat lukunia e gazetarëve dhe e “analistëve” i mbllaçitnin. Porositë e liderëve profanë të opozitës e fundosën në humbje të turpshme vetveten.
Bllokada e opozitës ishte banale, qëllimi ishte i qartë: humbjen me votën zgjedhore ta kompensonin në tavolinë, duke përdorur bojkotin në bllok të opozitës së bashkuar humbëse. Por, pazari ishte bërë pa hanxhinë.
Strategjia bllokuese nisi para fitores së 9 shkurtit 2025, kur filloi krijimi i institucioneve shtetërore:
Refuzimi i opozitës për pjesëmarrje në seancat kuvendare, gjë që pamundësonte miratimin e buxhetit shtetëror. Me këtë mungesë kërkohej të shkaktohej krizë financiare, deri në bllokim të funksionimit të institucioneve shtetërore; pamundësia e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare; marrëveshja me Bankën Botërore dhe Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, të cilat së bashku arrinin një miliardë euro; bllokimi i krijimit të Qeverisë.
Kolapsi shtetëror mund të prodhonte pakënaqësinë e qytetarëve, të popullit. Ky ishte projekti i opozitës destruktive të Kosovës, me bekimin e boshtit koordinues Prishtinë–Tiranë–Beograd, sepse e gjithë propaganda trinome ishte e njëzëshme: largimin e Albin Kurtit me LVV-në e tij, për ta realizuar premtimin e Hashimit për “lënien e veriut të Kosovës Serbisë”, përkatësisht ndarjen e Kosovës, siç ngulmon Baton Haxhiu dhe dostat e Hashim Thaçit, në këmbim të lirisë.
Shpëtimi i vetëm ishte ndërgjegjësimi i popullit, verdikti i tij, sepse ka ikur koha e hajvanatit. Populli i Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë tashmë janë shkolluar, dinë ta vlerësojnë të mirën dhe ta ndëshkojnë të keqen. Dhe rebusin e zgjidhën më 28 dhjetor 2025, me votën e tyre të lirë e demokratike, se kush duhet të vazhdojë ta udhëheqë Kosovën. Të gjitha parashikimet e “analistëve” dhe gazetarëve mercenarë, horra e zuzarë, dështuan me turp.
Opozita e ndërkryer për pushtet, në tufëzim blegtoral, nuk u merakos fare që po i dërgonte shqiptarët e Kosovës dhe të mërgatës në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke dëmtuar miliona nga buxheti shtetëror, shumë mijëra ditë pune të humbura, duke llogaritur mijëra punonjës të angazhuar në fushatë dhe procese të tjera zgjedhore. Një çoroditje kolektive alla shqiptarçe.
Pozita nuk kishte alternativë: ose të rezistonte nën sloganin e nënës plakë nga Qyshku i Pejës, por lexuese e vullnetshme romanesh: “Albin, djali i jem, mos lësho pe, edhe unë e para me ty”, ose të dorëzonte përdhunshëm pushtetin e fituar me votën demokratike, duke e përdhosur dhe tradhtuar vullnetin e shprehur të popullit votues.
Realisht, në tri palë zgjedhjet e fundit, populli i Kosovës, në shumësinë e tij, ka refuzuar, madje ngulmërisht, “komandantët” profanë e mujsharë, të vrazhdët e zullumqarë, të cilët për dy dekada radhazi i bënë gjëmën Kosovës me krime vrastare, hajni zyrtare, haraç të përgjakshëm, makrokontrabandë me bandën e veriut dhe gjithë katalogun e të zezave të kësaj bote.
Liderët e opozitës, sidomos ata të PAN-it, vuajnë nga sindroma e komunizmit. Edhe pas pluralizmit politik në Shqipëri, mediat, në përgjithësi, shoqëria civile dhe organizatat e tjera joqeveritare, e majta shqiptare i përvetësoi si pronë të vetën dhe vazhdon t’i përdorë edhe sot si paterica të mbajtjes së pushtetit. Ato janë klientelë jo vetëm propaganduese, por edhe elektorale të subjekteve politike majtiste. E majta e Kosovës trashëgoi dhe kopjoi anët më të errëta të monizmit nga regjimi fashizoid i filosllavit Enver Hoxha, përfshirë edhe vrasjen e kundërshtarëve politikë, për ta marrë pushtetin me dhunë e përgjakje.
Liderët e opozitës u bazuan shumë në propagandën e organizuar të opozitës, me shpifje pa doganë fare, në stilin monist, me moton makiaveliste “shpif, shpif, se diçka mbetet”. Ata koordinuan rrjetin propagandistik kundër pozitës, duke e shtrirë nga Prishtina në Tiranë dhe Beograd. Qëllimi i bashkonte heqja qafe e Albin Kurtit me LVV-në e tij. Qendra propagandistike u vendos në Tiranë, e kryesuar nga Baton Haxhiu, agjent i trefishtë, këshilltar i trinomit: Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.
Shefit të qendrës, Haxhiut, Tirana zyrtare ia dorëzoi gazetën Albania, ku punësoi llumin e “analistëve” të Kosovës, të cilët i instruktoi për intensifikimin e propagandës shpifëse, për denigrimin deri në fund të Kurtit. “Aferat”: Martin Berisha, Gani Jakupi, Mimoza Kusari-Lila, Faton Peci, kontrata me Vuk Hamoviq, përgjatë mandatit të qeverisë Kurti II, ishin tema refren e gjithë botës mediatike të opozitës majtiste PAN-iste. Strategjia e liderëve të PAN-it, e mbështetur në propagandë pa mbulesë dhe boshe, u rrëzua si një kështjellë prej kashte.
Koha e monizmit ka perënduar dhe fjalën e lirë mund ta përdorë edhe opozita, ashtu edhe pozita, pa pësuar dajakun e burgun si më parë. Përmendim një rast fort të zhurmuar nga opozita destruktive e shpifëse, domethënës dhe përfaqësues edhe për “aferat” e tjera të përmendura në këtë shkrim, atë të kontraktimit të energjisë me biznesmenin serb Hamoviq: deputeti-pedagog Armend Muja, me dokumente faktike, demantoi bindshëm gjithë zhurmën e çakorduar të opozitës, me lakejtë e saj “analistë” dhe gazetarë mercenarë. Sepse pazarin e blerjes së energjisë elektrike nga serbi Hamoviq e kishte filluar një dekadë e gjysmë më parë qeveria e Hashim Thaçit.
Gabimi, më saktë faji fatal i liderëve të opozitës, ishte mbështetja pa rezerva e tyre te propaganda e agjentit Baton Haxhiu, me këlyshërinë e tij lehaqene, e cila nuk funksionoi sipas llogarive të opozitës. Përkundrazi, propaganda e sforcuar shpifëse e “analistëve” dhe gazetarëve mercenarë, tashmë të urryer në gjithë shqiptarësinë botërore, iu kthye në bumerang dhe thelloi humbjen e përsëritur. Për këtë e kishim paralajmëruar më se një herë opozitën kryeneçe dhe megalomane.
Ndërsa LDK-ja është viktimë e klanit të Isa Mustafës, të shantazhuar nga SHIK-u, i cili e katapultoi kreun e klanit në krye të LDK-së. Ky klan nuk e ka forcën dhe guximin qytetar për t’u shkëputur nga tutorja e saj, PDK-ja, e cila e tërheq zvarrë drejt humnerës. Aleanca me PDK-në, me një barrë mëkatesh kriminale, përmes klanit Mustafa në kryesi dhe grupit të deputetëve, e ka futur LDK-në në ingranazhin e saj dhe vazhdon t’i sjellë humbje të përsëritura, me rrezik fundosjeje e shuarjeje.
Vetëm një Kuvend i Lidhjes Demokratike, vërtet demokratik partiak, pa statutin e pistë me klauzolën e shtuar 50+1 për ta fituar të drejtën e konkurrimit për kryetar, do të mundësonte zgjedhje dinjitoze dhe shpresë për nismën e ngritjes së LDK-së.
50+1-shi dhe votimi aklamativ, fiktiv, i rremë, pra i hapur me ngritje dore, është pjellë e Isa Mustafës me klanin e tij, për ta vazhduar mandatin rrënues të LDK-së. Përmendja e kësaj shifre fatale nga kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, për të drejtën e konkurrimit për kryetarin e partisë, është një ogur i keq për LDK-në dhe shuan shpresën e riorganizimit të mirëfilltë të partisë, për t’u ribërë sërish konkurrente serioze në skenën politike të Kosovës. Mos vallë kryetar Lumiri, në ikje e sipër, ka vendosur ta përmbushë amanetin e ustait të tij, Isës, shuarjen e LDK-së, partisë dikur famoze të Presidentit Rugova. Uroj që në gatimin e kësaj çorbe të thartuar të mos jenë kuzhinierë kryesia dhe strukturat e LDK-së.
Opozita e përsëriti humbjen e thellë në përballjen votuese me pozitën. Pas këtij debakli meritor, kërkohet reflektim dhe ndryshim i thellë për të arritur rikthimin në pushtet në të ardhmen. Dhe kjo nuk bëhet me korrigjime e retushime anësore, por me bisturi kirurgjikale, sepse sëmundja e opozitës është kanceroze. Këtë e dëshmojnë listat e kandidatëve për deputetë, për më keq edhe disa nga deputetët e zgjedhur. Mjerim dhe provokim i rëndë i shqiptarëve, për t’i dëgjuar e parë fytyrat e krimeve, hajnive zyrtare, haraçit, kontrabandës dhe të zeza të tjera. Për çudi, ata figurojnë në dhjetëshen e parë të listës emërore. Pse vallë nuk renditen emrat sipas alfabetit?
Pastrimi i partive politike nga elementë të kriminalizuar, nga baza deri te organet qendrore, përmes kuvendeve të jashtëzakonshme partiake zgjedhore, është urgjencë e kohës. Votimi i fshehtë dhe kurrë aklamativ, i hapur, është veprimi i duhur. Sepse votimi i hapur, me ngritje dore, është metodë dhe praktikë komuniste e fashiste, e përdorur nga diktatorë kriminelë si Stalini, Hitleri, Enver Hoxha, Pol Poti me llojin e tyre, të cilët donin të sundonin deri në ngordhje. Mjerisht, Kuvendi i Kosovës e shkeli Kushtetutën, duke mohuar turpshëm e kriminalisht votimin e fshehtë në zgjedhjet kuvendore dhe të qeverisë, duke e dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
E kuptoj hezitimin e partive opozitare për organizimin e kuvendeve zgjedhore të mirëfillta demokratike, sepse krerët e tyre do të seleksionoheshin të parët. Zgjedhje të tilla, me debate dhe analiza, duke i vënë në provë me kundërkandidatë, do të ishin terapia e duhur, jo vetëm për ringritje të afërt, por edhe profilaksi për të ardhmen, duke mbrojtur partinë nga infektimi deri në kontaminim e helmim.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".