Nënshkrimi i ligjit për Mbrotjen nga Trump, domethënës për sigurinë e Kosovës
Idriz Zeqiraj
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Nënshkrimi i ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, nga Presidenti Trump, ku përfshihet edhe Kosova, padyshim është i një rëndësie të veçantë historike. Pas një bjerrakohe prej një çerek-shekulli, më në fund, Kosovës iu dha drita e gjelbër, për të dalë nga kurthi i ngritur nga disa bijë bastardë të saj, në koordinim me disa shtete armike dhe Serbinë.
Për çudë, edhe ashtu të lodhur, e donim Biden dhe frikësoheshim nga presidenti në ardhje Trump. E quanim të paparashikuar dhe sidomos pazaret me Putinin, për Ukrainën, na frikësuan, deri në ëndrrat tmerruese! Prof. Dr. Sali Berisha është intelektual kalibri, bollshëm i shkolluar, pa çka se e ka mundur e keqja."Kur të hypë i ligu në shpinë, nuk dinë se kur është boll",- thonin pleqtë. Profesor Berisha e quajti Presidentin Trump, "mik për kokë" të popullit shqiptar, një burrështetas, i cili do të bëjë mrekullira, jo vetëm për botën, por edhe për Kosovën. Zëri i Doktorit në vesh të Perëndisë! Dhe, kështu po ndodhë, realisht.
Kthimi i Presidentit Trump në udhëheqjen e SHBA, ishte i frikshëm, sepse proklamoi se "Amerika duhet të punojë vetëm për mirëqenien e amerikanëve". Ai reduktimin e ndihmave në shkallë të gjerë, rritjen e tarifave doganore tregtare, përfshi edhe aleatët e tij strategjik. Atë kohë, një shkrim timin e titullova: "Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë me hu në krah"! Disa miq më ngushëlluan, duke më thënë se forca e Amerikës janë pikërisht popujt dhe kombet anekënd botës. Dhe, vërtet, në orbitën e saj qenka edhe Kosova jonë.
Nënshkrimi i ligjit federal nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, është risia më unike në historinë e të gjitha kohërave. Në veçanti, vlerë shtesë merr për garantimin e shteteve dhe të popujve të vegjël, të cilët kanë nevojë për mbështetjen dhe mbrojtjen e vendit, nga shtetet diktatoriale dhe me pretendime pushtuese të fqinjëve të tyre. Shembull konkret është Serbia agresore, e cila, i lakmon Rusisë ekspansioniste, për krijimin e "botës ruse". Qëllime identike ka edhe Serbia, me sloganet për "Serbinë e Madhe" dhe "botën serbe"!
Serbia me orekset e saj pushtuese, pretendon aneksime të territoreve jashtë kufijve të saj shtetëror ku jetojnë serbët, me sloganin e njohur, të trashëguar nga etërit e saj racistë, se "Vetëm bashkimi i serbëve shpëton Serbinë", kërcënon Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Dhe, në këto ëndërrime pushtuese, frymëzimin e merr nga Rusia edhe shpresat i mbështetë tek fuqia e saj ushtarake.
Ligji federal amerikan përfshinë garancitë parësore për Kosovën, në kuadrin e Ballkanit:
1) Nuk lejohet ndryshim kufijsh në rajon;
2) Nuk lejohet ndarja e shteteve mbi baza etnike;
3) Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të rezultojë me njohje reciproke;
4) Zgjerimi i NATO-s në Ballkan, do të vazhdojë edhe me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike.
Me ligjin e nënshkruar nga presidenti Trump për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, paralajmërohen diktatorët dhe "pazarxhinjtë pa hanxhinë", që nga kërkesat e Thaçit, Ramës, Vuçiqit, të bërë shefit të Sigurisë amerikane, Bolton, që kishin për qëllim, nën maskën e "Shkëmbimit të territoreve", të realizohej ndarja e Kosovës, në këmbim të lirisë personale të Hashim Thaçit, i akuzuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Përgjigjia e Bolton ishte aprovuese: "Administrata amerikane pajtohet, për çfarëdo që të bini dakord ju"! Por, Trump e akuzoi vartësin e tij se "ke dashtë ta ndaje Kosovën prapa shpinës time" dhe e shkarkoi atë.
Me ligjin në fjalë presidenti Trump u jep përgjigjen ultimative, që nga Grenelli i tij; argatëve të Hashimit në kryesinë e PDK-së dhe PANI-istët tjerë; Edvin Ramës; Vuçiqit me Serbinë e tij dhe Putinit me Rusinë e tij. Në ketë rreth destruktiv bënë pjesë edhe BE-ja, e cila përmes përfaqësuesve të saj që nga Mogherini, Borrell e Lajçak, por edhe të disa emisarë amerikanë, kanë mbështetur dhe përkëdhelur zëdhënësin e luftës të Millosheviqit në Kosovë, racistin Aleksander Vuçiq.
Me nënshkrimin e ligjit të ri të Trumpit, po konsiderohet si forcë politike, sigurie dhe gjeostrategjike. Madje nuk është deklaratë e thjeshtë, por lëndëzohet me garanci ligjore federale. Dialogu nuk ka më hamendësime, bien poshtë draft-statutet e BE-së, Macron-Scholz, Escobar dhe të tjerë. Hapësira e dialogut reduktohet me përfundimin e procesit për njohjen reciproke. Përjashtohet mundësia e lojërave të ndyra të Vuiqit, për dialog në zyre dhe provokime e tensione në veriun e Kosovës.
Ligji fedaral i Trump besoj se do të lehtësojë çështjen e krijimit të Asociacionit, i cili i rrinë mbi qafë "si shpatë e Demokleut" popullit të Kosovës për 10 vjet radhazi. Bazuar në atë që i ndodhi Bosnjes, me Asociacionin e 14 komunave serbe, prej nga lindi "Republika Srpska" atje dhe entusiazmin që treguan serbët e Ballkanit, duke festuar krijimin e "Republlika Srpska" të dytë në Ballkan. Personalitete amerikane, evropiane dhe botërore, e këshillojnë Kosovën të mos e krijojë asnjë lloj Asociacioni, qoftë me apo pa kompetenca, sepse është kancer për Kosovën. Asociacionet ligjore janë vetëm ai i tipit që e ka Kosova aktualisht.
Nënshkrimi i ligjit nga Presidenti Trump, për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, ku përfshihet edhe Kosova, është rast paparaprijës, për nga rëndësia madhore që ka për kushtet dhe rrethanat e Kosovës të sotme. Mirëpritja e këtij ligji nga shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm, kalon çdo përmasë normale. Pozitiviteti i këtij ligji është shumëdimensional, sepse përfshinë zgjidhjen e shumë çështjeve kruciale, që Kosova i ka përpara për zgjidhje.
Pas një çerek-shekulli shqiptarët e Kosovës dhe ata të botës të kudondodhur, e gëzuan frymëmarrjen dhe buzëqeshjen e lirë, të cilën ua kishin ngrirë në buzë Serbia dhe disa bijë bastardë të Kosovës, agjentë të hershëm të Shërbimeve Informative të huaja armike, si dhe disa zyrtarë BE-së dhe ndërkombëtar të tjerë, të blerë si mercenarë nga Serbia. Të gjithë, si ne kor bretkosash, duan ta bëjnë hisedare Serbinë në Kosovë, edhe pse Amerika me aleatë të NATO-paktit e shporri soldateskën kriminale serbo-sllave, me Apaçët e saj luftarakë.
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare thekson fort parimin e mos ndryshimit të kufijve dhe sidomos mos ndryshimin e tyre mbi bazën etnike. Kjo është bazë sidomos për Ballkanin e mbetur me probleme, "si fuqi baruti" përtej një shekulli. Mbi bazën etnike nuk mund të këtë kriter që prek territoret, as institucionet, aq më pak kompetencat politike, për të cilat shkumon përnatshëm dhe përditshëm "analisti" sharlatan Halil Matoshi, me zuzarë të tjerë, duke u thirrur në Kushtetutën e Ahtisarit, të cilat nuk janë të fiksuara, përveç se i kërkon Serbia paushall. Krejt në një linjë me Serbinë dhe Borrell-in, kur për hatër të Vuçiqit kërkonte ndryshimin e Kushtetutës të Kosovës. Sipas tij "ajo nuk është as Bibël dhe as Kuran"! Ligji i Presidentit Trump, është edhe në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, sidomos në trajtimin e çështjeve etnike.
Ligji parashikon rritje të investimeve strategjike ekonomike. Ligji është paralajmërim për aktorët destabilizues, sidomos për Serbinë dhe Rusinë. Kjo është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan. Çdo tentativë destabilizuese nuk shihet si problem lokal, por si sfidë ndaj interesave amerikane dhe NATO-s. Në ketë rast aludohet edhe për garancinë e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës.
Ligji është i një rëndësie supreme, sepse është akt federal detyrues dhe pasqyron konsensusin e plotë të aparatit shtetëror amerikan, për arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është arritje dhe dhuratë e artë për Kosovën tonë. Urojmë ta vlerësojë dhe shfrytëzojë me mirënjohje kulmore pushteti dhe shteti i Kosovës!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
