
Lexoni edhe:
Paralajmëron analisti: Nëse në mars Vjosa Osmani nuk rizgjidhet Presidente ja çka do të ndodh me Kosovën
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Unë nuk mendoj se rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit reflektojnë një ndryshim të thellë të preferencave të votuesve të Kosovës. Kjo votë është votë e mllefit të krijuar brenda një viti për moskonstituimin e Parlamentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
-Në mungesë të një partie të re politike në Republikën e Kosovës, këto vota të mllefit të popullatës i janë rikthyer VV. Në këtë prizëm, VV-ja ka arritur që opozitën ta bëjë fajtore për moskonstituimin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, kurse fajtorë kanë qenë të gjitha partitë politike dhe faji është ndarë barabartë sipas përqindjes që kanë fituar në zgjedhjet e kaluara.
Partitë që nuk arritën të tërheqin mbështetje më të gjerë duhet të bëjnë një reflektim politik dhe t’i angazhojnë ekspertët e tyre për të analizuar se si mund t’i ringrisin partitë e tyre. Rënia dhe ngritja e partive politike nuk ndodhin vetëm në Kosovë, por kjo ndodh edhe në Evropë dhe Amerikë. Por në Kosovë është një fenomen shumë interesant, i cili shkon jashtë trendit të politikës evropiane dhe asaj amerikane. Dhe deri sa në Evropë dhe Amerikë, në këtë periudhë kohore, janë në rritje partitë e djathta politike, qoftë ato të qendrës së djathtë, qoftë ato të ekstremit të djathtë, në Kosovë rritje po bëjnë partitë e majta.
Konkretisht, një parti e majtë politike, VV, ka arritur të marrë një rezultat të shkëlqyeshëm, duke marrë gjysmën e votave të elektoratit në Republikën e Kosovës. Kjo po ndodh për shkak se në Kosovë kemi mungesë të një partie të djathtë nacionaliste shqiptare, siç janë ato parti politike që po vijnë në Evropë dhe siç është edhe partia Republikane e Donald Trump. Por mendoj se edhe në Republikën e Kosovës, së shpejti do të themelojmë një parti të djathtë kombëtare shqiptare, e cila, në mënyrë shumë të shpejtë, do të fitojë mbështetje nga elektorati shqiptar dhe do të jetë në krah të partive të djathta evropiane dhe atyre amerikane.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".