Magjistralja Podujevë - Prishtinë (Gojëdhena e urës se shenjtë)

Magjistralja Podujevë - Prishtinë  (Gojëdhena e urës se shenjtë)
Magjistralja Podujevë - Prishtinë  (Gojëdhena e urës se shenjtë)

Ismail Muçiqi

  • 14 January 2026 - 13:23

Shkruan Ismail Muçiqi.

Po hyjmë në vitin e tretë që nga fillimi i punimeve për ndërtimin e 18 kilometrave të rrugës magjistrale Podujevë – Prishtinë, projekt ky i cili ende nuk po arrin të përfundojë. Qytetarët e Llapit, ku pjesa dërrmuese punojnë dhe zhvillojnë aktivitet biznesor në Prishtinë, po përballen çdo ditë me rreshta të gjatë dhe bllokada të vazhdueshme të rrugës në fshatin Vranidoll, aty ku ende ka mbetur pa u ndërtuar ura. Për këtë gjendje askush nuk po e qan hallin. Ngasësit e automjeteve, të detyruar nga vonesat, po vrapojnë duke i tejkaluar të gjitha rregullat e komunikacionit, duke krijuar tri kolona paralele dhe duke tentuar në çdo mënyrë të depërtojnë për të arritur në vendet e tyre të punës në Prishtinë.

Kjo situatë është e pafalshme, pasi çdo ditë qytetarët janë të detyruar të qëndrojnë në kolona, duke humbur së paku një orë shtesë për shkak të këtij kaosi urbanistik dhe institucional. Vlen të theksohet se vetëm gjatë javës së kaluar, tri herë kam njoftuar Qendrën e Thirrjeve të Policisë së Kosovës për këtë problem, duke kërkuar ndërhyrjen e patrullës së policisë së trafikut, e cila është e caktuar për rrugën magjistrale Podujevë – Prishtinë, me qëllim të menaxhimit të kësaj pike tejet problematike. Mjerisht, edhe pse zyrtarët e qendrës së thirrjeve kanë premtuar se do ta njoftojnë patrullën përkatëse, deri më sot asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret. Kjo situatë po u shkakton probleme të shumta ngasësve dhe udhëtarëve, ndërsa në momente të caktuara po krijohen rrethana që mund të çojnë në konflikte serioze apo edhe në ngjarje me pasoja të rënda e fatale ndërmjet qytetarëve. Qytetarët e Llapit tash e më shumë se dhjetë vjet po përballen me dështimin e projektit të rrugës magjistrale Podujevë – Prishtinë, si pasojë e neglizhencës së institucioneve, përfshirë edhe ish-qeverisjen komunale të Podujevës, e cila nuk bëri asgjë për ta zgjidhur këtë nyje jetike të udhëtimit të përditshëm të njerëzve, të cilët nuk janë fajtorë, por po vuajnë nga papërgjegjësia e institucioneve qe deshtuan. Nuk ka asnjë dilemë se kjo rrugë tashmë është shndërruar në një problem serioz dhe me plot të drejtë qytetarët e quajnë “gojëdhëna e urës së shenjtë”. Përveç shpenzimeve të mëdha nga amortizimi i automjeteve dhe humbjes së kohës në orët e paraditës, në këtë nyje kritike në fshatin Vranidoll është pothuajse e pamundur të sigurohet kalimi i shpejtë për autoambulancat, duke rrezikuar seriozisht jetën e të sëmurëve që duhet të dërgohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Andaj, kompanitë e kontraktuara që nuk kanë qenë në gjendje të ndërtojnë një rrugë prej vetëm 18 kilometrash duhet patjetër të sanksionohen në përputhje me ligjet dhe normat në fuqi. Për këtë situatë problematike përgjegjësi mban edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili në mënyrë perfide u tërhoq nga përgjegjësia duke dhënë dorëheqje, pa dhënë llogari ndaj qytetarëve dhe institucioneve shtetërore. Në fund, përgjegjësia kryesore mbetet mbi kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Ministrin e Transportit, Hysen Durmishi, si dhe Ministrin Xhelal Sveçla, që sa më parë të merren seriozisht me këtë problem madhor, për t’u mundësuar qytetarëve qarkullimin normal në këtë rrugë magjistrale, e cila për këtë gjendje dramatike nuk ka asnjë justifikim.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".