Nëse partitë opozitare nuk pranojnë të bisedojnë me VV-në, dëshmojnë arrogancë dhe papërgjegjësi
Xhevat Meha
Shkruan: ANALISTI-Xhevat Meha
Ende pa u krijuar qeveria e re pas votimeve të 28 dhjetorit, në rend të ditës po vjen zgjedhja e Presidentit/tes. Është një pozicion interesant, shumë i rëndësishëm për votuesit, por edhe me shumë interes si për VV-në, që doli me mbi 50% të besimit, ashtu edhe për partitë opozitare që dolën humbëse.
-Vjosa Osmani nuk pres që të vazhdojë me mandatin e dytë. Deklarimet politike të përfaqësuesve të partive opozitare tregojnë se nuk janë të gatshme për t’ia vazhduar mandatin. Kjo e bën të domosdoshme të gjenden alternativa të tjera. Po ku qëndron interesi qytetar në këtë? Interesi qytetar në përgjithësi, por edhe i shumicës së votuesve të VV-së në veçanti, është që të ketë një marrëveshje politike dhe të mos ketë bllokada sërish.
Ky interes i votuesve do të plotësohej nëse VV-ja parashtron kërkesë ndaj partive opozitare për t’u ulur e për të biseduar. Nëse VV-ja nuk parashtron kërkesë ndaj partive opozitare, dëshmon arrogancë dhe papërgjegjësi. Nëse partitë opozitare nuk pranojnë të ulen e të bisedojnë me VV-në, dëshmojnë arrogancë dhe papërgjegjësi. Nëse eventualisht palët ulen për të biseduar, atëherë cilado palë që këmbëngul në kërkesa jorealiste dhe në kundërshtim me vullnetin e votuesve, dëshmon arrogancë dhe papërgjegjësi. Besoj se partitë politike, përfshirë VV-në, kanë mësuar nga votimet e fundit se ka ndëshkim nga votuesit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
