A u pordhos kredibiliteti i zgjedhjeve në Kosovë?
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi
Nuk jemi të sinqertë nëse nuk e themi të vërtetën se që nga çlirimi i vendit dhe Shpallja e Pavarësisë, timonin e shtetit e morën njerëz dhe grupe interesi, të mbështjellë në të ashtuquajtura parti politike, të cilat për vite me radhë ia kanë shtrënguar lakun rreth qafës shtetit të Kosovës. Faktet dëshmojnë se sa herë që janë mbajtur zgjedhjet lokale apo ato nacionale, në emër të demokracisë kanë vazhduar manipulimet, keqpërdorimet, shantazhet dhe format e tjera abuzive nga grupe të interesit, të cilat asnjëherë nuk kanë arritur ta kuptojnë se qytetari i ndershëm i ka braktisur prej kohësh. Tani, kur i gjithë populli po pret formimin e institucioneve të shtetit – institucione që u bllokuan nga mafia politike brenda Komisionit Zgjedhor dhe në Qendrën e Numërimit të Votave – po vijnë lajme tronditëse për abuzimin e votave të kandidatëve për deputetë të Republikës së Kosovës, duke e befasuar dhe alarmuar opinionin publik. Këto veprime antiligjore dhe antishtetërore, me pasoja të rënda për vendin, janë të papranueshme dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente ligjore, morale dhe institucionale nga organet që përfaqësojnë shtetin dhe flasin në emër të tij, në mënyrë që këto keqpërdorime të zbardhen sa më parë, sepse po e turpërojnë rëndë Republikën e Kosovës.
Ende i kemi të freskëta zgjedhjet e vitit 2010 për Parlamentin e Kosovës, kur ndodhën vjedhje industriale të votave – një ngjarje që u krahasua me trenin famëkeq “bullgar”. Është domethënëse se edhe kësaj radhe, sipas raportimeve të mediave që thirren në Qendrën e Numërimit të Votave pranë KQZ-së, nga kutitë e përfunduara të numërimit po dalin diferenca marramendëse të numrit të votave për kandidatë të caktuar, në krahasim me rezultatet e shpallura vetëm pak ditë më parë nga Komisioni Zgjedhor. Është e paimagjinueshme që një kandidat për deputet, i cili fillimisht kishte rreth 7 mijë vota, pas rinumërimit të bjerë në 3 mijë vota. Ky rezultat absurd duhet të trajtohet si rast sui generis nga KQZ-ja dhe organet kompetente, duke kërkuar hetim dhe analizë të thelluar shtetërore. Sipas informatave që po qarkullojnë në media, deri më tani dyshohet se janë manipuluar rreth 20 mijë vota të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Mjerimi më i madh që na përcjell prej vitesh është fakti se askush nuk skuqet dhe askush nuk merr përgjegjësi për gabimet apo dështimet që ia shkakton institucionit apo shoqërisë në përgjithësi. Kjo mendësi e kësaj politike qorre të këtyre njerëzve që përfaqësojn të ashtuquajturat parti politike tani si agjend i kanë dhënë veti të drejtë që në qdo mënyrë ta bllokojn zgjedhjen e Presidentës Vjosa Osmani në krye të Shtetit të Kosovës. Shtrohet pyetja e natyrshme: si është e mundur që në një komunë, ku në listën për deputetë të Parlamentit të Kosovës janë vetëm katër kandidatë, pas rinumërimit të votave të ketë dallime deri në një mijë vota më shumë apo më pak? Nuk ka asnjë logjikë që kryetarët e komisioneve të partive politike – përgjegjësit kryesorë për numërimin e votave – të mos jenë në dijeni për atë që ka ndodhur para syve të tyre. Raportet që po dalin nga procesi i rinumërimit po dëshmojnë se zgjedhjet e fundit për deputetë të Parlamentit të Kosovës, përkatësisht disa parti politike, kanë vepruar sipas skenarëve të përgatitur mirë për abuzim masiv të votave. Edhe më herët kam shkruar se Komisioni Zgjedhor e ka humbur kredibilitetin, duke dështuar vazhdimisht në organizimin, menaxhimin dhe përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor brenda afateve të arsyeshme dhe të pranueshme për qytetarët. Ky institucion duhet sa më parë të japë dorëheqje dhe të mbajë përgjegjësi publike dhe ligjore para qytetarëve, derisa nuk është bërë tepër vonë. Nuk ka dyshim se në shumë institucione të shtetit kanë depërtuar individë që nuk përmbushin asnjë kriter profesional, politik apo shkencor për t’i sjellë ndonjë të mirë Republikës së Kosovës. Askënd tjetër nuk mund ta fajësojmë për dështimet, hilet dhe obstruksionet që, për interesa personale dhe partiake, po ia shkaktojnë vendit. Ajo që po i ndodh Republikës së Kosovës që nga shkurti i vitit të kaluar – me bllokimin e konstituimit të Parlamentit, të Qeverisë dhe tani me shpërthimin e aferës në Qendrën e Numërimit të Votave për deputetë – po e zbeh rëndë imazhin e shtetit dhe të popullit të tij. Në fund, është turp për të gjithë ata që kanë manipuluar me votën e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, qytetarë që nuk meritojnë të përballen me klane dhe rryma destruktive që vazhdojnë me vetëdije ta dëmtojnë Kosovën. Çka të themi në fund?
Më thotë mendja se, fatkeqësisht, u bëmë gaz para Botës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
