Në kushtet e polarizimeve aktuale partiake, është vështirë të realizohet zgjedhja e presidentit pa konsensus ndërpartiak
Idriz Zeqiraj
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Politikanët e Kosovës kanë pasur mundësinë ta ndryshojnë kapitullin kushtetues të zgjedhjes së Presidentit, nga vota aktuale e deputetëve, në votë të drejtpërdrejtë të popullit. Kishte mundësi ta bënin këtë, duke i bindur ndërkombëtarët se kjo nuk do të cenonte asnjë të drejtë të pakicave, pasi ato nuk kanë pretendime ta realizojnë zgjedhjen e presidentit nga radhët e tyre. Vërtet, Kosova është Republikë Parlamentare, por në Ballkan dhe në Evropë ka shembuj të tillë: edhe pse kanë sistem parlamentar, presidenti zgjidhet nga populli dhe jo nga Parlamenti.
-Mënyra e zgjedhjes së Presidentit nga deputetët, zakonisht, është pazar i pistë, korruptiv dhe i imponuar nga numrat e deputetëve, të cilët, për mospajtime politike, në çdo kohë mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje. Shembull të freskët kemi Kosovën tonë, opozita e së cilës, pa asnjë arsye objektive, kërkon haraç konsensusi, edhe pse nuk ka asnjë argument bindës për ta dëshmuar se Presidentja aktuale është e patejkalueshme dhe përmbush, madje në plotni, të gjithë katalogun e parametrave që kërkon vazhdimin e kryepostit shtetëror.
Kushtëzimi i pajtimit të 80 deputetëve për ta realizuar zgjedhjen e presidentit, nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi, është jologjik dhe shumë shqetësues, aq më parë kur kemi të bëjmë me shtete jo fort emancipuese, me mendësi provinciale ballkanike, të dala nga sistemi komunist dhe shumë të vonuara në shtetësi, me demokraci të brishtë. Andaj, vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë popullore, referendumtare, do të ishte logjike dhe objektive.
Organizimi i zgjedhjeve për presidentin e vendit është një shpenzim dhe stërmundim për qytetarët. Megjithatë, kurrë nuk mund të jetë zgjedhje racionale në raport me një votim gjithëpopullor. Në kushtet e polarizimeve aktuale partiake, është vështirë të realizohet zgjedhja e presidentit pa konsensus ndërpartiak, edhe pse partia fituese ka marrë mbi 51 % të votave, që përkthehen në 57 deputetë, plus 10 deputetë të pakicave.
Kosova ka një opozitë problematike. Për tre deputetë, sa kishte një parti, kërkonte hiç më pak se postin e kryetarit të Kuvendit! Dy parti të tjera e ngritin “pazarin” në marrjen e postit të Presidentit. Përmendëm vetëm rastet e dy posteve më të larta shtetërore, pa hyrë në kërkesat për ministri, zëvendësministra dhe drejtori. Dhe, çfarë i mbetet pozitës me 57 deputetë?!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
