Kosova është e lodhur nga kryeneqësia dhe egoizmi i politikanëve tanë

Kosova është e lodhur nga kryeneqësia dhe egoizmi i politikanëve tanë
Kosova është e lodhur nga kryeneqësia dhe egoizmi i politikanëve tanë

Nue Oroshi

  • 21 January 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Kryetarit të Republikës së Kosovës deri në mars të vitit 2026, kjo tregon qartë një papërgjegjësi politike të partive tona politike. Kosova është e lodhur nga kryeneqësia dhe egoizmi i politikanëve tanë, të cilët në rend të parë e vendosin karrierën e tyre politike më shumë sesa interesin shtetëror. Mendojnë të gjorët dhe të gjorat se ata janë më të mirët dhe nëse ata nuk zgjidhen, ka marrë fund bota. Kosova ecën përpara edhe pa angazhimin e tyre në politikë.

 

 

- Unë nuk po shoh përgjegjësi shtetërore te shumë politikanë tanë. Unë mendoj se kjo nuk do të ndodhë dhe se partitë tona shqiptare janë mbushur mend dhe ato do ta gjejnë zgjidhjen. Një lehtësim mund ta bëjë edhe Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, që, përkundër dëshirës së saj për t’u zgjedhur edhe një herë Presidente, ajo, nëse nuk e ka përkrahjen edhe të opozitës apo së paku të 80 deputetëve, të mos humbë kohë me taktika politike, por të tërhiqet nga kandidimi. Tërheqja nuk është fundi i botës.

Ajo është në moshë relativisht të re dhe, nëse nuk dëshiron të pensionohet politikisht dhe të formojë një fondacion bamirës, siç veprojnë ish-presidentët në Evropë dhe Amerikë, ajo mund të formojë një parti të re politike dhe ta masë peshën e saj politike si kryetare e partisë, për faktin se ende nuk e dimë peshën politike të Presidentes. Ajo asnjëherë nuk ka garuar si kryetare e një partie politike në zgjedhje, por gjithmonë ka qenë kandidate në partitë që i kanë udhëhequr të tjerët, qoftë si kandidate e LDK-së në të kaluarën, qoftë si kandidate e VV-së në një palë zgjedhje. Sido që të jetë, ai president apo presidente që do të zgjidhet nga 80 e më shumë deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës duhet të jetë i pranueshëm dhe Kosova të ecë përpara. Nuk ka luks, Kosova është e vogël që të plotësojë gjithë ato apetite të mëdha politike të shumë politikanëve tanë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".