Kur opozita manipulon votën, pushteti forcohet: paradoksi i vetëshkatërrimit politik

Kur opozita manipulon votën, pushteti forcohet: paradoksi i vetëshkatërrimit politik
Kur opozita manipulon votën, pushteti forcohet: paradoksi i vetëshkatërrimit politik

Arsim Haziri

  • 22 January 2026 - 17:13

Nga Arsim Haziri

Zgjedhjet – qofshin këto të fundit apo ato të kaluara – kanë nxjerrë në pah një të vërtetë të hidhur të skenës sonë politike: problemi kryesor i opozitës nuk është vetëm pushteti, por vetë opozita. Fakti se partitë opozitare janë përfshirë në manipulime me vota, në vend se ta sfidojnë pushtetin përmes ideve, programit dhe besueshmërisë morale, dëshmon për një krizë të thellë politike dhe etike brenda tyre.

Manipulimi i votës nga opozita nuk është thjesht shkelje ligjore apo devijim procedural; ai është akt politik vetëshkatërrues. Në momentin kur opozita bie në të njëjtat praktika që historikisht ia ka atribuar pushtetit, ajo humb çdo të drejtë morale për të folur në emër të demokracisë, drejtësisë dhe ndryshimit. Kështu, opozita pushon së qeni alternativë dhe shndërrohet në problem sistemik.

Garë tmerrësisht e gabuar: lufta brenda llojit-fenomen i quditshëm

Ajo që po ndodh realisht nuk është një garë e mirëfilltë mes pushtetit dhe opozitës, por një luftë brenda llojit, ku partitë opozitare përplasen mes vete për mbijetesë elektorale. Në këtë luftë, energjia politike nuk shkon drejt ndërtimit të një vizioni alternativ për shtetin dhe shoqërinë, por drejt manipulimit, sabotimit dhe eliminimit të rivalëve të brendshëm.

Kjo sjell një paradoks politik: opozita nuk po e sfidon aspak pushtetin, por po e forcon atë. Çdo manipulim i votës, çdo skandal i brendshëm ndërmjet opozitës dhe çdo konflikt i ulët politik shërben si dëshmi se pushteti aktual, mbetet “opsioni i vetëm në sytë e qytetarëve, madje kjo u dëshmua edhe më 28 dhjetor, ku Lëvizja Vetëvendosje!, arrinë  fitore plebeshitare.

Efekti Kurtit: pushtet i forcuar nga dështimi i kundërshtarëve

Në këtë kontekst, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk po forcohen vetëm nga suksesi i tyre qeverisës apo puna e tyre e ndershme, por – ndoshta edhe më shumë – nga dështimi moral dhe organizativ i opozitës. Sa herë që opozita manipulon votën, ajo ia dhuron Kurtit një argument të fuqishëm politik: narrativën e pastërtisë morale dhe dallimit etik.

Kjo është arsyeja pse kritika ndaj Kurtit shpesh mbetet sterile. Ajo nuk vjen nga një opozitë e besueshme, por nga subjekte politike që qytetari i percepton si të zhytura në të njëjtat praktika që pretendojnë t’i luftojnë. Si rezultat, pushteti jo vetëm që nuk dobësohet, por legjitimohet edhe më tej.

 

Kriza e alternativës dhe humbja e besimit publik

Demokracia funksionon vetëm atëherë kur qytetari beson se ka alternativa reale. Por manipulimi i votës nga opozita prodhon apati politike, cinizëm dhe mosbesim. Qytetari nuk pyet më “kush është më i mirë?”, por “kush është më pak i keq?”. Dhe në këtë logjikë, pushteti aktual del gjithmonë fitues dhe më afër qytetarëve.

Opozita, përveç referencave negtive, dhe duke vepruar kështu, e ka humbur rolin e saj demokratik;

– të kontrollojë pushtetin,

– të artikulojë pakënaqësinë eventuale shoqërore,

– të prodhojë mundësi për ngritje politike

Në vend të kësaj, ajo është shndërruar në aktor destabilizues të vetvetes, duke e zhvendosur fokusin nga kritika si domosdoshmëri demokratike– te konfliktet e brendshme dhe pazaret elektorale.

Manipulimi i votës nga opozita nuk është vetëm krim zgjedhor; është krim politik ndaj vetë idesë së opozitarizmit. Ai nuk e rrëzon pushtetin, por e forcon atë. Nuk e zgjon qytetarin, por e lodh dhe e largon nga politika. Dhe mbi të gjitha, nuk prodhon ndryshim, por e betonon status quo-në.

Nëse opozita nuk e kupton se fitorja politike fillon nga kredibiliteti moral, ajo do të vazhdojë ta ngrejë gjithnjë e më lart kundërshtarin e saj. Në këtë kuptim, Albin Kurti nuk është vetëm produkt i mbështetjes popullore, por edhe pasqyrë e dështimit të kundërshtarëve të tij në vijë kronologjike.

Demokracisë i duhet edhe opozita, ama kjo e tanishmja, s’përbën mundësi për ngritje, duke e vën në spikamë mungesën e lidershipit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".