Diaspora shqiptare ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbijetesës dhe lirisë së Kosovës

Diaspora shqiptare ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbijetesës dhe lirisë së Kosovës
Diaspora shqiptare ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbijetesës dhe lirisë së Kosovës

Hajrush Behluli

  • 23 January 2026 - 07:58

Nga Hajrush Behluli

Diaspora shqiptare ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbijetesës dhe lirisë së Kosovës. Në kohët më të vështira, kur Kosova ishte e shtypur dhe e izoluar, shqiptarët jashtë atdheut mbajtën gjallë familjet, identitetin kombëtar dhe kauzën e lirisë. Me mjete financiare, me lobim politik dhe me zë të fuqishëm në botë, diaspora ishte pjesë e drejtpërdrejtë e çlirimit të Kosovës. Ky kontribut nuk ishte sporadik, as i përkohshëm por ishte i qëndrueshëm, i vetëdijshëm dhe kombëtar. Liria e Kosovës nuk u ndërtua vetëm brenda kufijve të saj, por edhe jashtë tyre.

Sot, për fat të keq, roli i diasporës po reduktohet gjithnjë e më shumë në instrument elektoral. Në vend se të trajtohet si partner strategjik i shtetit, ajo shpesh shihet vetëm si rezervë votash për interesa partiake. Kjo qasje jo vetëm që e nënvlerëson kontributin historik të diasporës, por rrezikon ta fusë atë në përçarjet e brendshme politike të Kosovës, duke e dëmtuar edhe imazhin e saj. Diaspora nuk është dhe nuk duhet të jetë palë në grindjet partiake të Kosovës. Ajo është mbi to.

SI DUHET ORGANIZUAR DIASPORA

Organizimi i diasporës duhet të bazohet në vlera kombëtare dhe kulturore, jo në ndarje politike apo rajonale. Diaspora nuk duhet të organizohet në baza partiake, në baza të rajoneve të Kosovës, as sipas shteteve apo krahinave prej nga vijnë familjarisht. Këto forma organizimi vetëm sa thellojnë ndarjet dhe e kthejnë diasporën në reflektim të problemeve të brendshme politike të Kosovës.

Organizimi i shëndoshë i diasporës duhet të jetë: përmes shoqatave kulturore dhe kombëtare, me fokus në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit shqiptar, me rol edukativ për brezat e rinj jashtë atdheut, dhe me një zë të përbashkët kombëtar, jo partiak. Në aspektin politik, është e domosdoshme që Kosova ta reformojë ligjin zgjedhor dhe diaspora të mos mbetet thjesht trup votues i shpërndarë, por të ketë përfaqësim të drejtpërdrejtë në Kuvendin e Kosovës, përmes një numri të caktuar deputetësh të saj. Kjo do ta: çlironte diasporën nga instrumentalizimi partiak, e largonte nga përçarjet politike të brendshme dhe do ta kthente në faktor institucional dhe stabilizues. Vetëm kështu diaspora do të ruajë dinjitetin e saj dhe do të mbetet ajo që ka qenë gjithmonë: forcë bashkuese e kombit, jo mjet përçarjeje.

Diaspora mbajti gjallë shpresën e Kosovës -sot duhet ta njohim dhe ta vlerësojmë sepse zëri dhe kontributi i diasporës duhet me qenë më të fortë se çdo propagandë politike.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".