Shpallja e kandidaturës së Prof. Dr. Kolë Krasniqit për President të Republikës së Kosovës
Zef Prenka
Nga Prof Zef Prenka- Kryetar i Rrjetit Intelektual Shqiptar
Të nderuar përfaqësues të medieve dhe qytetarë të Republikës, jemi mbledhur sot për të komunikuar një vendim që buron nga një analizë e thellë e gjendjes sonë shoqërore dhe nevojës emergjente për një model të ri udhëheqjeje. Rrjeti Intelektual Shqiptar, pas një konsultimi të gjerë me njerëz të dijes dhe të integritetit, ka vendosur të propozojë zyrtarisht Prof. Dr. Kolë Krasniqin si kandidat për President të Republikës së Kosovës. Ky propozim nuk vjen si një ambicie e thjeshtë politike, por si një detyrim moral për të ndalur degradimin e vlerave që ka pllakosur hapësirën tonë publike, ku njeriu i ndershëm shpesh detyrohet të jetojë në "sikletin" e pafuqisë përballë të paarsyeshmes dhe mungesës së ndërgjegjes.
Ne besojmë fuqishëm se figura e Presidentit duhet të jetë pasqyra e asaj që ne aspirojmë si komb, dhe në këtë drejtim, kandidatura e Dr. Krasniqit përbën një domosdoshmëri ontologjike për shtetin tonë. Nuk mund të ketë unitet kombëtar pa një bazament etik të palëkundur dhe nuk mund të ketë përfaqësim dinjitoz pa peshën e dijes akademike. Prof. Dr. Kolë Krasniqi mishëron pikërisht këtë profil: një intelektual që nuk ka pranuar kurrë të arsyetojë të pandershmen dhe që zotëron guximin për të mbrojtur të vërtetën edhe atëherë kur ajo është e pafavorshme për pushtetet e ditës. Përmes tij, ne synojmë t'i japim fund epokës ku i ndershmi ndihet i huaj në shtëpinë e vet, duke e kthyer integritetin në kriterin kryesor të shërbimit ndaj atdheut. Prof Kolë Krasniqi di dhe mundet ta ruaj unitetin e të gjitha subjekteve politike, Institucioneve Shtetërore dhe OJQ-ve.
Ftojmë të gjithë faktorët politikë, por mbi të gjitha botën akademike dhe qytetarët që besojnë te forca e arsyes, që ta shohin këtë kandidaturë si një mundësi për të rikthyer dinjitetin e humbur të institucioneve tona. Është koha që Kosova të mos udhëhiqet më nga logjika e kompromisit me të keqen, por nga vizioni i një njeriu që e ka jetësuar etikën në çdo hap të karrierës së tij. Ky është momenti që inteligjenca shqiptare të marrë përgjegjësinë që i takon, duke dëshmuar se jemi gati të ndërtojmë një shtet ku ndërgjegjja është ligji suprem i udhëheqësit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
