Si u shndërrua politika e Kosovës në sistem të vetëmbrojtjes

Si u shndërrua politika e Kosovës në sistem të vetëmbrojtjes
Si u shndërrua politika e Kosovës në sistem të vetëmbrojtjes

Isuf Bajraktari

  • 10 February 2026 - 15:55

PJESA I – SHTETI NË LODHJE

Nga Isuf Bajraktari

Kosova sot nuk përballet me mungesë vullneti politik, por me një tepricë të instinktit për vetëmbrojtje institucionale. Politika nuk vepron më kryesisht për ndërtimin e një shteti funksional, por për të mbrojtur veten nga pasojat e dështimeve të mundshme. Kjo logjikë shpjegon ritmin e ngadalshëm të proceseve, zvarritjen e vendimmarrjes dhe shmangien sistematike të përgjegjësisë politike.

Problemi nuk është i kufizuar vetëm te pushteti, as vetëm te opozita. Ai është strukturor. I gjithë sistemi politik është riorganizuar në mënyrë të tillë që të minimizojë prodhimin e përgjegjësisë. Një sistem i tillë nuk shembet lehtë, sepse u shërben të gjithë aktorëve që veprojnë brenda tij; por, njëkohësisht, ai nuk gjeneron progres të qëndrueshëm. Ai ruan status quo-në.

Institucionet ekzistojnë dhe funksionojnë në aspektin formal, por shpesh pa autoritet substancial. Ngadalësia e vendimmarrjes nuk buron nga kompleksiteti i çështjeve, por nga frika për të bartur barrën e pasojave politike. Në Kosovë, marrja e pushtetit nuk paraqet vështirësi thelbësore; marrja e përgjegjësisë mbetet sfida reale.

Ky realitet ka prodhuar atë që mund të përkufizohet si një “shtet në lodhje”: një shtet që nuk rrënohet, por as nuk konsolidohet; një shtet që shpall reforma, por nuk i zbaton; që artikulon vizion, por qeveris me improvizim.

Në këtë kontekst, stagnimi paraqitet si stabilitet, ndërsa pritja interpretohet si maturi politike. Pushteti dhe opozita, pavarësisht retorikës përplasëse, bashkëjetojnë brenda të njëjtit rend institucional. Përplasjet janë të zhurmshme në formë, por jo transformuese në përmbajtje, sepse asnjëra palë nuk synon ndryshimin e mënyrës së funksionimit të sistemit; synimi mbetet administrimi i tij në kohë të ndryshme politike.

Kultura politike e ndërtuar ndër vite e ka normalizuar këtë gjendje. Dështimi nuk prodhon më skandal publik. Vonesat nuk shkaktojnë më reagim shoqëror të qëndrueshëm. Premtimet e pambajtura relativizohen si pjesë e zakonshme e ciklit politik. Kjo nuk është shenjë e pjekurisë demokratike; është shprehje e lodhjes kolektive institucionale dhe qytetare.

Në këtë klimë, shteti humb gradualisht energjinë reformuese. Reformat reduktohen në deklarime, ndërsa institucionet mbeten në një tranzicion të përhershëm. Gjithçka është në proces, por pak gjëra përfundojnë. Përkohshmëria është shndërruar në gjendje të përhershme, sepse i shërben mbijetesës politike.

Kosova nuk përballet me mungesë legjislacioni; ajo përballet me mungesë të standardit të përgjegjësisë. Pa këtë standard, shteti mbetet formal, ndërsa besimi qytetar konsumohet gradualisht. Kjo analizë nuk synon identifikimin e fajtorëve individualë. Synimi është të theksohet karakteri strukturor i problemit. Pa pranimin e kësaj premise, çdo përpjekje për ndryshim rrezikon të mbetet sipërfaqësore.

Shteti në lodhje nuk shembet me zhurmë; ai venitet në heshtje. Pikërisht kjo heshtje përbën rrezikun më të madh.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".