Kosova u ndërtua si shtet laik mbi një parim të qartë

Kosova u ndërtua si shtet laik mbi një parim të qartë
Kosova u ndërtua si shtet laik mbi një parim të qartë

Zef Prenka

  • 02 March 2026 - 07:12

( Të kuptohet mirë, sepse qëllimi është vetëm drejtësia dhe realizmi politik).

Shkruan: Zef Prenka

Kosova u ndërtua si shtet laik mbi një parim të qartë: feja nuk e përcakton përkatësinë kombëtare dhe as të drejtën për përfaqësim. Ky ishte kompromisi historik që e bëri të mundur bashkëjetesën dhe shtetformimin- shqiptarë me tri besime, por me një identitet politik të përbashkët. Mirëpo, kur në hapësirën publike shtohen sulmet diskursive ndaj katolikëve shqiptarë, kur relativizohen figura të trashëgimisë së tyre dhe kur perceptimi i mospërfilljes politike bëhet i përsëritur, lind natyrshëm pyetja: a po shtyhet ky komunitet drejt kërkesës për mekanizma të garantuar përfaqësimi?

Sistemi zgjedhor me një zonë të vetme dhe me prag 5% e bën praktikisht të pamundur që një subjekt me bazë të ngushtë komunitare të sigurojë përfaqësim të pavarur. Katolikët shqiptarë nuk janë minoritet etnik në kuptimin kushtetues, por janë pakicë numerike fetare brenda shumicës shqiptare. Kjo krijon një realitet paradoksal: barazi formale para ligjit, por vështirësi për të pasur zë të konsoliduar institucional në çështje që i prekin drejtpërdrejt. Ndërkohë, komunitetet minoritare etnike mund të sigurojnë mandat parlamentar dhe ministër mbase, me rreth 1500 vota për shkak të vendeve të rezervuara, ndërsa një subjekt politik që identifikohet kryesisht me katolikët shqiptarë, edhe po të marrë 7–8 mijë vota, në kushtet aktuale nuk arrin të përfaqësohet në Kuvend. Për më tepër, përvoja ka treguar se një parti me emërtim të theksuar “demokristian” ka hasur në braktisje nga një pjesë e elektoratit shqiptar mysliman, çka e ka ngushtuar bazën dhe e ka bërë edhe më të vështirë kapërcimin e pragut zgjedhor. Kjo pabarazi në efektin e votës është thelbi i debatit: jo privilegji, por proporcionaliteti.

Megjithatë, kërkesa për vende të rezervuara mbi bazë fetare prek drejtpërdrejt arkitekturën e shtetit laik. Identiteti shqiptar modern u ndërtua duke tejkaluar ndarjet fetare. Figura si Pjetër Bogdani dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu janë pjesë e narrativës kombëtare gjithëpërfshirëse, jo pronë e një komuniteti. Formalizimi i përfaqësimit mbi bazë konfesionale mund të krijojë precedent që e zhvendos konkurrencën politike nga programet dhe idetë drejt përkatësisë fetare, duke hapur një derë që historikisht shqiptarët kanë zgjedhur ta mbajnë të mbyllur.

Nga ana tjetër, demokracia nuk mund ta shpërfillë perceptimin e margjinalizimit. Nëse një komunitet ndjehet i padukshëm në vendimmarrje, zgjidhja nuk është heshtja. Ajo mund të kërkohet përmes hapjes reale të partive politike, përmes përfaqësimit proporcional në lista, përmes garantimit të respektit institucional dhe ndalimit të diskursit përçarës. Vendet e rezervuara do të ishin një ndërhyrje e fortë kushtetuese; por para një hapi të tillë, duhet të shtrohet pyetja nëse kemi konsumuar të gjitha mekanizmat e barazisë brenda modelit ekzistues.

Debati për përfaqësim të garantuar nuk është herezi demokratike. Ai është shenjë se një tension ekziston dhe kërkon adresim. Por çdo zgjidhje duhet ta ruajë balancën ndërmjet ndjeshmërisë komunitare dhe kohezionit kombëtar. Sfida reale nuk është thjesht sa vende do të kishte një komunitet në Kuvend, por si të garantohet që asnjë qytetar- pavarësisht fesë- të mos ndihet i papërfaqësuar, i nënvlerësuar apo i përjashtuar në shtetin që e konsideron të vetin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".