KUSHTETUTA E KOMPLIKUAR E REPUBLIKËS SË KOSOVËS!…

KUSHTETUTA E KOMPLIKUAR E REPUBLIKËS SË KOSOVËS!…
KUSHTETUTA E KOMPLIKUAR E REPUBLIKËS SË KOSOVËS!…

Ismail Muçiqi

  • 05 March 2026 - 16:47

Shkruan gazetari Ismail Muçiqi

Kushtetuta e Kosovës është bërë mollë sherri dhe pengesë kryesore në funksionimin e shtetit të Kosovës. Shumë nene të kësaj Kushtetute në fuqi janë bërë pengesë, duke krijuar kriza të njëpasnjëshme në konstituimin e institucioneve të shtetit dhe në funksionimin juridik e politik të Republikës. Hartuesit e kësaj Kushtetute më herët krenoheshin se janë pjesë e hartimit të Kushtetutës së Kosovës dhe eksponoheshin se cili ishte më i dijshmi si ekspert i përpilimit të një akti madhor juridiko-politik të shtetit. Koha po tregon se hartuesit e kësaj Kushtetute, “ekspertët me tituj akademikë”, jo që i ndihmuan funksionimit juridik të shtetit, por në shumë nene të saj, në situatat më të rëndësishme të zhvillimeve, po ia lidhin këmbët dhe duart konstituimit të institucioneve të shtetit.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi një popull ku vetëdija dhe niveli arsimor, shkencor, politik e kulturor është për t’u dëshiruar. Në anën tjetër, politikën aktuale të ashtuquajtura “parti politike” e përbën një klasë deputetësh me nivelin adoleshent. Të gjitha këto dështime po përballen edhe me botëkuptime të nivelit të ulët të politikës aktuale dhe të një pjese të shoqërisë në përgjithësi, të cilat inatin, rivalitetin dhe xhelozinë i kanë bërë kauzë të jetës, e cila dalëngadalë po ia zë frymën shtetit. Shtetet e zhvilluara që kanë traditë në politikë, Presidenti zgjidhet nga vota e popullit, ndërsa tek ne, përmes kësaj Kushtetute “të famshme”, komplikimet e njëpasnjëshme dalin po nga kjo Kushtetutë, e cila që moti është dashur të korrigjohet dhe të ndryshohet. Si mund të funksionojë rendi kushtetues i institucioneve të shtetit kur, me rastin e zgjedhjes së Presidentit, duhen dy të tretat e deputetëve, përkatësisht 80 deputetë? Komplikim tjetër është votimi në tri raunde, duke e komplikuar edhe më shumë zgjedhjen e Presidentit/es. Shtrohet pyetja: a ka komplikim më të madh se sa t’ia lidhësh këmbët vetvetes nga këta “ekspertë” të kësaj Kushtetute, kur në Kushtetutën e tyre kanë sjellë nene që, pa pëlqimin dhe votimin e pakicave, përkatësisht pa votimin e Listës Serbe, nuk mund të bëhen ndryshime kapitale?

Këto marifete të ish “ekspertëve folkloristë” tani i kanë sjellë vendit kriza të njëpasnjëshme, duke polarizuar dhe irrituar skajshmërisht popullin në përgjithësi. Këto tendenca të polarizimit të shoqërisë Kosovare janë rrjedhojë e depërtimit të njerëzve pa integritet nëpër institucionet e shtetit, pa dinjitet, pa dije profesionale, pa vizion për ndërtimin e shtetit, të cilët në momentet kyçe, në vend që të kontribuojnë përmes aktgjykimeve, edhe më shumë po i komplikojnë problemet. Shtrohet pyetja tani, mu sot më 4 mars, kur është dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit/es: pse Gjykata Kushtetuese nuk i ndihmon kësaj bllokade duke dalë me komunikatë për ta mbrojtur aktgjykimin e saj të mëparshëm, se deputetët e Parlamentit të Kosovës kanë obligim ligjor e kushtetues të marrin pjesë, të qëndrojnë në ulëset e Parlamentit dhe të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë? Kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese në këto momente kur vendi është në prag të krizës së re dhe rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Gjykata Kushtetuese, si akti më i lartë juridiko-politik i shtetit, ka detyrë dhe obligim t’u ndihmojë institucioneve në funksionimin normal të tyre, e jo të heshtë duke u mbyllur hermetikisht apo duke anuar nga parti të caktuara. Në fund po theksojmë se na është turbulluar mendja dhe, si duket, nuk jemi duke parë se çfarë po ndodh rreth nesh: lufta po troket gjithandej…!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".