Oroshi: Vendimi i Vjosa Osmanit edhe pse i dhimbshëm ishte plotësisht i drejtë dhe kushtetues
Nue Oroshi
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Nëse shikohet në aspektin e situatës politike që mbretëron në Republikën e Kosovës dhe luftës që po ndodh në botë, ku edhe Republika e Kosovës është e rrezikuar, vendimi i presidentes Vjosa Osmani ishte vendim i dhimbshëm. Vendimi ishte vërtet i dhimbshëm, por ishte plotësisht i drejtë dhe kushtetues.
-Ende nuk janë mbushur mend politikanët tanë se kompromisi politik është zgjidhje. Nuk është zgjidhje as mbajtja e dy palë zgjedhjeve brenda vitit e as përpjekjet për të dominuar plotësisht në politikë. Fatkeqësi është se partitë tona politike nuk arritën ta bëjnë një kompromis politik dhe ta zgjedhin presidentin apo presidenten e Republikës së Kosovës. Sikur ato parti politike shqiptare ta kishin arritur kompromisin dhe ta kishin zgjedhur presidentin e Republikës së Kosovës, nuk do të ishte shpërndarë parlamenti. Tash shtrohen shumë pyetje që do t’iu japë përgjigje Gjykata Kushtetuese. Afati kohor 60-ditor për ta zgjedhur presidentin e ri ka filluar më 5 janar dhe ka përfunduar më datën 5 mars.
Pse gjatë kësaj periudhe kohore partitë politike shqiptare nuk e bënë kompromisin politik për ta zgjedhur një president, qoftë edhe një president nga bota akademike. Pasiqë ajo nuk u bë, pasojat tani po dihen. Çështja tjetër është se a patën kuorum Parlamenti i Republikës së Kosovës për ta mbajtur mbledhjen për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, kur dihet qartë se për t’u zgjedhur presidenti në sallë duhet të jenë prezent 80 deputetë. Në sallë ishin prezent 65 deputetë. Këtyre çështjeve më mirë do t’iu japë përgjigje Gjykata Kushtetuese, por një gjë dua të them: Nëse vazhdon ky konfrontim politik në mes të dy grupeve politike në Kosovë për kohë të gjatë, do të kemi një kaos politik sikurse është tash. Ndërkohë që politikanët që nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromise politike kur është në të mirë të Republikës së Kosovës është mirë që të ecin prej politikës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
