SINJALIZIM QË NDËRGJEGJJA KOMBËTARE DHE SHTETI TË ZGJOHEN NGA GJUMI!...

SINJALIZIM QË NDËRGJEGJJA KOMBËTARE DHE SHTETI TË ZGJOHEN NGA GJUMI!...
SINJALIZIM QË NDËRGJEGJJA KOMBËTARE DHE SHTETI TË ZGJOHEN NGA GJUMI!...

Ismail Muçiqi

  • 23 March 2026 - 15:55

Shkruan gazetari Ismail Muçiqi.

Jemi të shqetësuar për fatin e Kosovës, për integritetin dhe sovranitetin e saj, i cili po sfidohet nga Serbia dhe armiqtë e Kosovës. Por edhe më shumë jemi të shqetësuar dhe të brengosur për rrezikun që po i kanoset shtetit të Kosovës nga brenda, nga njerëzit antikombëtarë. Serbia, përmes formave të ndryshme subversive, përmes grupeve dhe shërbimeve inteligjente, po rekruton bashkëpunëtorë të shitur për të punuar për interesat e saj në Kosovë. Është e pabesueshme ndoshta për opinionin, por këto ditë në emisionin Kallxo.com, gazetari hulumtues shumë profesional dhe i besueshëm, Kreshnik Gashi, deklaroi publikisht se Serbia është duke futur para me miliona cash në Kosovë përmes individëve dhe grupeve, të cilët po e realizojnë misionin e Serbisë në Kosovë përmes propagandës informative në dëm të shtetit.

Po në këtë emision, gazetari Gashi deklaroi se Kosova është në rrezik edhe nga disa avokatë shqipfolës, të cilët i kanë mbrojtur dhe po i mbrojnë strukturat kriminale të Serbisë në veri të Kosovës – anomali kjo që tregon fytyrën e vërtetë të këtyre palaçove që, për interesat e tyre materialo-financiare, punojnë kundër atdheut. Nuk ka dyshim se këto veprime antikombëtare po i bëjnë individë të caktuar, të veshur me petkun e gazetarisë apo te avokateve, duke i bartur kauzat armiqësore të Serbisë nëpër debatet e ndryshme politike. Shtrohet pyetja: çfarë vlere intelektuale apo njerëzore, e mos të flasim kombëtare, mund të ketë individi i cili i thotë vetit avokat, i cili ka pranuar t’i mbrojë kriminelët serbë, të cilët natë e ditë punojnë për zhbërjen e Republikës së Kosovës? Këtë situatë të rrezikshme po e shfrytëzojnë armiqtë e Kosovës, mu në kohën kur institucionet e shtetit janë të paformuara për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, të cilët përmes bllokadave e kanë pezulluar funksionimin e shtetit. Më thotë mendja se është koha e fundit që organet e sigurisë, Prokuroria dhe AKI-ja të veprojnë kundër këtyre rrymave dhe grupeve destruktive, me emra dhe mbiemra Shqiptarë, të cilët me vetëdije po punojnë kundër shtetit. Institucionet e sigurisë dhe shërbimi i inteligjencës duhet të veprojnë në momentet kur në mjetet e informimit shfaqen kauza të karakterit destabilizues që e rrezikojnë sigurinë e shtetit dhe të popullit. Andaj, vetëdija e ndërgjegjes kombëtare po troket dhe po kërkon veprim ligjor e shtetëror, ende pa u bërë vonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".