Në Kosovë po ndodh barrikadimi për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit me çdo kusht

Në Kosovë po ndodh barrikadimi për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit me çdo kusht
Në Kosovë po ndodh barrikadimi për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit me çdo kusht

Florim Zeqa

  • 25 March 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Vendimin e përkohshëm nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për ndalimin e veprimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Presidencës, edhe pse me pasoja për vendin, e konsideroj si veprim të duhur, i cili duhet të ndikojë në stabilitetin politik të vendit tonë.

 

-Ashtu siç e kam potencuar në ditën e shpalljes, dekreti i Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit nuk është në përputhje me Kushtetutën, pasi nuk janë kryer procedurat e votimit në Kuvend për presidentin.

Ndryshe, refuzimin e Albin Kurtit për rikandidimin e Vjosa Osmanit, qoftë i drejt apo jo, i arsyeshëm apo jo, e konsideroj veprim politik në përputhje me Kushtetutën.

Shikuar në aspektin moral, pas përfundimit të mandatit, secili politikan duhet të tërhiqet dhe t’i lëshojë rrugë tjetrit, e jo të uzurpohen institucionet e shtetit nga të njëjtët njerëz.

Jo vetëm që nuk po ndodh ndryshimi, por po ndodh barrikadimi për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit me çdo kusht.

Si pasojë e kësaj logjike, po ndodh barrikadimi i sërishëm i pushtetit në njërën anë dhe i opozitës në anën tjetër, për çka më afër janë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme sesa zgjedhja e presidentit në Kuvend.

Pasojat e këtij barrikadimi do të jenë të gjata dhe ciklike edhe pas zgjedhjeve eventuale, për shkak të mungesës së një kandidati konsensual për president dhe të një alternative të re politike që ua prish balancat në Parlament partive aktuale politike.

Megjithatë, masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, që ka ndaluar ndërmarrjen e çfarëdo veprimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Presidenca, është duke shkuar drejt skadimit të afatit.

Kushtetuesja deri më 31 mars do të dalë me vendimin e saj meritor për të sqaruar në mënyrë të argumentuar pse dekreti i Presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës ishte i padrejtë dhe antikushtetues. Vendim ky që do t’i hapë rrugën negociatave mes subjekteve politike për gjetjen e një kandidati konsensual.

Në të kundërtën, presidenti/ja mund të vijë në “zarf” nga ndërkombëtarët për evitimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për t’i hapur rrugë vazhdimit të menjëhershëm të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Kjo do të ishte ana më e errët e medaljes për Kosovën, në veçanti për Albin Kurtin, i cili nuk mund t’u ‘bishtnojë’ më kërkesave të ndërkombëtarëve për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të nënshkruara në Bruksel dhe të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".