Tendenca për të mos e shtyrë përpara zgjedhjen e presidentit nuk ishte rastësore, por e qëllimshme

Tendenca për të mos e shtyrë përpara zgjedhjen e presidentit nuk ishte rastësore, por e qëllimshme
Tendenca për të mos e shtyrë përpara zgjedhjen e presidentit nuk ishte rastësore, por e qëllimshme

Arsim Haziri

  • 26 March 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Arsim Haziri

Konsideroj se problemi i moszgjedhjes së presidentit është thelbësisht politik dhe, si i tillë, nuk duhet të trajtohet jashtë këtij konteksti. Është e natyrshme që partitë politike të synojnë të imponojnë kandidatë të vetët, me qëllim që të ndikojnë – qoftë edhe në mënyrë të kufizuar – në zhvillimet politike në favor të tyre. Kjo logjikë është pjesë e vetë natyrës së garës politike.

 

-Megjithatë, ajo që paraqitet si problematike është ngurtësia ekstreme e qëndrimeve. Kjo ngurtësi nuk është thjesht pasojë e dallimeve politike, por duket se është shndërruar në strategji të vetëdijshme bllokuese. Në fund, u dëshmua se tendenca për të mos e shtyrë përpara zgjedhjen e presidentit nuk ishte rastësore, por e qëllimshme dhe e koordinuar në një front më të gjerë opozitar, me synimin final të çuarjes së vendit në zgjedhje dhe, potencialisht, dobësimit të fuqisë së pushtetit aktual.

Në këtë kontekst, nuk mund të përjashtohet as roli i presidentes aktuale, e cila – e vetëdijshme për mungesën e një mbështetjeje të gjerë për një mandat të dytë – duket se po vepron me një urgjencë të theksuar drejt një skenari që çon në zgjedhje të reja. Nëse këto veprime rezultojnë në tejkalim të kompetencave kushtetuese, siç sugjerojnë disa njohës të së drejtës kushtetuese, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me një krizë politike, por edhe me një tension institucional.

Kështu, bllokada nuk është produkt i një aktori të vetëm, por një ndërthurje interesash: një nisje fillimisht nga spektri opozitar e më pas e mundësuar nga presidentja, me t’u kuptuar se numrat edhe për një mandat nuk janë në dispozicion, dhe krejt kjo neglizhencë iu faturua kryeministrit aktual, që tashmë po del të mos jetë e vërtetë.

Në këtë situatë, një rol kyç do të duhej ta kishte Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila, përmes një interpretimi të qartë dhe funksional, mund të shmangte zvarritjen e krizës dhe pasojat e saj në dimensione të ndryshme – politike, institucionale dhe psikologjike për qytetarët. Një vendim i saj, i orientuar drejt zgjidhjes, do të shërbente jo vetëm për rastin konkret, por edhe si precedent për të ardhmen, në rastet kur synohet sabotimi i zgjedhjes së presidentit.

Një formulë e arsyeshme do të ishte që partisë së parë t’i garantohej një afat shtesë – për shembull 60 ditë, siç tekstualisht prezantohet në Kushtetutë – për të arritur një zgjidhje, ndërsa për partitë opozitare të vendosej një detyrim kushtetues për pjesëmarrje aktive në Kuvend, në funksion të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Një qasje e tillë nuk do të ishte e paprecedentë, duke pasur parasysh se edhe më herët ka pasur vendime që kanë imponuar forma detyruese të pjesëmarrjes së deputetëve në procese kyçe.

Në thelb, kriza aktuale nuk është vetëm çështje numrash, por reflektim i një kulture politike që shpesh privilegjon kalkulimin strategjik mbi përgjegjësinë shtetërore. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe: kalimi nga një logjikë bllokimi në një logjikë funksionaliteti institucional.

Ama krejt në fund, është vendi që po humb, janë proceset e saj që po mbesin në gjysmë, duke mbetur mbrapa kështu, për të degraduar kështu edhe atë gjysmë demokraci të konsoliduar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".