
Lexoni edhe:
Tendenca për të mos e shtyrë përpara zgjedhjen e presidentit nuk ishte rastësore, por e qëllimshme
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Pas më shumë se një viti ngërçesh politike e bllokadash institucionale, nuk di, as nuk mbaj mend, edhe një vendim tjetër më skandaloz se sa dekreti kundërkushtetues i presidentes Vjosa Osmani për shpërbërjen e Kuvendit, mezi të formuar, me të cilin janë shokuar i madh e i vogël, të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, andaj edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e përkohshëm të veprimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk kishte si të ndodhte ndryshe përveçse si një akt i domosdoshëm për mënjanimin e shpërthimit të problemeve të reja të orkestruara nga forca të errëta që nuk ia duan të mirën vendit tonë, dhe veprim i nevojshëm për ruajtjen, qoftë edhe të përkohshme, të stabilitetit politik në Kosovë.
-Dekreti i Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, jo vetëm se ishte i ngutshëm, egoist dhe shumë inatçor, por ai ishte edhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, që besoj se, së shpejti do të vërtetohet edhe nga vendimi pasues i Gjykatës Kushtetuese për dhënien e afatit 60-ditor Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, duke obliguar deputetët që, njëjtë si me rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, edhe me rastin e zgjedhjes së presidentit, të qëndrojnë në seancë dhe të kryejnë obligimin kushtetues të përfaqësuesve të popullit, duke votuar për, kundër apo edhe duke abstenuar, por pa rrezikuar kuorumin, në mënyrë që të zgjidhet presidenti dhe vendi të ecë përpara.
Me aktin e paprecedent kundërkushtetues të Vjosa Osmanit, pas krejt atyre peripecive të kaluara për shpërndarjen me kaq shpejtësi marramendëse të Kuvendit të konstituuar vetëm pak kohë më parë të Kosovës, përkundër të gjithë atyre ngërçeve e bllokadave të njohura, gati njëvjeçare politike, dhe të sapodalë nga legjislatura e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, me këtë akt të përshkruar e të panjohur në këtë formë në krejt historinë e pasluftës, ajo ka detyruar kryeministrin që, në emër të Qeverisë, po ashtu të sapoformuar, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për daljen me një vendim sqarues, nëse do t’i lejohet Kuvendit të ri vijimi i mandatit të sapofilluar apo vendi do të detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, shkaku i dekretit famoz të zonjës Osmani.
Me këtë dekret të habitshëm dhe vendim puro egoist, të pamatur e tërësisht inatçor, zonja Osmani, nga një kandidate e preferuar prej shumicës dërmuese të shqiptarëve, brenda disa minutash u kthye në një emër gati pa domethënie dhe aq kontradiktor, sa që edhe mbështetësit më të flaktë u distancuan nga ajo dhe mbajtën qëndrim të hapur publik kundër kandidaturës së zonjës Osmani për vazhdimin apo rizgjedhjen e saj për presidente të vendit edhe për një mandat.
Sipas bindjes time, e besoj edhe të shumicës së qytetarëve të Kosovës, tani kur afati për vendimin e Kushtetueses lidhur me sqarimin e dekretit “presidencial” përfundon më datën 31 mars, Gjykata Kushtetuese do të dalë me vendim pro vazhdimit të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të paktën edhe për një afat 60-ditor (dymujor), për të vazhduar përpjekjet për zgjedhjen konsensuale të të parit të vendit, por jo më të zonjës Osmani.
Në dijeni të faktit se kandidatura e saj tanimë është përjashtuar nga të gjitha kalkulimet matematikore të partive aktuale politike për të qenë sërish presidente e vendit, Vjosa Osmani nuk i ka ngelur rrugë tjetër përveçse të nisë parakohshëm dhe me ngut të pashpjegueshëm fushatën dëshpëruese me vizita nëpër komuna dhe takime me “qytetarët”, për ta parë nga afër edhe në sytë e tyre zhgënjimin e thellë që u ka shkaktuar me dekretin e pashembullt dhe tërësisht tekanjoz, vetëm që të kënaqë egon e vet personale në kurriz të popullit dhe shtetit të Kosovës.
Kështu që, megjithëse ende nuk dihet saktësisht nëse do të shkojë sërish Kosova në zgjedhje të reja apo jo, Vjosa Osmani e ka kuptuar shumë mirë se, nëse vërtet shkaku i dekretit të saj kundërkushtetues vendi detyrohet që vetëm pas 3-4 muajsh nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit sërish të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, ajo do të shihet nga të gjithë si fajtore e paskrupullt; ndaj kësaj radhe ka filluar shumë para kohe fushatën e habitshme elektorale për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet, e vetëdijshme se ka vrarë me dorën e vet mundësinë reale për të marrë edhe një mandat si presidente e vendit.
Për rrjedhojë, si politikane pa parti, pa mbështetje politike dhe pa simpatinë e qytetarëve, të cilët me dekretin e saj të paprecedent i ka kthyer të gjithë kundër vetes, ajo tanimë, çfarëdo që të ndërmarrë, çka do që të bëjë dhe ngado që niset e kudo që provon të depërtojë, nuk i ka ngelur rrugë tjetër, përveçse nëse i bashkohet Vlora Hysenit, të cilën para pak vitesh e pat shkarkuar vetë bashkë me Albin Kurtin, dhe futet edhe kjo në shërbim të të ashtuquajturës “inteligjencë shqiptare” të Edvin Kristaq Ramës dhe jo vetëm, ngase pjesë e formatit mund të jetë edhe “BIA” e Vuçiqit…, përndryshe fati i Vjosa Osmanit në Kosovë është i vulosur, do të jetë një dhe i vetëm, e ai është DËSHTIMI spektakolar, njëjtë siç ishte edhe “dekreti” i paprecedent i saj.
Dhe krejt kjo si pasojë e inatit të papërmbajtur egoist të Vjosa Osmanit, pasi që ajo, me apo pa vetëdije, i kaloi të gjitha përmasat e normales, duke shpallur me të zbardhur mëngjesi shpërbërjen e Kuvendit dhe duke tentuar, vetëm pas tre-katër muajsh nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, ta çojë vendin përsëri në zgjedhje të reja parlamentare, çmenduri e llojit që, në gjithë historinë e pasluftës në Kosovë, nuk dihet të ketë ndodhur edhe njëherë tjetër.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".