
Lexoni edhe:
Kombëtarja e Kosovës mund të motivohet nga çdo premtim, por ajo që do ta çojë drejt historisë është diçka shumë më e madhe
Shkruan: ANALISTI-Blerim Burjani
Është pozitive, kreative dhe përkrahëse; kombëtarja jonë e meriton. Më shumë meritojnë këta djelmosha për afirmimin e shtetit të Kosovës sesa politikanët, që faktikisht dhe fatkeqësisht nuk janë kurrgjë, por njerëz që emitojnë politikën dhe politikanin. Ne si shtet po pësojmë prej njerëzve të pavlerë në lidership; po pëson edhe futbolli, apo ka pësuar deri më sot, pastaj arti, kultura dhe shkenca. Kjo është tmerri më i madh që ka gjetur këtë popull, kur pseudovlera, jo kompetenca, qëndron mbi realitetin e njerëzve profesionalë që ishte dashur ta udhëheqin këtë popull.
-Pothuajse fajin më të madh në këtë shtet e ka pseudopolitika, parapolitika dhe bastardimi i fjalës së lirë. Andaj, sikur Kosova të kishte pasur lidership të përgjegjshëm, udhëheqës “normalë”, politikanë të aftë, sot Kosova nuk do të ishte kjo që duket: shtet ku emitohet politika, por nuk bëhet; shtet ku emitohet politika e pozitës, por nuk është për atë punë fare. Kosova po vuan prej një politike që për 26 vjet është degjeneruar, duke u katandisur në përfitime buxhetesh e interesa të njerëzve që nuk janë për këtë punë. Mosvetëdijësimi i popullit është problemi më i madh i shtetit.
Shteti ka humbur deri tash shumë prioritete që nuk lidhen vetëm me paranë; p.sh., askush nuk e ka ndalur qeverinë të bëjë reformën në arsim të lartë, të filtrojë kush merret me mësimdhënie, të reformojë profilet universitare me ekonominë e tregut. Kjo nuk bëhet me para, por me dije.
Kush e ka ndalur shtetin të merret me sigurimet shëndetësore dhe mbrojtjen efektive sociale, etj.? Defektet janë marramendëse, problematike dhe qytetari paguan faturën. Dhënia e parave për futboll është stimulim për afirmim të shtetit, por sikur të ishin dhënë për kinematografi, kulturë dhe arte, janë disa forma afirmative për shtetin. Më mirë me i dhënë 2 milionë për afirmim të shtetit në botë sesa me i futur në piramida kriminale dhe me përfituar matrapazë të shumtë që emitojnë politikën, por jo politikëbërjen. Kjo qeveri nuk di më shumë përveç me dhënë ndihma sociale dhe tash për sport; mjetin kryesor të veprimit e ka me dhënë lëmosha sociale, subvencione, pra me shpërndarë para, por jo me rritur ekonominë. Ky është defekt amator politik dhe shtetëror i dobët.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".