Shteti pa prodhimtari – një trup që merr frymë me aparate

Shteti pa prodhimtari – një trup që merr frymë me aparate
Shteti pa prodhimtari – një trup që merr frymë me aparate

Zef Prenka

  • 01 April 2026 - 17:25

Shkruan: Zef Prenka

Një shtet që nuk prodhon, nuk jeton – ai thjesht zvarrit ekzistencën. Prodhimtaria nuk është vetëm ekonomi; është sovranitet, dinjitet dhe siguri afatgjatë. Kur një vend nuk arrin të prodhojë as gjërat elementare për jetesë, ai hyn në një varësi të heshtur, ku tregu i jashtëm bëhet zot, ndërsa shteti vetë, një shërbëtor.

Në rastin e Kosovës, kjo dilemë nuk është më teorike. Ajo është realitet i përditshëm. Importi ka zëvendësuar prodhimin, ndërsa resurset bazë – uji, toka dhe ajri – në vend që të jenë burim zhvillimi, shpesh shndërrohen në objekt abuzimi. Kjo nuk është vetëm dështim ekonomik; është krizë vizioni. Sepse një shtet që nuk menaxhon burimet e veta, në fakt nuk e kontrollon as të ardhmen e vet.

Në këtë boshllëk prodhues, mërgata është kthyer në mushkërinë artificiale të ekonomisë. Remitencat mbajnë gjallë konsumin, stabilizojnë familjet dhe mbushin arkën e shtetit përmes tatimeve indirekte. Por kjo është një jetë “parazitare”: një sistem që nuk prodhon vetë, por ushqehet nga djersa e të tjerëve.

 Dhe çdo sistem i tillë ka një kufi , një moment kur lodhja, ndryshimi i gjeneratave apo rrethanat globale e ndërpresin këtë rrjedhë.

Paradoksi më i madh është se, edhe aty ku ka një shkëndijë zhvillimi – si në ndërtimtari , bie fjala– shteti shpesh sillet si frenues( me tatim mbivlerësues e herë-herë paushall), e jo si partner. Ndërtimtaria ka transformuar hapësirën urbane dhe ka krijuar qarkullim kapitali, por në vend që të kanalizohet drejt zhvillimit të qëndrueshëm, ajo përballet me barriera, pasiguri dhe mungesë strategjie. Një sektor që mund të ishte motor i ekonomisë, rrezikon të mbetet një rastësi e përkohshme.

Ndërkohë, një fenomen tjetër i rrezikshëm gërryen nga brenda: egoja dhe lakmia, qoftë personale apo grupore. Kur politika drejtohet nga interesa të ngushta, ajo humb aftësinë për të ndërtuar politika afatgjata. Subjektet politike nuk bien se i rrëzon dikush; ato bien sepse konsumojnë vetveten, hargjohen në elektorat dhe prurjet janë minimale, sepse e shohin përendimin e tyre. Dhe në momentin kur afrohet “fundi politik”, kërkojnë mëshirë nga qytetarët – pikërisht ata që i kanë harruar gjatë rrugës dhe nuk ua patën hatrin.

Pyetja thelbësore është: çfarë ndodh kur ndalen remitencat? 

Kur investimet, sado modeste, të mërgimtarëve zbehen? 

Atëherë zbulohet realiteti i zhveshur-një ekonomi pa bazë prodhuese, një shtet pa rezervë stabiliteti. Një “kohë zero” politiko-ekonomike, ku çdo iluzion bie dhe mbetet vetëm nevoja për rishpikje.

Prandaj, drejtimi i shtetit nuk mund të mbetet në duart e atyre që menaxhojnë krizën, por të atyre që ndërtojnë të ardhmen. Duhet kapital mendor; vizion, dije, strategji  dhe kapital material; investim, prodhim, zhvillim real. Vetëm kombinimi i këtyre dyjave mund ta nxjerrë një shtet nga cikli i varësisë në rrugën e qëndrueshmërisë.

Sepse në fund, një shtet nuk matet me sa konsumon, por me sa krijon. Dhe nëse nuk krijon – ai nuk vdes menjëherë, por fillon të shuhet ngadalë, deri sa të mbetet vetëm një emër në hartë dhe një kujtim në mendjet e qytetarëve të tij, nëse nuk gllabrohet nga jashtë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".