Dokumentimi i krimeve ndaj shqiptarëve të shkaktuara nga Serbia duhet të pasqyrohet në të gjitha format

Dokumentimi i krimeve ndaj shqiptarëve të shkaktuara nga Serbia duhet të pasqyrohet në të gjitha format
Dokumentimi i krimeve ndaj shqiptarëve të shkaktuara nga Serbia duhet të pasqyrohet në të gjitha format

Gani Qarri

  • 03 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Dokumentimi i krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të pambrojtur, të shkaktuara nga Serbia okupatore gjatë luftës në Kosovë, duhet të dëshmohet, pasqyrohet dhe publikohet sa më shpesh dhe në të gjitha format, jo vetëm me ekspozita, nga ata që dinë dhe kanë mundësi ta bëjnë si duhet këtë detyrë kombëtare. Siç dihet, mbledhja e fakteve dhe grumbullimi i provave të krimit dhe gjenocidit serb, të shkaktuara nga ushtria dhe policia okupatore serbe në Kosovë, kishte filluar formalisht në vitin 2011, kur edhe ishte themeluar asokohe një institut për këto çështje.

 

-Instituti në fjalë funksionoi vetëm përkohësisht, megjithatë publikoi raporte dhe botoi edhe libra që trajtonin pasojat e luftës dhe të gjenocidit serb, si dhe grumbulloi dëshmi dhe të dhëna për shqiptarët e zhdukur e të kidnapuar nga Serbia fashiste. Por në vitin 2018, për shkaqe banale dhe as sot e kësaj dite të pasqaruara zyrtarisht, iu vu "dryni" dhe u mbyll nga Qeveria Haradinaj.

Siç sqaron ish-profesori dhe udhëheqësi i atij instituti, dr. Ismet Salihu, i cili ishte profesor i së Drejtës Penale dhe të Drejtës Ndërkombëtare, në vend se nga Qeveria e PAN-it të rritej e zgjerohej stafi punues dhe të përmirësoheshin mundësitë e veprimit, gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Instituti u mbyll tërësisht, me arsyetimet "jozyrtare" që asokohe dëgjoheshin publikisht, jo vetëm nga Baton Haxhiu, por edhe nga goja e Hajredin Kuqit, se Kosova nuk do të merrej më me krimet serbe dhe se po përgatitej t’ia falte Serbisë gjenocidin dhe krimet e tmerrshme që ajo kishte kryer gjatë viteve të luftës kundër shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.

Mbi 6300 trupa të vrarë e të kidnapuar, që forcat okupatore serbe i morën me vete në Serbi, edhe sot Vuçiqi i mban peng dhe, as pas më tepër se 26 vitesh nga përfundimi i luftës, ende nuk dihet se ku gjenden e si kanë përfunduar. Megjithatë, partitë e sotme opozitare, veçanërisht PDK e AAK, përkundër të gjitha masakrave që kishte kryer Serbia okupatore në Kosovë, përhapën lajmin kobzi se donin t’ia falnin Serbisë krejt tragjeditë e kryera ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë. Për këtë arsye, herët a vonë, ata që ishin pjesë e vendimit për mbylljen e Institutit për krimet e luftës dhe të gjenocidit barbar serb ndaj shqiptarëve të pambrojtur, duhet të vendosen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Gashi apo kushdo qoftë tjetër, ndoshta nuk kishin edhe ku t’i merrnin të dhënat më të hollësishme, pasi që Instituti për Krimet dhe Gjenocidin e Serbisë, të shkaktuara gjatë viteve të luftës kundër shqiptarëve në Kosovë, u mbyll më 2018. Vetëm me insistimin e kryeministrit Kurti u miratua një ligj i veçantë në Kuvend, ndërsa më 8 nëntor të vitit 2023 u riformua përsëri ky institut jetik, që është detyrim shtetëror dhe përgjegjësi morale e kombëtare e secilës qeveri, për dokumentimin e vuajtjeve të popullit shqiptar nën okupimin serb, si dhe obligim historik për parashtrimin zyrtar të kërkesës shtetërore dhe institucionale të vendit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për trajtimin juridik e ligjor të gjenocidit dhe krimeve të Serbisë okupatore, të kryera në mënyrë të organizuar shtetërore kundër shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.

Sipas profesor Ismet Salihut, instituti i rithemeluar me ligj të veçantë nga Kuvendi i shtetit, përveç zyrës, objektit dhe buxhetit të nevojshëm, që nga rithemelimi më 2023, me vendim të Qeverisë Kurti ka të punësuar mbi 15 profesionistë me përgatitje të lartë shkencore, prej të cilëve mbi 6 doktorë shkence e 6 të tjerë me master, si dhe staf plotësues deri në pesë veta, me detyrë që të punojnë në terren. Ndërsa Instituti për Krimet dhe Gjenocidin Serb ka mandat që të hulumtojë dhe dokumentojë edhe krimet dhe aktet e tjera kriminale që kanë çuar te shpërthimi i luftës në Kosovë, me qëllim të paraqitjes së plotë të fakteve, të cilat ndërlidhen drejtpërdrejt me gjenocidin dhe krimet shtetërore të Serbisë gjatë viteve të okupimit dhe të luftës ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.

Prandaj përgjegjësia kryesore nuk mund të bjerë vetëm mbi Shkëlzen Gashin, por kryesisht mbi ata që qëllimisht e kanë mbyllur Institutin për Hulumtimin e Krimeve dhe Gjenocidit të Serbisë në Kosovë, si dhe mbi ata që kanë grumbulluar mbi 60 mijë veteranë, mbi dy të tretat e të cilëve nuk e dinë çfarë është lufta, as nuk kanë qenë kurrë në luftë. Ndaj dënimin meritor e kanë hak pikërisht ata që mbyllën Institutin për Hulumtimin e Krimeve dhe Gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe nuk bënë asgjë për dokumentimin e atyre krimeve, madje dolën edhe me thirrjen publike për faljen e gjenocidit dhe krimeve të Serbisë okupatore, që ajo i kreu në mënyrë të organizuar shtetërore gjatë kohës së luftës kundër shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.

E sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, sot "veteranët" e rrëzuar nga traktorët apo që kanë thyer këmbët duke prerë dru nëpër mal, futen me forcë edhe në objektin e Kuvendit të Kosovës dhe spërkatin hapësirat me ngjyrë të kuqe, kinse po protestojnë kundër një ekspozite në letër dhe pankartave lëvizëse, për të mbuluar të pabërat e veta ndaj të vrarëve e të kidnapuarve dhe familjarëve të tyre. Ngase për më tepër se 26 vite të pasluftës nuk kanë mbledhur e as dokumentuar asnjë fakt autentik mbi krimet dhe gjenocidin serb të kryera nga Serbia gjatë viteve të luftës ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, madje promovuan publikisht edhe tendencën e stërkequr e thellësisht antikombëtare për faljen e gjenocidit dhe krimeve të luftës ndaj shqiptarëve nga Serbia fashiste e Millosheviqit dhe pasardhësit të tij, Aleksandër Vuçiqit.

Kështu që fajet nuk mund t’i hidhen Natasha Kandiqit, as Sonja Biserkos, ngase ata që e mbyllën Institutin për Krimet dhe Gjenocidin e shtetit serb në Kosovë dihen: janë shqiptarë, kanë emra e mbiemra dhe kanë mbajtur edhe postet më të larta institucionale, shtetërore, politike dhe partiake, e disa mbajnë edhe sot poste të larta udhëheqëse partiake. Ndërsa Natasha Kandiq, Sonja Biserko e ndonjë tjetër, kanë zbardhur disa akte shumë të tmerrshme të krimeve dhe gjenocidit të Serbisë fashiste ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë. Madje Natasha Kandiq ka kërkuar publikisht edhe hapjen e arkivave ushtarake nga Serbia, për të dalë në shesh të gjitha faktet mbi gjenocidin dhe krimet e Serbisë okupatore të kryera kundër shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë. Ndërsa avokati i njohur serb Boban Bogdanoviq, më 16 maj të vitit 2024, ka parashtruar zyrtarisht edhe padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia okupatore ndaj shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës në vitin 1999, duke u bërë thirrje Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar për mbështetje. Derisa Kosova ende nuk ka qenë në gjendje të padisë vetë Serbinë, ndërsa Hashim Thaçi me kompani donin t’ia falnin gjenocidin dhe të gjitha krimet e kryera Serbisë.

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, u deklarua publikisht edhe lidhur me gabimet e lëshuara në ekspozitën e paradoditshme në Prishtinë, duke theksuar se Serbia vrau civilë dhe jo njerëz të armatosur në burgun e Dubravës. Aty, nga forcat okupatore serbe, u vranë persona të privuar nga liria dhe të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës, të cilët ishin nën kontroll të plotë të forcave okupatore të Serbisë fashiste në Kosovë, siç u vranë njerëz të pafajshëm dhe civilë të paarmatosur edhe në fshatin Meje afër Gjakovës.

Andaj një ekspozitë që mban pasaktësi rreth krimeve të luftës, është shumë imediate të kërkohet largimi urgjent i saj nga hapësirat publike, si dhe është e nevojshme të hapet një debat i gjerë publik, pa vonesa të mëtejme, për të vërtetuar faktet dhe korrigjuar narrativat e kontestuara nga njerëz profesionistë që njohin zhvillimet e kohës dhe zyrtarë të autorizuar nga departamenti përkatës i shtetit.

Kështu që shfaqja e ekspozitave private dhe të paverifikuara nga institucionet e autorizuara shtetërore, veçanërisht për tema kaq të ndjeshme, tani dhe në të ardhmen duhet medoemos të ndalohet. Përndryshe, diskursi i tillë publik – mes akuzave për “diskreditim” dhe “mungesë përgjegjësie” – rrezikon të dëmtojë besimin jo vetëm te Fondi për të Drejtën Humanitare, por edhe te institucionet zyrtare të shtetit. Kjo e rrit edhe më tepër nevojën për verifikim rigoroz të fakteve historike nga njerëz profesionistë e zyrtarë të autorizuar nga institucionet përkatëse shtetërore, kur dihet mirëfilli se histori kaq të dhembshme nuk durojnë shkarje e lojëra të njerëzve të paautorizuar, që me veprimet e tyre personale e grupore më tepër dëmtojnë se sa ndihmojnë tema kaq të ndjeshme e delikate, siç është çështja ende e pazbardhur plotësisht e shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar dhe atyre që ende konsiderohen të zhdukur, që janë mbi 6000 sosh. Tash e mbi 26 vite pas luftës, familjarët presin me varre të hapura kthimin e trupave të tyre për amshim në atdhe.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".