Oroshi: Shkëlzen Gashi si duket i përket kategorisë që e trajton historinë si debat televiziv

Oroshi: Shkëlzen Gashi si duket i përket kategorisë që e trajton historinë si debat televiziv
Oroshi: Shkëlzen Gashi si duket i përket kategorisë që e trajton historinë si debat televiziv

Nue Oroshi

  • 04 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Në Republikën e Kosovës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999, kanë filluar të shkruajnë histori parahistorianët. Në shumë raste, këta po dominojnë mbi historianët e vërtetë dhe madje po përfitojnë mjete të konsiderueshme nga institucionet e Kosovës, ndërkohë që puna e tyre shpesh është për t’u vajtuar. Për të shkruar historinë, ajo duhet studiuar thellësisht. Përveç historisë, duhen zotëruar edhe shkencat ndihmëse të saj, të cilat e forcojnë punën e historianit të vërtetë dhe e çojnë drejt së vërtetës historike.

 

-Këto përfshijnë: paleografinë, diplomatikën, kronologjinë, sfragjistikën, heraldikën, arkivistikën dhe shumë të tjera. Historiani i vërtetë duhet t’i përdorë të gjitha këto për të arritur te një shkrim i saktë dhe i argumentuar i historisë. Shkëlzen Gashi, si duket, i përket kësaj kategorie që e trajton historinë si debat televiziv. E quaj parahistorian, pasi nuk kam parë të marrë pjesë në sesione apo akademi shkencore, aty ku mblidhen historianët e mirëfilltë. Ai, si edhe disa të tjerë, duket se ndjek moton: “Fol dhe shkruaj çfarë të duash, se ajo është histori.” Fatkeqësisht, projekte të tilla po përkrahen edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës. Në këtë rast, edhe një ekspozitë është financuar nga Parlamenti i Kosovës.


Kur shkruhen libra apo organizohen ekspozita të tilla, është e domosdoshme të konsultohen historianët e mirëfilltë dhe të mbështeten në burime të sakta historike, sidomos kur bëhet fjalë për masakrat serbe në trojet shqiptare. Në këtë drejtim, shoqata “Trojet e Arbrit” ka botuar dy vepra enciklopedike mbi masakrat serbe në trojet shqiptare, me rreth 1300 faqe, që mbulojnë periudhën 1912–1999. Në këto vepra kanë kontribuar 86 studiues dhe historianë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Evropa dhe Amerika. Janë dokumentuar vendet e masakrave, koha kur kanë ndodhur, emrat e viktimave dhe shumë fakte të tjera të rëndësishme. Megjithatë, këto vepra nuk janë përkrahur nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës për t’u përkthyer në gjuhën angleze dhe për t’u shpërndarë në botë, me qëllim informimin për gjenocidin dhe krimet e kryera nga Serbia nga viti 1912 deri në vitin 1999. Aty ku nuk përkrahet profesionalizmi, shfaqet amatorizmi. Shpresoj që në këtë rast të kemi të bëjmë vetëm me amatorizëm dhe jo me diçka tjetër më të rëndë. Edhe më shqetësuese është se libra të tillë shpërndahen nga ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës nëpër Evropë dhe vende të tjera, gjë që duhet urgjentisht të rishqyrtohet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".