Komunizmi demokratik është një doktrinë mbi lirinë e plotë të njeriut

Komunizmi demokratik është një doktrinë mbi lirinë e plotë të njeriut
Komunizmi demokratik është një doktrinë mbi lirinë e plotë të njeriut

Nexhat Bexheti

  • 07 April 2026 - 15:30

Shkruan: Nexhat Bexheti

Komunizmi klasik u tërhoq për t’ia liruar hapësirën demokracisë, si një formë e re e organizimit të shoqërisë, me shpresën se njerëzimit do t’i sillte një jetë më të lumtur.

Megjithatë, njerëzimi nuk u shpëtua nga pakënaqësitë e së kaluarës në demokraci, por përkundrazi, në shumë raste e humbi edhe më shumë lirinë si individ, duke u bërë pjesëtar i një ekosistemi të ndërtuar nga klane ndërkombëtare, me programe shfrytëzuese të njeriut ndaj njeriut.

Në demokracinë dogmatike, punëtori shet krahun e punës me ditë apo me orë dhe në këtë mënyrë krijon të mira materiale që i sjellin fitim kapitalistit demokrat, por pa marrë pjesë në ndarjen e këtij fitimi. Ai mbetet vetëm me mëditjen e shitur. Sedimentimi i këtyre dukurive sjell pasoja të rënda shoqërore dhe morale.

Morali, si rregullator dhe atribut i mirësjelljes njerëzore në rrjetin social, parashikon respektimin e personalitetit të çdo individi, pavarësisht fërkimeve dhe ambicieve impulsive që shoqërojnë jetën e përditshme të punëtorëve apo grupeve të ndryshme shoqërore. Mirëpo, parimet e sjelljes prosociale janë zvetënuar deri në dimensione antisociale që nga fillimi i tranzicionit demokratik e deri më sot.

Duhet theksuar se kjo është pasojë e keqpërdorimit dhe papërgjegjësisë së lidershipit shoqëror dhe shtetëror, i cili e ka mbështetur dhe sponsorizuar këtë gjendje. Kur pseudo-afaristët gjejnë mbështetje tek pushteti, ata shkelin normat elementare të marrëdhënieve të punës dhe kështu aktivizojnë një spirale që prodhon varfëri brenda vetë shoqërisë.

Klasa politike shpesh nuk është e vetëdijshme për pasojat fatale mbi popullatën e vet. Në këtë mënyrë krijohet një realitet i hidhur: shteti kundër shtetasve të vet.

Ky formacion shoqëror mund të kategorizohet si një deklinim psikosocial dhe sociokulturor i shoqërisë demokratike-dogmatike, pra si një tjetërsim i demokracisë.

Duke e hedhur poshtë demokracinë dogmatike, mund të parandalohet një krizë në të cilën vetëm të pasurit ia dalin mbanë, ndërsa të varfrit varfërohen edhe më shumë. Bota, pavarësisht përparimit të shkencës dhe teknologjisë, nuk po përparon në mënyrë të barabartë. Ende nuk është bërë mjaftueshëm për të siguruar që edhe të varfrit të bëhen qytetarë të denjë dhe të mirëqenë.

Suksesi i ekonomisë moderne nuk qëndron vetëm në zhvillimin e prodhimit, por në mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet midis të pasurve dhe të varfërve. Nëse për dekada kemi dështuar, atëherë duhet të pranojmë se ndoshta nuk jemi në rrugën e duhur.

Bota, dhe veçanërisht ne, nuk kemi nevojë për përvetësimin e padrejtë të ekonomisë dhe kapitalit, as për zhvatjen e buxhetit të shtetit nga udhëheqësit politikë që gëzojnë besimin e qytetarëve.

Demokracia dogmatike duhet t’ia lëshojë hapësirën një formacioni të ri shoqëror, pa revolucion dhe pa viktima. Ideologjia e komunizmit demokratik do të pranohet vullnetarisht, pasi vetëdija shoqërore do të rritet natyrshëm si rezultat i lodhjes nga konfliktet dhe luftërat në botë.

Deri më tani ka sunduar një formë e komunizmit diktatorial, i cili ka lënë pas një histori të përgjakur për njerëzimin. Tani ka ardhur koha për një formacion të ri, ku njeriu do të fitojë liri të plotë dhe shumëdimensionale.

Paqja e shumëdëshiruar do të mbizotërojë dhe garat në armatim do të shndërrohen në mekanizma mbrojtjeje për njerëzimin.

Njeriu do të vlerësohet dhe nuk do të sundohet nga oligarkët, por as nuk do të tjetërsohet nga njeriu tjetër.

Aksiomat e reja nuk duhet të kuptohen si absurditet, por si realitet i së ardhmes.

Ky formacion i ri quhet: Komunizmi demokratik

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".