Zeqa: Bashkimi i LVV-së me PDK-në do të ishte zgjidhja më optimale për Albin Kurtin

Zeqa: Bashkimi i LVV-së me PDK-në do të ishte zgjidhja më optimale për Albin Kurtin
Zeqa: Bashkimi i LVV-së me PDK-në do të ishte zgjidhja më optimale për Albin Kurtin

Florim Zeqa

  • 11 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Ditët po kalojnë dhe me shpejtësi po shkohet drejt fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit! Pas dështimit të bisedimeve me kryetarin e LDK-së, Albin Kurtit i ka mbetur vetëm PDK-ja si zgjidhje reale dhe optimale për të mos e dërguar vendin në zgjedhje.

 

-Arritja e një marrëveshjeje politike me PDK-në dhe ofrimi i postit të presidentit për z. Bedri Hamza është zgjidhja më realiste dhe më pragmatike e Albin Kurtit, jo vetëm për zgjidhjen e krizës politike, por edhe për vazhdimin e qeverisjes në vend.

Bashkëqeverisja LVV-PDK, përkatësisht koalicioni mes dy partive më të mëdha në vend, do të prodhonte stabilitet politik dhe mbarëvajtje të legjislaturës së X-të deri në fund të mandatit politik.

Njëherit, ky do të ishte koalicioni më natyral i pasluftës në Kosovë.

Bashkimi i dy forcave politike me përafrim të bindjeve ideologjike do të ndikonte në konsolidimin e të djathtës shqiptare në Kuvendin e Kosovës si opozitë konstruktive, e cila gjithçka tjetër mund të quhet tani, vetëm opozitë jo!

Pra, përafrimi i PDK-së me LVV-në është më lehtë i arritshëm sesa që ishte bashkimi i LDK-së me PDK-në në vitin 2007.

Andaj, për të mirën e vendit duhet lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe inatet personale për stabilitet institucional në vendin tonë.

Bashkimi i LVV-së me PDK-në do të ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe zgjidhja më optimale për Albin Kurtin për të vazhduar me qeverisjen e vendit!

Kosovës i duhet stabilitet numerik në Kuvend për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pse jo edhe arritjen e një konsensusi politik për ndryshimet aq të nevojshme kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli dhe futjen e referendumit në aktin më të lartë juridik, për deklarimin plebishitar të popullit për çështje kruciale që determinojnë të ardhmen e vendit.

Në të kundërtën, zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë asnjë rezultat pozitiv për LVV-në, përveç rënies në elektorat dhe dobësimit të Albin Kurtit si lider më i votuar në Kosovën e pasluftës!

LDK-ja e fragmentizuar, pa një reformim të thellë, nuk është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, sikurse edhe AAK-ja që është në rënie të dukshme elektorale.

Andaj, Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe as për të eksperimentuar zgjedhje të reja me forca të vjetra politike pa ngjizjen e një alternative të re politike.

Albini e ka rastin historik të dëshmojë lidership dhe pjekuri politike në arritjen e partneritetit me PDK-në; në të kundërtën, për dështimin eventual në zgjedhjen e presidentit, e tërë përgjegjësia politike do të bjerë mbi të!

Partitë opozitare nuk kanë çka humbin më shumë nga zgjedhjet e reja; përkundrazi, mund të arrijnë ndonjë ngritje të lehtë elektorale, por jo të mjaftueshme për krijimin e institucioneve të reja!

Që i bie se me zgjedhje do të shkojmë sërish në kriza të reja politike pa zgjidhje dhe pa shpresë për një të nesërme më të mirë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".