Qarri: Zgjedhja e një personaliteti si Joseph DioGuardi për president të Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë

Qarri: Zgjedhja e një personaliteti si Joseph DioGuardi për president të Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë
Qarri: Zgjedhja e një personaliteti si Joseph DioGuardi për president të Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë

Gani Qarri

  • 11 April 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Lajmi se shqiptarët në kohët më të vështira të okupimit klasik nga Serbia fashiste kishin zërin e tyre autokton në Kongresin amerikan, ishte një rilindje e dytë, veçanërisht për shqiptarët e shumëvuajtur të Kosovës; aktiviteti dhe kontributi i pareshtur i të cilit bëri bujë të madhe, jo vetëm atëherë, por vazhdon edhe sot me shumë përkushtim e dinjitet të lartë, ndaj të vetmin opsion të dobishëm për vendin, aktualisht unë e shoh zgjedhjen e Joseph J. DioGuardit për president të Kosovës.

 

-Në kohën kur Joseph DioGuardi filloi aktivitetin politik, vetëm rreth 12 përfaqësues nga 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve dinin fare pak për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe, siç do ta shpjegonte DioGuardi në një intervistë të dhënë në vitin 2000, përveç Tom Lantosit, as këta 12 përfaqësues nuk ishin në dijeni se Kosova popullohej nga shumica dërrmuese shqiptare dhe as për keqtrajtimin e rëndë e shtypjen e pashembullt të shqiptarëve nga Serbia okupatore, që ishte fakt shumë shqetësues në situatën trishtuese të cilën aso kohe e përjetonte Kosova nën okupimin e Serbisë fashiste.

Joseph DioGuardi është njëri prej politikbërësve më të njohur, interkontinental-mbarëshqiptar, i cili në vazhdimësi ka bërë shumë për çështjen kombëtare dhe veçanërisht është dalluar për kontributin e pareshtur në Kongres dhe Qeverinë amerikane për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe pavarësinë e Kosovës; një politikan i shquar dhe atdhetar i mirënjohur shqiptaro-arbëresh, i cili prej kohësh në Amerikë përfaqëson përkushtimin patriotik ndaj kauzës kombëtare të popullit shqiptar.

DioGuardi është themelues e kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe avokati më i mirë i popullit shqiptar të Kosovës në SHBA, i cili, duke shërbyer në institucionet amerikane, ka bërë aq shumë për çështjen shqiptare dhe jetësimin e pavarësisë së Kosovës sa nuk ka asnjë shembull tjetër si ai; madje, duke qenë edhe anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë të gjitha viteve më kritike për vendin tonë, nuk ka kursyer punën, mundin, aktivitetin e pareshtur politik dhe kontributin madhor për çlirimin, pavarësinë dhe të ardhmen e sigurt të shtetit të lirë të Kosovës, si dhe garantimin e fatit të kombit shqiptar në shekullin e ri, siç do të shprehej ai vetë!

DioGuardi ka një biografi të bujshme dhe përvojë të gjatë politike; ai qysh në moshën 15-vjeçare u emërua senator i shtetit të Nju Jorkut, në Kongresin e SHBA-së, si përfaqësues i një dikasteri të Nju Jorkut që udhëhiqej nga demokratët, edhe pse vetë ishte anëtar i Partisë Republikane, i cili falë mbështetjes së presidentëve Ronald Reagan, Gerald Ford, George Bushit të vjetër etj., arriti të zhvillonte një karrierë të shquar politike dhe, me zellin e pashembullt të një patrioti të madh, DioGuardi kontaktoi presidentët amerikanë, sekretarët e tyre të shtetit, anëtarët kryesorë të Kongresit Amerikan, republikanë e demokratë, dhe përfaqësues e udhëheqës të lartë ndërkombëtarë, për të mbështetur shqiptarët nën okupimin serbosllav dhe avancuar çështjen e Kosovës kudo në botë.

Joseph DioGuardi, në bashkëpunim të ngushtë me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA-së, paraqiti dhjetëra rezoluta mbi çështjen kombëtare shqiptare dhe në maj të vitit 1990, bashkë me Tom Lantos-in, vizitoi Kosovën, duke u bërë zyrtarët e parë të lartë amerikanë që mësuan situatën e rënduar politike nga afër; në gusht të vitit 1990, ai ishte bashkë me z. Bob Dole në Kosovë, ndërsa më 1998, me kërkesë të Dana Rohrabacher, vizituan Kosovën për të parë në vend krizën humanitare të shkaktuar nga Serbia në Kosovë, etj., i cili u bë ndër zërat më të fuqishëm në Kongresin Amerikan për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe pavarësinë e Kosovës.

DioGuardi, duke shërbyer në institucionet amerikane, ka bërë shumë për çështjen shqiptare dhe jetësimin e pavarësisë së Kosovës, angazhim që vazhdon edhe sot e kësaj dite me shumë dinjitet e përkushtim, duke u shndërruar në shembullin më madhështor që do të mbahet mend dhe nuk do të harrohet asnjëherë nga shqiptarët; i cili gjithë aktivitetin politik në Kongresin e SHBA-ve do t’ia përkushtonte me mish e me shpirt çështjes së Kosovës, duke bërë krejt çfarë mundi për të ngritur nivelin e informimit dhe për të përfituar mbështetje sa më të madhe në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA-së, kurse me prezantimin e rezolutave për Kosovën në Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe Kongresin e SHBA-së, DioGuardi hapi një etapë të re, të panjohur deri atëherë në historinë e shqiptarëve, për çështjen kombëtare dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi serb.

DioGuardi është politikbërësi më i sprovuar dhe kandidati më serioz shqiptar me reputacionin më të veçantë amerikan e botëror, brenda SHBA-ve dhe në arenën ndërkombëtare; Kosova, as trojet tjera shqiptare, nuk e kanë asnjë politikan shqipfolës që mund t’i afrohet atij, qoftë për përvojë në politikë, qoftë për dije e inteligjencë dhe performancë në marrëdhëniet ndërkombëtare; i cili, përveç kontributit të jashtëzakonshëm të deritanishëm për Kosovën, edhe gjatë përfaqësimit të Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare do ta gëzojë mbështetjen e plotë amerikane. Ndaj Qeveria dhe institucionet përkatëse, nëse edhe përkundër gjithë atij kontributi që për dekada z. DioGuardi ka dhënë për Kosovën, nuk i kanë ofruar pasaportën dhe shtetësinë e vendit tonë, duhet urgjentisht ta pajisin me pasaportë e dokumentet e nevojshme të Republikës së Kosovës dhe ta propozojnë për president, si njeriun më meritor për mundin e pakursyer dhe aktivitetin e suksesshëm disadekadësh politik në SHBA, Evropë e më gjerë, që do të ishte një shpërblim dinjitoz për angazhimin e tij të veçantë shumëvjeçar dhe një mirënjohje simbolike që Kosova ta ketë një njeri të tillë për president dhe përfaqësues të shtetit tonë në SHBA dhe botën mbarë.

Lërini më Bedri Hamzat, Lumir Abdixhikun e aq më tepër njerëz të konsumuar si Lutfi Haziri, të cilët nuk i njeh askush jashtë vendit dhe profesion të vetëm kanë ndërskamcat politike, ngërçet e bllokadat institucionale, kur dihet mirëfilli se vendit tonë të vogël, pa shumë miq, të papranuar nga të gjitha vendet dhe ende të pa anëtarësuar në OKB e shumë organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare, i duhet një politikan me përvojë të gjatë, një strateg i sprovuar politik me njohuri të gjera, veçanërisht në diplomacinë ndërkombëtare si z. Joseph DioGuardi; derisa zgjedhja nga kasta aktuale politike e presidentit në Kosovë është kthyer në luftë të hapur ndërpartiake dhe garë intrigash e prapaskenash konspirative, si shumë inskenime e obstruksione të njohura negative nga viti i kaluar, që edhe aktualisht po avancojnë përçarjet gjithnjë e më të thella ndërshqiptare, me strategjinë perfide për destabilizimin e vendit, shkaktimin e kaosit dhe tendencat e hapura për shkaktimin e konflikteve të brendshme, për rikthimin e ndikimit të Serbisë në vendin tonë.

Zgjedhja e presidentit të vendit duhet të vendosë edhe qëndrueshmërinë politike të vendit; Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku apo Lutfi Haziri do ta komplikonin edhe më tepër gjendjen dhe vendi nuk mund të krijojë unitet as të ecë përpara politikisht me ata që, për rreth një vit, luajtën me shtetin, duke krijuar ngërçe të vazhdueshme politike dhe duke shkaktuar bllokadë publike kundër krijimit të institucioneve legjitime të shtetit; me emra të tillë që në vazhdimësi kanë bllokuar gjetjen e zgjidhjes, madje edhe sot pengojnë zgjedhjen e presidentit, si dhe pamundësojnë tejkalimin e krizës aktuale, nuk mund të shpresohet në zgjidhje realiste. Qytetarët dhe shteti i Kosovës kanë nevojë urgjente për një president serioz, me ndikim në SHBA dhe reputacion në diplomacinë botërore, si Joseph DioGuardi, i cili në përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit, si në SHBA e BE, ashtu edhe në OKB dhe arenën e gjerë ndërkombëtare, gëzon mbështetjen e fuqishme të Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH) dhe përkrahjen e parezervë të Amerikës për të gjitha takimet bilaterale dhe rastet e nevojshme në çfarëdo situate politike.

Pra, zgjedhja e një personaliteti si Joseph DioGuardi për president të Kosovës është pothuajse e domosdoshme, është nder i veçantë dhe do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për vendin tonë, të cilin besoj se do ta votonin të gjitha partitë pa përjashtim, përveç dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës "Listë Serbe"; zgjedhja e tij do ta mënjanonte edhe shkuarjen në zgjedhje të reja, do të shuante tensionet aktuale politike dhe do të zbutte dukshëm insinuatat e stërzgjatura ndërpartiake, kur dihet mirëfilli se zgjedhjet e reja mund të prodhojnë rezultat të ngjashëm apo të përafërt me ato të 28 dhjetorit dhe vetëm sa do të vijonte riciklimi i përsëritjes së krizave politike edhe pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".