Davies: Ia kërkova fanellën Messit, por ai ishte i zemëruar

  • S.A /
  • 20 August 2020 - 09:38
Davies: Ia kërkova fanellën Messit, por ai ishte i zemëruar

Mbrojtësi i majtë i Bayern Munich, Alphonso Davies, ka thënë se Lionel Messi nuk kishte pranuar t’ia jepte fanellën atij, pas humbjes turpëruese 8:2 që Barcelona e pësoi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve javën e kaluar.

Davies me bashkëlojtarë e mundën 3:0 Lyonin në gjysmëfinale të mërkurën në Estadio Jose Alvalade, duke ia siguruar Bayernit një vend në finale kundër PSG-së.

Kjo fitore e Bayernit vjen pas triumfit tronditës kundër Barcelonës në çerekfinale, në një mbrëmje në të cilën dështimi i vetëm që Davies e përjetoi ishte marrja e fanellës së 10-shit të famshëm si dhuratë.

Adoleshenti i talentuar kanadez e kupton Messin dhe thotë se shpreson se do ta ketë mundësinë ta marrë fanellën e tij një herë tjetër.

“Ia kërkova fanellën, por mendoj se ishte paksa i zemëruar. Është OK, shpresoj që herën tjetër”, tha Davies.

Zemërimi i Messit është i kuptueshëm sepse Barcelona e përfundoi sezonin 2019/20 pa asnjë trofe të fituar, gjë që hedh dyshime mbi të ardhmen e 33-vjeçarit në klubin katalonas.

Madje thuhet se Messi mund të largohet nga Camp Nou, sepse marrëveshja me klubin i mbaron vitin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online )