Vazhdon hidhërimi i Lazios me Silvën: Kur ia jep besën dikujt…

  • S.A /
  • 20 August 2020 - 08:53
Vazhdon hidhërimi i Lazios me Silvën: Kur ia jep besën dikujt…

Lazio e ka kritikuar përsëri e përsëri mesfushorin veteran spanjoll, David Silvën, ndaj të cilit ende mban hidhërim për mënyrën sesi e zgjodhi Real Sociedadin para saj, duke e akuzuar për pabesnikëri.

Silva, i cili ishte lojtar i lirë këtë verë pasi i mbaroi kontrata me Manchester City pas plot një dekade, ishte buzë kalimit në Lazio, klub me të cilin i kishte rezervuar edhe testet mjekësore.

Lazio e akuzon atë se nuk i ishte përgjigjur telefonatave të saj pavarësisht ujdisë në parim dhe në fund nënshkroi për Real Sociedadin.

“Shumë gjëra janë thënë në 48 orët e fundit për rastin e David Silvës”, tha drejtori për marrëdhënie me publikun i Lazios, Stefano De Martino.

“Lazio është sjellë gjithmonë në mënyrë korrekte dhe ne ende besojmë se nëse dikush ta japë fjalën, kjo do të thotë diçka”, tha De Martino.

“Drejtori sportiv Igli Tare ka komentuar tashmë për këtë çështje, sepse Lazio bëri gjithçka që ishte e nevojshme në mënyrë të hapur dhe të drejtë”, shtoi ai.

“Disa versione që i kemi lexuar në dy ditët e fundit nuk janë të saktat dhe është zhgënjim të shohësh sesi njerëzit po shpërndajnë thashetheme”, nënvizoi ai.

(Kosova Sot Online )