Barcelona i urdhëron drejtorët dhe menaxherët të mos i përgjigjen asnjë klubi për Messin

  • A.P /
  • 30 August 2020 - 11:36
Barcelona i urdhëron drejtorët dhe menaxherët të mos i përgjigjen asnjë klubi për Messin

Barcelona nuk po mund assesi të pajtohet me faktin se lojtari më i mirë në historinë e vet, Lionel Messi, ka vendosur përfundimisht të largohet. Bordi i Barçës i ka urdhëruar drejtorët dhe menaxherët të mos i përgjigjen asnjë telefonate të klubeve të interesuara për kapitenin argjentinas.

Pavarësisht sesa i vendosur është Messi të largohet, Barça nuk e ka ndërmend ta marrë parasysh kërkesën e kapitenit dhe ka vendosur t’i injorojë ofertat për të.

Gazeta e përditshme katalonase, Mundo Deportivo – e cila është e afërt me klubin – shkruan se bordi i Barçës i ka urdhëruar drejtorët dhe menaxherët e vet të mos i përgjigjen thirrjeve të klubeve të interesuara për Messin.

Edhe nëse ndonjë klub arrin marrëveshje personale me Messin, Barcelona është e vendosur të mos e marrë parasysh këtë dhe të mos ulet fare në tavolinë për të biseduar.

Barcelona është e vendosur të përpiqet ta bindë Messin të qëndrojë, duke e arritur një marrëveshje për të vazhduar deri në qershor të vitit 2021, e pastaj, me president dhe bord të ri pas zgjedhjeve të majit, të ulet dhe të bisedojë përsëri me gjashtë herë fituesin e Topit të Artë.

Messi nuk u paraqit sot në qendrën mjekësore të Barcelonës për ta kryer testin për Covid-19 para fillimit të stërvitjeve të hënën.

Ai e ka njoftuar klubin se nuk do të paraqitet në stërvitje nën urdhrat e trajnerit të ri Ronald Koeman.

(Kosova Sot Online)