Drejtori sportiv i Werderit tregon më të rejat rreth transferimit të Rashicës

  • S.A /
  • 31 August 2020 - 10:38
Drejtori sportiv i Werderit tregon më të rejat rreth transferimit të Rashicës

RB Leipzig nuk është plotësisht jashtë garës për afrimin e Milot Rashicës, sipas drejtorit sportiv të Werder Bremenit, Frank Baumann.

Anësori i Kombëtares së Kosovës, Rashica pritet të largohet nga Werderi pas gati tri vjetëve, por kalimi i tij në Leipzig ka ngecur shkaku i mospajtimeve mes palëve rreth çmimit të tij.

Baumann, drejtori sportiv i Werderit, i ka shpalosur më të rejat rreth transferimit të Rashicës, duke thënë se ai nuk do t’i bashkohet Leipzigut, nëse palët nuk bëjnë lëshime në bisedime.

“Të dy klubet i kanë caktuar kufizimet e veta, të cilat nuk duan t’i tejkalojnë në këtë kohë”, ka thënë Baumann.

Werderi i kërkon 25 milionë euro për ta shitur Rashicën, ndërsa Leipzig nuk jep më shumë se 15 milionë euro, plus bonuse.

“Nëse askush nuk heq dorë nga kufizimet, atëherë transferimi nuk do të ndodhë”, shtoi ai.

Kosovari, i cili i shënoi tetë gola dhe i dha shtatë asiste për Werderin gjatë sezonit të fundit në Bundesligë, është dëshirë e trajnerit të Leipzig, Julian Naglesmann.

Naglesmann e ka pranuar se klubi i tij është në kërkim të një sulmuesi për ta zëvendësuar Timo Wernerin, i cili iu bashkua Chelseat këtë verë.

Rashica e ka thënë edhe më parë se dëshiron të bëjë hap përpara në karrierë dhe të luajë për një klub i cili merr pjesë në Ligën e Kampionëve, gjë që mund ta bëjë me Leipzig, i cili është kualifikuar për garën më prestigjioze evropiane për sezonin e ri.

(Kosova Sot Online )