Oklahoma e çon në ndeshjen e 7-të përballjen kundër Houstonit, Bucks mposhten nga Heat

  • S.A /
  • 01 September 2020 - 16:23
Oklahoma e çon në ndeshjen e 7-të përballjen kundër Houstonit, Bucks mposhten nga Heat

Oklahoma City Thunder shtyn serinë në ndeshjen e shtatë, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Billy Donovan ia doli për të fituar një ndeshje vërtet shumë të ekuilibruar ndaj Houston Rockets, duke barazuar në 3-3 serinë e kësaj faze të play off-it.

Në AdventHealth Arena, pranë Qytetit të Orlandos dy ekipet zhvilluan një ndeshje sa të rivalizuar po aq dhe të tensionuar, e për rrjedhojë takimi vazhdoi gjatë gjithë kohës i barabartë.

Që në start lojtarët e dy skuadrave e filluan sfidën me shumë gabime, gjë që u reflektua në fund edhe te rezultati me pak pikë. Asnjëra nga skuadrat nuk ishte në gjendje për t’u shkëputur ndjeshëm dhe i gjithë takimi u rrotullua në harkun e vetëm 17 pikëve, duke parë shpesh herë edhe ndryshimin roleve, përsa i përket kryesimit të rezultatit.

Kështu shkëputjen më të madhe OKC e siguroi në periodën e fundit, kur Thunder shkuan në +8 për të udhëhequr me shifrat 88-80, ndërkohë në krahun tjetër epërsinë më të madhe skuadra teksane e regjistroi në 12’ e tretë, kur ekipi i drejtuar nga trajneri Mike D’Antoni fluturoi dy herë në +9, duke kryesuar 58-49 dhe 63-54.

Nën presion cuditërisht krejt ndryshe nga c’pritej dyshja që gaboi më tepër ishte ajo James Harden–Russell Westbrook dhe nga kjo gjë përfituan pikërisht basketbollistët e Oklahoma-s, që në minutat e fundit përmbysën disavantazhin e 6 pikëve.

Kështu nga 98-92 për Houston-in gjithcka u kthye në favor të skuadrës së drejtuar nga Billy Donovan, që falë ecurisë së pjesshme 12-2 në minutat e fundit të takimit ia doli për të kthyer edhe fatin e kësaj sfide, duke fituar gjithë ndeshjen me rezultatin e ngushtë 104-100. Kurioz është fakti që Rockets nuk kanë qenë asnjëherë në disavantazh, gjatë kësaj serie të fazës së knock out-it.

Nga 2-0 për Houston-in seria u barazua në 2-2, ndërsa tani OKC ia doli përsëri për të ekuilibruar sfidën, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm nga 3-2 për Rockets në 3-3.

Basketbollisti më i mirë i sezonit deri tani James Harden e mbylli mbrëmjen me 32 pikë, 8 rebound e 7 asist, sidoqoftë lojtari më i vlefshëm i takimit ishte padyshim veterani nga Karolina e Veriut Chris Paul, që e mori për dore skuadrën nga Oklahoma për ta përfunduar ndeshjen me 28 pikë.

Një kontribut tepër të cmuar dha gjithashtu edhe italiani Danilo Gallinari që realizoi 25 pikë në 28’ që qëndroi në parket, ndërsa Russell Westbrook në krahun tjetër i ardhur nga dëmtimi gaboi shumë dhe shpesh herë u pa konfuz, duke e mbyllur ndeshjen me vetëm 17 pikë e 3 asist.

Takimi përcaktues që do të nxjerrë edhe ekipin fitues nga kjo përballje do të luhet të enjten në orën 3:00 të mëngjesit me orën qendrore evropiane. Në kompleksin Disney World një ndër ekipet që ka rënë më shumë në sy është pikërisht franchise nga Florida Miami Heat.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Erik Spoelstra eklipsoi një ndër basketbollistët më të mirë të sezonit, yllin e Milwaukee-t Giannis Antetokounmpo, për të fituar në fund me diferencë ndeshjen e parë të serisë, në këtë gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes. Në HP Field House pas kryesimit të fillimit nga ana e Heat, lojën e kontrolloi skuadra e drejtuar nga trajneri Mike Budenholzer, që mbylli periodën hapëse 40-29.

Ekipi nga Wisconsin e ruajti avantazhin deri në pushimin e madh dhe Milwaukee shkoi në interval me epërsinë 63-60, gjithsesi kjo ndeshje pësoi një ndryshim të ndjeshëm pikërisht në mesin e periodës së tretë, kur Miami përforcoi mbrojtjen dhe filloi të bëj vërtet dëm, nëpërmjet sulmuesit Jimmy Butler.

Heat hynë në 12’ përmbyllës me epërsinë e 6 pikëve, ndërsa Bucks reaguan shpejt duke përmbysur shifrat në 96-95, sidoqoftë ky ishte avantazhi i parë dhe i vetëm i Milwaukee-t në periodën e fundit dhe falë lojës së shkëlqyer të 31-vjeçarit teksan Miami fitoi pjesën e mbetur 20-8, duke mbyllur llogaritë e sfidës së parë me triumfin 115-104.

Jimmy Butler zhvilloi takimin më të mirë në karrierë në një ndeshje play off-i dhe basketbollisti teksan realizoi plot 40 pikë në 36’ lojë, ndërkohë slloveni Goran Dragic kontribuoi me 27 pikë.

Në krahun tjetër Khris Middleton e përfundoi ndeshjen me 28 pikë, ndërsa Brook Lopez ndihmoi me 24 pikë, ndërkohë Giannis e mbylli mbrëmjen me 18 pikë, 10 topa në tabelë dhe 9 asist.

(Kosova Sot Online )