Barcelona hiqet sikur asgjë nuk ka ndodhur, e përdor Messin për shitjen e fanellave

  • S.A /
  • 02 September 2020 - 11:20
Barcelona hiqet sikur asgjë nuk ka ndodhur, e përdor Messin për shitjen e fanellave

Barcelona është duke vepruar sikur asgjë nuk ka ndodhur në marrëdhëniet e saj me kapitenin e vet historik, Lionel Messin, të cilin e ka vendosur në fotografinë kryesore të një reklame për shitjen e fanellave në rrjetet sociale.

Megjithëse Messi e ka kërkuar largimin nga klubi përmes një shkrese zyrtare dhe nuk është paraqitur në qendrën stërvitore për nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri, Barcelona vazhdon të hiqet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Fytyra e gjashtë herë fituesit të Topit të Artë zë vendin në rreshtin e parë të fotografisë promovuese të Barcelonës për shitjen e fanellës së parë të klubit për sezonin e ri 2020/21, pavarësisht se ai nuk e ka ndërmend ta veshë atë më.

Kjo fotografi është publikuar nga llogaria e Barcelonës në Twitter, përmes së cilës u bënë thirrje tifozëve ta blejnë fanellën e re. Përveç Messit, pjesë e fotografisë promovuese janë edhe Gerard Pique, Marc-Andre ter Stegen, Frenkie de Jon, Ousmane Dembele dhe Antoine Griezmann, të gjithë këta në planet e trajnerit të ri Ronald Koeman. Babai dhe menaxheri i Messit, Jorge Messi, ka mbërritur sot në Barcelonë për të gjetur marrëveshje me drejtuesit e klubit për largimin e djalit të tij në mënyrë miqësore.

(Kosova Sot Online )