KOK-u i bën thirrje Qeverisë ta lejojë zhvillimin e aktiviteteve sportive menjëherë

  • 09 September 2020 - 10:06
KOK-u i bën thirrje Qeverisë ta lejojë zhvillimin e aktiviteteve sportive menjëherë

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) i ka bërë thirrje Qeverisë ta lejojë zhvillimin e aktiviteteve sportive menjëherë, si dhe i ka kërkuar t’i ndajë 5 milionë eurot e premtuara nga qeveria e kaluar për sportin në vend.

Qeveria e re Hoti i ndaloi të gjitha aktivitetet sportive me ligj që nga 30 korriku deri në një datë të papërcaktuar, si masë parandaluese e përhapjes së pandemisë Covid-19.

“Ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjitha lëmive etj”, thuhej në njoftimin e 30 korrikut të qeverisë.

Sezoni i ri në ligat e futbollit në vend, përfshirë atë elitare Superligë, pritet të nisë më 19 shtator, pas një vendimi të Federatës së Futbollit për ta shtyrë atë për një javë, për shkak të pandemisë.

“Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës e ka shqyrtuar me prioritet gjendjen momentale të sportit në Kosovë. Në mbledhjen e 51-të të tij, konstatoi se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të lejojë zhvillimin e përgatitjeve për klube dhe organizimin e aktiviteteve tjera sportive”, thuhet në një njoftim të KOK-ut.

KOK konstaton se ndërprerjet e stërvitjeve kanë ndikuar në zvogëlimin e numrit të sportistëve nëpër klube e rrjedhimisht edhe shuarjen e klubeve

“Shumë trajnerë të klubeve kanë jetuar vetëm nga zeja e trajnerit dhe ndërprerja e stërvitjeve ka ndikuar në varfërimin e skajshëm të tyre, andaj kërkohet nga Qeveria e Kosovës që 5 milionë euro të premtuara nga Qeveria Kurti për mbështetje të sportit, kulturës e rinisë të ndahen me urgjencë, dhe po ashtu të trajtohet mundësia që për sport të ndahen mjete financiare shtesë, sepse humbjet në sport, përveç tjerash, janë të mëdha edhe në aspektin financiar”, thuhet tutje në njoftim.

KOK-u ka shprehur gatishmërinë që të takohet me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe personat përkatës vendimmarrës, për ta dhënë kontributin e vet profesional, në mënyrë që me propozimet e dhëna, ta bëjë më të lehtë vendimmarrjen nga institucionet përkatëse.

(Kosova Sot Online )