Trajneri i Man Unitedit e pranon: Skuadra ime s’meritoi asgjë

  • A.P /
  • 20 September 2020 - 09:48
Trajneri i Man Unitedit e pranon: Skuadra ime s’meritoi asgjë

Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, e pranoi se skuadra e tij e mori atë që e meritoi, pas humbjes 3:1 kundër Crystal Palace në Old Trafford të shtunën.

Unitedi e bëri një paraqitje të dobët dhe u ndëshkua nga kundërshtari i vet superior në ndeshjen e vet të parë të sezonit të ri në Premierlig.

Palace kaloi në epërsi përmes Andros Townsend në fillim të takimit para se Wilfried Zaha ta dyfishonte epërsinë nga një penallti kontroverse pasi Victor Lindelof e kishte prekur topin me dorë në zonë.

Donny van de Beek e ktheu Unitedin në lojë kur shënoi në debutimin e tij nga stoli 10 minuta para fundit, por Zaha doli sërish në skenë dhe e fundosi skuadrën e Solskjaerit.

“Mund ta shihni ishim të dobët dhe ata i merituan pikët”, tha Solskjaer.

Ai theksoi: “Ne nuk merituam asgjë nga kjo ndeshje. E nisëm keq dhe ngadalë; u dukëm sikur një ekip që sapo i ka nisur përgatitjet parasezonale”.

“Ata ishin më të mprehtë se ne në ndërhyrje. Ne e nisëm lojën ngadalë dhe u ndikuam nga goli i tyre i parë”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)